5 arsyet se përse Krishtlindja është festa e duhur për vite të vështira!

adminDhiata e Re, Krishtlindja 2020Leave a Comment

Viti 2020 ishte një vit i vështirë… për të gjithë! Në gjithë botën! 

Pothuajse asnjëherë më parë,në historinë moderne të botës, nuk jemi ndier të gjithë njësoj; në stres, të lodhur, të ngatërruar, të paqartë, në ankth, frikë e pasiguri!

Megjithëse mezi presim t’ia hedhim kësaj situate e të kthehemi “në normalitet” (kushedi si do të jetë normaliteti, por kjo është një çështje tjetër!), vijnë lajme që na e shtojnë pasigurinë: Po varianti i ri i virusit anglez? Po kufizimi i ri? A do të mblidhemi dot me familjarët? A do të festojmë dot në kishë? 

Por, megjithëse duket se në mes të amullisë dhe ankthit, nuk ka vend për festë, ja pesë arsyet se përse Krishtlindja është festa e përshtatshme për kohë të tilla.

5 arsyet

1. Krishtlindja është festa e duhur në kohë të vështira sepse kështu ishte Krishtlindja e parë. 

Në Krishtlindjen e parë kishte shumë pak dritë. Izraeli i kohës ishte i pushtuar; dinjiteti i tyre kombëtar i nëpërkëmbur, traditat fetare të përçmuara nga romakët, liria e tyre e vjedhur. Bota e kohës ishte një vend i errët. Dhe Krishtlindja ndodhi pikërisht në kohë të tillë.

2. Krishtlindja është festa e duhur për kohë të vështira, sepse Krishtlindja e parë s’kishte nevojë për asnjë ritual. 

A e cënon Krishtlindjen vështirësia e kryerjes së ritualeve të festës? A kishte tradita në Krishtlindjen e parë? Asnjë. Natyrshëm, Jezusi nuk kishte lindur. Nga mënyra se si lindi është e qartë se bota nuk e kishte mendjen fare te Jezusi. Njerëzit nuk u turrën në dyqane për të blerë dhurata, as për të ngrënë me familjen. Nuk dilnin në mes të natës në një koncert në shesh dhe as nuk ngritën një pemë gjigande me drita e me yll në majë. 

3. Krishtlindja është festa e duhur për kohë të vështira, sepse ka një fund të historisë që shkatërron arsyet se përse kemi kohë të vështira.

Krishtlindja ishte ndërhyrja e Perëndisë në botën tonë. Jezusi, 100% hyjnor, mori trup njerëzor, për të ardhur në botën tonë. A mbaron historia me ardhjen e tij në botë si foshnje? Jo! Historia vazhdon me Jezusin që na e tregon më vonë arsyen e vërtetë që kishte ardhur: Perëndia, në urtësinë e tij, e cila nuk i ngjan fare urtësisë sonë, kishte vendosur të dërgojë Jezusin në trup njerëzor, që, përmes sakrificës së tij, të mund të na fitonte të gjithëve për Mbretërine e Tij të dritës. Historia e Jezusit na tregon se ka shpresë për jetën tonë.

4. Krishtlindja është festa e duhur për kohë të vështira sepse, përveçse të besosh të vërtetën e Jezusit, nuk ka nevojë për asnjë traditë shtesë. 

Patjetër është bukur të festojmë bashkë. Por Krishti nuk kërkon asnjë gjë prej këtyre traditave. A mund ta festosh Krishtlindjen aty ku je, me kufizime dhe me mungesa? Patjetër! Krishtlindja, domethënia e ngjarjes së Krishtlindjes e ka thelbin e vet në sjelljen e dritës së Perëndisë në shpirtin tonë. Kush e ka shpirtin e ndriçuar nga e vërteta, e ka festën me kuptim. Të gjitha të tjerat janë të mira shtesë; të mira, por jo të domosdoshme.

5. Krishtlindja është festa e duhur për kohë të vështira sepse e rivendos rendin e duhur mes kuptimit të festës dhe traditave që e shoqërojnë. 

