​Një Himn për Birin

adminImage, Krishtlindja0 Comments

“Dhe menjëherë engjëllit iu bashkua një shumicë e ushtrisë qiellore, që lëvdonte Perëndinë, duke thënë: Lavdi Perëndisë në vendet më të larta, dhe paqe mbi tokë njerëzve mbi të cilët qëndron mirëdashja e tij!” Luka 2:13–14. 

Kujtimi i parapëlqyer i Krishtlindjes për mua nuk ka të bëjë me një ceremoni të vetme, por me një traditë të cilën e krijuam me familjen e gruas sime, familje e cila përbëhet nga besimtarë dhe jobesimtarë. Për vite me rradhë ne e festuam Vigjiljen e Krishtlindjes me familjen e saj. Pasi shkëmbenim dhuratat, të rriturit nga katër familje të ndryshme, plus prindërit e saj, mblidheshim rreth zjarrit në dhomën e ndenjies dhe lexonim nga Ungjilli sipas Lukës. Sa herë që lexonim një frazë të Shkrimit e cila na kujtonte një himn Krishtlindjeje, njëri nga ne thoshte titullin e himnit dhe ne të gjithë këndonim strofën e parë të atij himni. Të gjithë mund të ndërhynin në këngë në mënyrën që u dukej më e përshtatshme. Të gjithëve u pëlqente shumë kjo traditë, që na bënte të bashkoheshim me entuziazmin e sezonit të festave. Sot, sa herë që mblidhet familja, ne vazhdojmë ta përsëritim këtë traditë, ashtu siç kemi bërë për dekada me rradhë.

Ky ushtrim është një kujtesë që Krishtlindja ka të bëjë me shumë më shumë sesa thjesht lindja e një foshnje në një ahur modest.

Ajo është një ditë e cila e përqendron vëmendjen te një lindje të cilës i këndon e gjithë bota sepse ai fëmijë, i vendosur në një grazhd,  ishte “Fjala e bërë mish”.

Zoti që na deshi dhe na do deri në atë pikë sa të bëhej një prej nesh. Zoti që zgjodhi të jetonte këtë jetë të brishtë dhe të rënë; Zoti që e dinte për çfarë është kjo jetë. Kështu Ai erdhi; Ai dha; Ai shërbeu. Ai e dha veten e vet për ne. Dhe më pas Ai na tregoi që në këtë jetë ka më shumë sesa vetëm vdekje; ne jemi krijuar në imazhin e Perëndisë, dhe kjo jetë ka të bëjë me nderimin e Atij që na ka krijuar, dhe dashuria është për një Zot i cili kujdeset kaq shumë për ne saqë vdiq, jo vetëm për të marrë mbi vete mëkatin tonë dhe dënimin, por për të na ofruar jetën përtej vdekjes për të cilën dëshmon ringjallja e Tij.

Kur qielli erdhi poshtë në tokë, Zoti po shkruante një himn për dashurinë e Tij, dashurinë e Tij për ne.

— Dr. Darrell  Bock

Drejtor Ekzekutiv i Angazhimit Kulturor dhe Profesor i Hulumtimeve për Studimet e Dhjatës së Re

Ky inkurajim është përkthyer me leje nga seria e Inkurajimeve të Krishtlindjes, inkurajime të shkruara nga profesorë të Seminarit Teologjik Të Dallasit, në Dallas, SHBA.

E mirepresim komentin tuaj...