​Përbërësi i Veçantë

adminDhiata e Re, Krishtlindja0 Comments

“Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që, kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme.” Gjoni 3:16

Nëse jeni duke kërkuar ide për dhuratat e këtij viti, ndoshta mund të merrni në konsideratë shurupin e panjës. Ne bënim shpesh shurup panje, në kohën kur jetonim me prindërit në një fermë në zonën bujqësore të Ontarios, Kanada.

Nga mesi i dimrit ne çanim rrugën nëpër dëborë për të mbledhur lëng nga një dyzinë me pemë panje. Babai i menduar zgjidhte një pemë të shëndetshme panje, merrte turielën e tij të dorës dhe hapte një vrimë të vogël në trungun e saj. Pastaj vendoste një ulluk të hollë metali në vendin ku kishte hapur vrimën.

Në fund të ullukut varej një çengel i cili mbante një kovë që përdorej për të mbledhur lëngun e pemës. Lëngu zbriste pikë-pikë në kovë përmes ullukut. Në ditë të mira me mot të butë, kova mbushej plot për plot, gati për t’u hedhur në enë pesëmbëdhjetë litroshe.

Mbas disa javësh këto enë me lëng i ngrinim më krahë dhe i vendosnim pranë kazanit derisa mblidhnim të paktën 150 litra lëng. Për të bërë tre litra shurup duhen njëqind e pesëdhjetë litra lëng panje.

Proçesi i zierjes vazhdon gjithë natën. Duhet të priten drutë, të ndizet zjarri, të hiqet shkuma dhe në kohën e duhur kazani duhet të ftohet për filtrim dhe për ta ndarë shurupin nëpër vazo qelqi.

Në fakt, shurupi i panjës i bërë sipas mënyrës së vjetër, është një dhuratë shumë e mirë, sepse ai zjen për orë me rradhë derisa të mbetet ai përbërësi i veçantë për të cilin duhet shumë punë dhe kujdes i përpiktë, i mbështjellë i gjithi me shumë dashuri.

A nuk është ky thelbi i Krishtlindjes?

Zoti e tregoi dashurinë e Tij ndaj nesh nëpërmjet lindjes së Birit të Tij, Jezusit, foshnjës së përulur të mbështjellë me pelena në grazhdin modest, i cili do të jepte jetën e Vet në kryq si një sakrificë dashurie për mëkatet tona.

Këtë Krishtlindje, lejo që përbërësi i veçantë i dashurisë përkujdesëse të të fokusojë në dashurinë e madhe të Zotit shfaqur përmes Jezusit. Ai është dhurata më e madh, një dhuratë që duhet pranuar, ndarë me të tjerët dhe kremtuar.

— Dr. Skot Bertit, Drejtor i Doktoraturave në Programin e Shërbesave. Seminari Teologjik i Dallasit. 

Ky inkurajim është përkthyer me leje nga seria e Inkurajimeve të Krishtlindjes, inkurajime të shkruara nga profesorë të Seminarit Teologjik Të Dallasit, në Dallas, SHBA.

E mirepresim komentin tuaj...