Kujt mbreti i këndojmë?

adminDhiata e Re, Pashka0 Comments

“Tani kini kujdes që zemrat tuaja të mos rëndohen nga të llupurit, nga të dehurit dhe nga preokupimet e kësaj jete; që ajo ditë të mos ju zërë në befasi. Sepse do të vijë si një lak mbi të gjithë ata që banojnë mbi faqen e mbarë dheut. Prandaj, rrini zgjuar dhe lutuni kurdoherë që të çmoheni të denjë të shpëtoni nga të gjitha ato që do të ngjasin dhe të dilni para Birit të njeriut.” Luka 21:34-36

Njëherë, kur ishte rreth 6 vjeç, djalit tim i ranë në vesh tingujt periodikë, që i kushtoheshin Krijuesit. I shpjegova që shumë fe të ndryshme, e shprehin me këngë adhurimin e tyre për Zotin lart në qiell.

Disa kohë më vonë, djali dëgjoi një burrë që po këndonte në rrugë. I këndonte rakisë. Me tone të larta e kumbueshme. Zërin e shoqëronte më këmbët që i pengonin njëra tjetrën.

“Babi,” – më pyeti djali, “Po ky, kujt Zoti i këndon?”

Të mërkurën përpara se të vinte ora e vuajtjes, Jezusi, la porositë e fundit për ndjekësit e Tij… Dhe një nga këto porosi, ishte një thirrje që jeta jonë të jetë një këngë, për Zotin e duhur.

Përditshmëria i këndon dikujt. Ndonjëherë i këndojmë ushqimit – pjata e preferuar e postuar në profilin e Facebook-ut. Ndonjëherë një pije na ndihmon të lëmë mënjanë hallet e mundimshme të kësaj bote. Një gotë. Disa gota. Sipas rastit!

Dhe shpesh, shumë shpesh, shqetësimet na e tërheqin zemrën diku. Buka e kalamajve. Zënkat e pazgjidhura me komshiun. Hallet e punës. Çmimi i lartë i ushqimeve te tregu. Taksat. Papunësia. Zyrtarët dallaveraxhinj. Korrupsioni. Hajdutëria. Padrejtësia në sofrën e drejtësisë. Vrasja e të të pafajshmëve. Terrorizëmi. Frika. Parisi. Ankaraja. Stambolli. Brukseli. Tirana.

Dua të këndoni një këngë Zotit të vërtetë, që “zemrat tuaja të mos ju rëndohen!”

Të gjithë jemi rrugës drejt fundit. Të gjithë. Jezusi vetë, ndërsa fliste këto fjalë, ishte afër vuajtjes së tmerrshme që do përjetonte. Për shkakun tonë. Por ai nuk premtoi vetëm që do të vdiste e do të ringjallej. Ai premtoi se do kthehej përsëri.

Dhe derisa të vijë, duhet të ruajmë zemrën. Ta kujtojmë sakrificën e tij. Ta kujtojmë kthimin e tij.

Të jetojmë çdo ditë, duke iu bindur mësimeve të tij. Të mos heqim dorë. Të mbajmë veç, të vërtetën nga gënjeshtra. Denjësisht! Të mos peshojmë gjërat e vogla të jetës. Të falim. Komshiun. Të duam. Armikun. Sepse dashuria i mbulon fajet. Ta nderojmë Perëndinë. Dhe të mos kemi frikë askënd tjetër, veç Tij!

Të rrimë zgjuar… duke mos i kënduar askujt tjetër përveç Birit të Njeriut! Të mos i këndojmë askujt me jetën tonë, përveç Perëndisë… Sepse Biri i Njeriut, siç do të na sqaronin me durim hebrenjtë e kohës, nuk është thjesht një njeri, është mishërimi i Perëndisë vetë!

Ai erdhi për të na zbuluar veten. Për të na siguruar që ai e meriton këngën tonë. Le ta ruajmë tekstin e këngës të pandryshuar… derisa të kthehet prapë!

Shënim: Nëse ke dëshirë të shqyrtosh të vërtetat bazë të jetës së krishterë përmes një aplikacioni të thjeshtë, ju lutem rregjistrohuni duke klikuar në këtë link. Ju urojmë një udhëtim shpirtëror jetëndryshues!

Rreth Autorit
mm

Afrim Karoshi

Facebook Twitter

Afrimi Karoshi ka mbaruar Fakultetin Juridik në Tiranë, dhe studimet master në Studime Biblike dhe master në Media & Komunikim nga Seminari Teologjik i Dallasit. Eshtë drejtues i Albanian Digital Strategies (ADS). Ka pasion të komunikuarit përmes shkrimit, leximin, dhe i pëlqen bota e re dixhitale. Eshtë i martuar, me tre fëmijë.

E mirepresim komentin tuaj...