​Dhurata më e madhe!

adminDhiata e Re, Krishtlindja0 Comments

Le të falënderojmë Perëndinë për dhuratën e tij të patregueshme! 2 Korintasve 9:15

Ishte viti im i parë i kolegjit dhe unë mezi po prisja të shkoja në shtëpi për Krishtlindje. Gjatë gjithë semestrit shoqja ime e dhomës dhe unë bëmë fotografi me aparatin e saj profesional. Aparati im ishte fare i vogël dhe unë ëndërroja të bëja fotografi më të bukura. Kështu, duke mos e patur idenë se sa shumë kushtonte, u kërkova prindërve që për Krishtlindje të më blinin një aparat fotografik 35mm.

Poshtë pemës mëngjesin e Krishtlindjes ishte një aparat fotografik 35mm, por jo një aparat i zakonshëm. Babai im më dha aparatin e vet. Unë po fluturoja nga gëzimi! Në atë kohë nuk e kuptoja se sa shumë i kishte kushtuar babait të hiqte dorë nga aparati i vet fotografik. Financat tona ishin shumë të pakta për shkak se të tre ne fëmijët ishim në kolegj. Kur kujtoj atë kohë, kuptoj vlerën e asaj dhurate.

Dy mijë vjet më parë, na u dha një dhuratë tjetër nga Ati, i cili hoqi dorë nga thesari i Vet i paçmueshëm, Biri i Tij, Jezusi. Në atë natë të heshtur të mbushur me yje, ëngjëjt këndonin para barinjve që kundërmonin: “Një Shpëtimtar ka lindur!” Barinjtë menjëherë lanë tufat e bagëtive, gjetën foshnjën Jezus dhe e adhuruan Atë, ndërkohë që e gjithë pjesa tjetër e botës vazhdonte të flinte.

Përse na e dha Zoti Birin e Tij të vetëm, duke e ditur që ne mund të mos e vlerësonim dhuratën e Tij? Sepse Ai na do (Gjoni 3:16)! Zoti e dinte që ne vetë nuk mund të bënim asgjë apo që brenda nesh nuk kishte asgjë që mund ta arrinte standartin e Tij të përsosmërisë.  (Efesianëve 2:8–9). Por Jezusi mundej dhe e bëri! Ne të gjithë mëkatuam dhe fati ynë do të ishte vdekja, nëse nuk do të ishte për dhuratën bujare të Zotit “jetën e përjetshme në Krishtin Jezus, Zotin tonë”. (Romakëve 3:23–24; 6:23). Kur e pranojmë dhuratën e Tij ne kemi sigurinë që do të kemi miqësi të përjetshme me Atin tonë qiellor.

“çdo gjë e mirë që na jepet dhe çdo dhuratë e përsosur vjen prej së larti…” (Jakobi 1:17). Dhuratat që marrim dhe japim çdo Krishtlindje na kujtojnë Dhuratën më të Madhe, shpëtimin tonë të përjetshëm që e kemi për shkak të Jezus Krishtit, lindjen e të cilit po festojmë. Ashtu si aparati fotografik që mora unë për Krishtlindje, ne tani mund ta vlerësojmë dhuratën e Zotit vetëm pjesërisht, por një ditë, kur ta shohim Zotin ballë për ballë, ne do ta kuptojmë plotësisht vlerën e patregueshme të Dhuratës së Tij!

— Dr. Xheri Laurence

Asistent Profesore në Shërbesat Edukative dhe të Udhëheqjes, Koordinatore Grash për Ish-studentët dhe Caktimin

E mirepresim komentin tuaj...