​Dhurata e Pranisë dhe Një Slitë e Kuqe

adminDhiata e Re, KrishtlindjaLeave a Comment

“Ja, virgjëresha do të mbetet shtatzënë dhe do të lindë një djalë, të cilit do t`i vënë emrin Emanuel (që do të thotë: “Zoti me ne”). Mateu 1:23

Herët në mëngjesin para Krishtlindjes, unë u turra te dritarja e dhomës sime të gjumit, me sytë e mëdhenj prej gjashtëvjeçareje që më shkëlqenin nga padurimi. Gjatë natës dëbora e bardhë kishte mbuluar si me një tapet të trashë rrethinat e Siatëllit ku banonim edhe ne. Poooo! Shkolla ishte mbyllur! Poshtë në kuzhinë nëna ime, e veshur me përparësen e kuzhinës, qëndronte mbi sobë duke skuqur proshutën. Babai im i përkushtuar, i cili ishte oficer i Rojeve së Kufirit, kishte ikur si gjithmonë pa lindur dielli, duke më lënë mua, vajzën e tij të vetme, ta kaloja ditën në vetmi.  Unë isha e re në lagje dhe e pamësuar me dëborën, prandaj fillova të vras mendjen si t’ia bëja që ta shfrytëzoja sa më mirë këtë ditë me dëborë.

Papritur, në derë u dëgjua një trokitje lozonjare. Babai im qëndronte te dera duke buzëqeshur, i veshur me rroba të ngrohta dhe në krahë mbante një slitë të re, të kuqe që shkëlqente. Ne e kaluam të gjithë ditën së bashku duke rrëshkitur nëpër ato kodra, duke u ngjitur e duke zbritur, dhe duke qeshur derisa na merrej fryma. Megjithëse hundën dhe gishtat i kisha të ngrirë, nuk kishte rëndësi. Babai im kishte kërkuar një ditë pushim që të luante me mua në dëborë.

Cili është ai person në jetën tënde që ndihet i etur për kohën dhe vëmendjen tënde? Shpesh kjo është dhurata më kuptimplotë që mund t’i japësh.

Nëse dëshiron bëje edhe më të veçantë këtë dhuratë me një version të përshtatshëm të një slite të re të kuqe, por kjo është zgjedhja jote. Përveçse e prekshme, prania jote është shprehja më e fuqishme e dashurisë tënde.

Krishtlindjen e parë, Zoti na dhuroi praninë e Tij në formën e Jezusit. Ai eci midis nesh, na mësoi të vërtetën, na tregoi karakterin e Perëndisë, vdiq për të na dhënë neve jetën e përjetshme, dhe e la praninë e vet të përhershme midis nesh përmes Personit të Shpirtit të Shenjtë.

Po vret mendjen çfarë t’i dhurosh një personi të dashur këtë Krishtlindje? Ec në gjurmët e Perëndisë së Madhërishëm dhe dhuroi praninë tënde.

Dhuratat materiale ndryshken dhe zbehen, por prania jote qëndron e pastër dhe e çmuar në kujtesën e atij personi. Pothuajse shtatë dekada më vonë, akoma më kujtohet ajo vajzë e vogël gjashtë vjeçare, me flokët bisht, e cila po luante në dëborë me babain e saj. Në pothuajse shtatë dekada, ky vazhdon të mbetet kujtimi im i preferuar i Krishtlindjes.

— Dr. Su Eduards, Asistent Profesore e Shërbesave Edukuese dhe Udhëheqjes, Seminari Teologjik i Dallasit.

Ky inkurajim është përkthyer me leje nga seria e Inkurajimeve të Krishtlindjes, inkurajime të shkruara nga profesorë të Seminarit Teologjik Të Dallasit, në Dallas, SHBA.

E mirepresim komentin tuaj...