​Koha e Duhur

adminDhiata e Re, Krishtlindja0 Comments

“Por, kur u mbush koha, Perëndia dërgoi Birin e tij, të lindur prej gruaje, të nënshtruar ligjit.” Galatians 4:4

Vjeshta e vitit 1988 ishte periudha më sfiduese e jetës sime. Gruaja ime, Sheril dhe unë u transferuam nga Qyteti i Oklahomës për të marrë pjesë në trajnimin e SHTD (DTS). Unë mezi po prisja të studioja Fjalën e Zotit dhe ndërkohë po prisnim fëmijën tonë të parë.

Gjithçka po shkonte shumë mirë deri në fillim të nëntorit. Kur gruaja ime ishte njëzet e pesë javëshe shtatzanë i plasën ujrat dhe ne, të tmerruar nxituam për në spital. Qendra Mjekësore Bailor u bë shtëpia e saj për katër javët në vazhdim sepse ajo ndenji atje me regjim shtrati derisa lindi djali ynë Xhastin, njëmbëdhjetë javë më herët sesa duhej, më 12 Dhjetor 1988. Përveç lindjes së parakohshme ai kishte njërën buzë bashkë me qiellzën të ndarë në dy pjesë. Kurrë nuk kam për ta harruar mendimin që më shkoi në kokë kur e pashë për herë të parë. “Ai është shumë i vogël dhe i brishtë, por ai është biri im!” Për herë të parë në jetë thashë fjalët “biri im”.

Xhastini jetoi në repartin e prematurës për gjashtë javë dhe po kështu edhe ime shoqe. Ajo largohej shumë rrallë prej tij. Gjëja e parë që mësuam atje ishte t’u druheshim raporteve të përparimit të përditshëm që shumicën e rasteve ishin dekurajuese. Dhe fakti që ai nuk ishte në shtëpi me ne ishte torturues. Unë dhe Sheril e festuam Ditën e Krishtlindjes 1988 me Xhastinin në shtëpinë e tij të përkohshme. Ishte Krishtlindja më e keqe dhe më e mirë njëkohësisht. Ishte më e keqja për arsye të dukshme, por ishte më e mira sepse Zoti përdori gjithë këtë situatë për të më mësuar shumë gjëra të cilat nuk kisha për t’i mësuar ndonjëherë në klasën e seminareve.

Një mësim i thjeshtë që mësova unë ishte që shpesh koha e Zotit nuk është koha jonë, por koha e Tij është gjithmonë më e mira.

Djali ynë nuk lindi kur e prisnim apo dëshironim, por ai lindi në kohën e duhur. Në të njëjtën mënyrë, në Krishtlindjen e parë, Biri i Zotit lindi në kohën e duhur: “kur u mbush koha”, në kohën e përsosur të Zotit (Galatasve 4:4). Krishtlindja na kujton që koha e Zotit është koha e duhur. Në këtë moment ju mund të jeni duke u përballur me situata që duket sikur janë në kohë të papërshtatshme.

Zoti na ndihmoftë, ju dhe mua, gjatë këtij sezoni dhe gjithmonë, që të mos harrojmë se megjithëse koha e Tij nuk përkon me tonën, koha e Tij është e përsosur.

— Dr. Mark Hitçkok

Asistent Profesor i Interpretimit të Biblës, Seminari Teologjik i Dallasit

Ky inkurajim është përkthyer me leje nga seria e Inkurajimeve të Krishtlindjes, inkurajime të shkruara nga profesorë të Seminarit Teologjik Të Dallasit, në Dallas, SHBA.

E mirepresim komentin tuaj...