​Fëmijët dhe Barinjtë

adminDhiata e Re, Krishtlindja0 Comments

“Sepse sot në qytetin e Davidit lindi për ju një Shpëtimtar, që është Krishti, Zoti. Dhe kjo do t`ju vlejë si shenjë: ju do të gjeni një fëmijë të mbështjellur me pelena, të shtrirë në një grazhd”. Dhe menjëherë engjëllit iu bashkua një shumicë e ushtrisë qiellore, që lëvdonte Perëndinë, duke thënë: Lavdi Perëndisë në vendet më të larta, dhe paqe mbi tokë njerëzve mbi të cilët qëndron mirëdashja e tij!” Luka 2:11–14

Unë u rrita në një familje emigrantësh italianë si më i vogli i trembëdhjetë fëmijëve, ku dhjetë prej tyre ishin vajza. Çdo Krishtlindje ishte një ngjarje madhështore dhe çdo vit festimet ia tejkalonin të mëparshmit. Secili nga prindërit tanë kishte filluar një marrëdhënie personale me Krishtin para se të bëheshin me fëmijë, kështu që ne e mësuam që herët rëndësinë dhe gëzimin festiv të historisë së Mishërimit të Jezus Krishtit dhe çdo vit festimet visheshin me këtë mesazh të thellë, por përsëri të thjeshtë.

Në gjunjët e nënës sime unë mësova që për shkak të Krishtlindjes unë mund të lutesha me të gjithë konfidencën e një fëmije:

“Jezus i dashur, zemërbutë dhe i duruar, kujdesu për këtë fëmijë të vogël…” duke besuar që foshnja në Betlehem, Zoti në mish, do të kujdesej për mua sikur të isha i vetmi fëmijë i cili i thoshte ato fjalë.

Barinjtë atë natë në Betlehem, kur dëgjuan korin qiellor që shpallte lajmin e mirë, duhet të jenë ndjerë njëlloj: “Sepse sot në qytetin e Davidit lindi për ju një Shpëtimtar, që është Krishti, Zoti.” Ky mesazh, më i madhi i të gjithë kohërave, nuk iu shpall mbretërve dhe mbretëreshave, por së pari iu shfaq barinjve të thjeshtë: “lindi për ju…”

Neve na pëlqejnë shumë zbukurimet dhe stolisjet e festimeve të Krishtlindjes, dhe secila prej tyre në vetvete sinjalizon gëzimin e këtij sezoni. Për familjen tonë Krishtlindja përqendrohej te familja dhe krijimi i ushqimeve të mrekullueshme, por gjithmonë me një histori të thjeshtë të një Shpëtimtari të pranishëm, i cili Krishtlindjen e parë denjoi të zbriste për t’u kujdesur personalisht për më të vegjlit dhe më të ulëtit.

— Dr. Robert J. Garipa

Zv. President për Shërbimet Studentore, Dekan i Studentëve, Seminari Teologjik i Dallasit

Ky inkurajim është përkthyer me leje nga seria e Inkurajimeve të Krishtlindjes, inkurajime të shkruara nga profesorë të Seminarit Teologjik Të Dallasit, në Dallas, SHBA.

E mirepresim komentin tuaj...