​Dhurata të Mira

adminDhiata e Re, Krishtlindja0 Comments

“Dhe cili nga ju është baba i tillë që, po t`i kërkojë bukë djali, i jep një gur? Ose po t`i kërkojë një peshk, në vend të peshkut i jep një gjarpër? . . . Nëse ju, pra, që jeni të këqij, dini t`u jepni dhurata të mira bijve tuaj, aq më tepër Ati juaj qiellor do t`u dhurojë Frymën e Shenjtë atyre që ia kërkojnë.” Luka 11:11–13

Unë isha në mëdyshje, a t’ju tregoja një histori inkurajuese krishtlindjeje apo një të trishtuar nga jeta ime. Pa prit një moment, e si mund të tregohet ndryshe një histori e vërtetë e Çarls Dikensit…

Për fat të keq, prindërit e mi u divorcuan kur unë isha rreth 11 vjeç. Pasi u largua babai im, mamaja ime u përpoq dëshpërimisht të ruante një sens normaliteti për mua, motrën dhe vëllain tim më të vogël. Babai im pas divorcit u largua në kuptimin e vërtetë të fjalës. Shumicën e kohës kjo nuk kishte problem, por kishte momente kur vërtet ta shpifte. Ne kishim shumë pak para dhe arriti një moment kur nëna ime bënte tre punë të ndryshme, që të mund të mbijetonim. Gjithsesi, ne gjithmonë kishim një ose dy dhurata të këndshme për krishtlindje, më të mira sesa shpresoja unë për shkak të rrethanave që kishim. Më kujtohet kur shpresoja që babai po siguronte fshehurazi për ne. Ky mendim më bënte të ndihesha pak më mirë për të. Por një Krishtlindje, pasi babai im kishte vite që kishte ikur, mbaj mend që gjeta para derës kryesore një pako me letër kafe mbi të cilën ishte shkruar “Nga babi”. Ndërsa hodha një sy brenda me padurim, gjeta disa palë çorape të vjetra, jo të së njëjtës përmasë, as ngjyrë, dhe të përdorura. Realiteti ta shpif! Ja çfarë ishte në gjendje ose i gatshëm të na jepte babai për Krishtlindje.

Ndoshta ishte ky realitet i trishtueshëm që më ndihmoi të tërhiqem nga Ati ynë qiellor.

Te Perëndia unë kam gjetur një Atë ekstremisht bujar, si dhe të gatshëm të sigurojë gjithçka që mund të na duhet ndonjëherë.

Ai më ka dhënë Shpirtin e Tij të Shenjtë që të banojë brenda meje; Ai ka dhënë me besnikëri Fjalën e Tij në Shkrimin e besueshëm, për rritjen time; Ai ka mbledhur në mënyre krijuese një komunitet dhe më ka dhënë një vend në të; Ai ka dhënë Birin e Tij si sakrificë, Krishtin fëmijë, për mëkatet e mia… Ai nuk ka kursyer asnjë gjë të mirë për mua.

Perëndia është një Atë i mirë, i cili u jep dhurata të mira fëmijëve të vet… bashkohuni me mua në këtë sezon krishtlindjeje, ndërsa festoj për këtë realitet!

— Dr. Çarls Dikens

Kreu i Departamentit dhe Asistent Profesor i Këshillimit Biblik

Ky inkurajim është përkthyer me leje nga seria e Inkurajimeve të Krishtlindjes, inkurajime të shkruara nga profesorë të Seminarit Teologjik Të Dallasit, në Dallas, SHBA.

E mirepresim komentin tuaj...