Traditat janë simbolika e ngjarjes dhe jo ngjarja. Traditat, që të kenë kuptim, duhen kthyer mbrapsht në rend. Dëgjoj shumë që thonë: “Si nuk do të na lënë të festojmë Krishtlindjen sivjet?” Përpara se të vë në dukje vëzhgimin tim, është mirë të theksoj, së pari, se të mbledhurit bashkë për të festuar është fantastike. Ia vlen të kemi mundësinë të adhurojmë Jezusin bashkë. Na frymëzon. Na mbush me shpresë. Na shton dashurinë për Zotin dhe kujdesin për njëri-tjetrin. U japim mundësinë të tjerëvë të bashkohen me gëzimin tonë. Por e vërteta është se nuk është të mbledhurit bashkë që i jep kuptim festës; Jezusi i jep kuptim të mbledhurit bashkë. Nuk janë zbukurimet që e bëjnë festën, por drita e vërtetë, shpresa që kemi në Jezusin, Perëndinë e Gjallë, sjell zbukurimet. Ne adhurojmë Krijuesin dhe jo mjedisin që krijohet prej Krijuesit.

Në kohë të tilla si kjo e kuptojmë më mirë nëse e duam me gjithë zemër Perëndinë apo kemi besim për shkak të gjërave që siguron Perëndia për ne.

Dritat e Krishtlindjes nuk do të kishin kuptim pa dritën e vërtetë që solli Jezusi kur erdhi në botë. Gjoni, një nga ndjekësit e Jezusit, shkroi mes të tjerash këto fjalë për Jezusin:

“Në të gjendej jeta dhe jeta ishte drita e njerëzve. Drita ndriçon në errësirë dhe errësira nuk e mundi dot.” (Ungjilli i Gjonit 1:4-5)

Dritat e pemës kanë kuptim sepse Jezusi ishte drita e botës. 

Imagjoni një errësirë mbytëse. Vetëm zi gjithandej. Pa qirinj, pa shkrepëse, pa zjarr, me telefonin pa bateri e ndaj nuk e ndez dot dritën e celularit… Nga realiteti i zemrës sonë, imagjino (pa shumë vështirësi) jetën tënde në vitin 2020. Ajo është errësira. Pa shpresë, pa një dritë në fund të tunelit, me frikën e vazhdueshme se do të sëmuresh vetë, me tmerrin se do të sëmurësh prindërit e tu në moshë, e ata nuk do t’ia dalin, me lajme të trishtueshme gjithë ditën në televizor, me frikën e vazhdueshme se kushedi sa zgjat kjo punë, me merakun se do të humbësh punën që ke, me ankthin se nuk do të gjesh dot punë në këtë situatë…

Imagjino një botë si 2020-a.

Dritat e pemës nuk sjellin asnjë shpresë, përveçse nëse të kujtojnë dritën e vërtetë.

Zbukurimet nuk sjellin asnjë shpresë, përveçse nëse të kujtojnë bukurinë e vërtetë.

Të mbledhurit bashkë nëpër kisha nuk sjell asnjë shpresë, përveçse na kujton komunitetin e vërtetë që ka krijuar jeta dhe vdekja e Jezusit për ne.

Dritat e zbukurimeve të Krishtlindjes janë simbolika, drita e vërtetë është Jezusi. Drita e vërtetë e Krishtlindjes, është se Perëndia vetë e ka vizituar botën e shkatërruar, për ta nxjerrë nga errësira e vdekjes dhe për të na siguruar një udhë për shpëtim.

Prandaj, festat që përsëriten çdo vit si një traditë pa themel nuk sjellin asnjë gjë të re. Por Krishtlindja na rikujton se Perëndia, pikërisht në momentet më të errëta të ekzistencës sonë, ka ndërmend të sjellë shpresë në zemrën tonë të trazuar.

Nuk ka rëndësi se ku mund të festosh sivjet, nuk ka rëndësi fare se çfarë të lejojnë të bësh këtë vit… Nëse drita e Krishtlindjes është e ndezur, atëherë mund të vazhdojmë të jetojmë me shpresë…

Nëse këto fjalë kanë kuptim për ty, të lutem dërgoja dikujt tjetër që mendon se ka nevojë…

Nëse historia e Jezusit, e përshkruar në këto ide, nuk ju komunikon asnjë gjë, por keni dëshirë të dini më shumë, ju lutem na kontaktoni…

 

Rreth Autorit
mm

Afrim Karoshi

Facebook Twitter

Afrimi Karoshi ka mbaruar Fakultetin Juridik në Tiranë, dhe studimet master në Studime Biblike dhe master në Media & Komunikim nga Seminari Teologjik i Dallasit. Eshtë drejtues i Albanian Digital Strategies (ADS). Ka pasion të komunikuarit përmes shkrimit, leximin, dhe i pëlqen bota e re dixhitale. Eshtë i martuar, me tre fëmijë.

 

E mirepresim komentin tuaj...