Përse po adhurojnë foshnjen?

adminDhiata e Re, Krishtlindja 20180 Comments

“Në këtë është shfaqur dashuria e Perëndisë ndaj nesh, se Perëndia dërgoi Birin e tij të vetëmlindurin në botë që ne të rrojmë nëpërmjet tij. Në këtë është dashuria: jo se ne e kemi dashur Perëndinë, por që ai na ka dashur ne dhe dërgoi Birin e tij për shlyerjen e mëkateve tona.” (1 Gjoni 4:9-10).

“Në Krishtlindje, Perëndia na tregon se kush është – dashuri. Në Pashkët, na tregon se çfarë bën – na shpëton.” Kështu u shpreh burri im, ndërsa meditonim bashkë rreth Krishtlindjes. Kjo tingëllonte edhe e vërtetë, edhe e njohur. Gjoni, dishepulli i Jezusit, shkruajti, “Në këtë është shfaqur dashuria e Perëndisë ndaj nesh, se Perëndia dërgoi Birin e tij të vetëmlindurin në botë që ne të rrojmë nëpërmjet tij. Në këtë është dashuria: jo se ne e kemi dashur Perëndinë, por që ai na ka dashur ne dhe dërgoi Birin e tij për shlyerjen e mëkateve tona.” (1 Gjoni 4:9-10). Ai dashuron. Ai shpëton. Ai erdhi. Ai vdiq. Ai sakrifikoi. Dhe tani ai mbretëron fitimtar.

Në shtëpinë ku jam rritur, këto të vërteta rreth Jezusit, ishin pjesë e jetës sonë. Prindërit e mi na prinin në përgatitje për këtë stinë të mrekullueshme, duke e mbajtur Jezusin në qendër të vëmendjes. I jepnim dhurata njëri-tjetrit në kujtim të dhuratës më të madhe që është dhënë ndonjë herë – Krishtit vetë. Ngrinim dhe zbukuronim një pemë në kujtim të vdekjes së Krishtit në kryq dhe të jetës që marrim kur i hapim zemrën që ta pranojmë atë në jetët tona.

Dritat e pemës, na kujtonin Jezusin si drita e botës, ndërsa babi im zgjidhte lëmshin e fijeve të dritave që kishin qenë në kuti për një vit. Gatimet e veçanta na sillnin në mendje që Jezusi është buka e jetës që na ushqen dhe na fuqizon me kaq ëmbëlsi. Ngjyrat e kuqe dhe jeshile na kujtonin gjakun e Krishtit që u derdh, që ne të mund të kishim jetë dhe të rriteshim.

Tani, shumë vite më vonë, si të rritur dhe me fëmijët tanë, ne vazhdojmë me këto tradita dhe simbole në shtëpinë tonë, duke dëshiruar që fëmijët edhe miqtë që na vizitojnë të dallojnë Jezusin. Çdo zbukurim që vendoset mbi bredhin në qoshen e dhomës së ndenjes, mbart kujtime rreth kuptimit të Krishtlindjes. Një engjëll është varur aty, gati sikur po fluturon para barinjve, duke thënë: “Mos druani, sepse unë po ju lajmëroj një gëzim të madh për të gjithë popullin; sepse sot në qytetin e Davidit lindi për ju një Shpëtimtar, që është Krishti, Zoti. Dhe kjo do t’ju vlejë si shenjë: ju do të gjeni një fëmijë të mbështjellur me pelena, të shtrirë në një grazhd.” (Luka 2:10-12)

Zilet na kujtojnë muzikën plot gëzim dhe lavdërim që del nga zemrat tona, ndërsa përqafojmë këtë lajmë të dashurisë dhe të shpëtimit. Dhe yjet na kujtojnë yllin e madh, që udhëhoqi dijtarët nga lindja tek vendi ku qëndronte shpëtimtari ynë. “Pasi Jezusi lindi në Bethlehem të Judesë në kohën e mbretit Herod, ja që disa dijetarë nga lindja arritën në Jeruzalem, duke thënë: “Ku është mbreti i Judenjve, që ka lindur? Sepse pamë yllin e tij në Lindje dhe erdhëm për ta adhuruar.” (Mateu 2:1-2).

Drita e shpresës në qiellin e errët ndriçon edhe sot, duke na thirrur që ta adhurojmë Mbretin.

Por mbi të gjitha, skena e grazhdit e vendosur tek manteli i oxhakut, e shfaq më qartë realitetin e skenës që festojmë, ngjarjen që ndodhi mbi 2000 vjet më parë. Figurinat qeramike të Jozefit, të Marisë, barinjtë, dijetarët, delet dhe bagëtitë rrethojnë figurinën e foshniës së vogël që fle në një grazhd. Kaq thjeshtë. Nuk duket fare se ky fëmijë i vogël ishte Mbret mbi të gjithë Mbretërit dhe Krijuesi i botës mbarë, se ishte ai që la parajsën dhe e veshi veten në mish.

Për ç’arsye, të gjithë, qëndronin të gjunjëzuar përpara foshnjes në adhurim? Ata e dinin. Ata e dinin në atë Krishtlindje të parë se kush ishte ai: dashuria e mishëruar. Ata e dinin në atë Krishtlindje të parë se çfarë do të bënte ai: do na shpëtonte nga vdekja dhe të na jepte jetë.

Gëzuar Krishtlindjen!

Rreth Autorit
mm

Nikki Nordby Doçi

Nikki Nordby Doçi ka mbajtur pozicione të shumta udhëheqëse dhe ka mentoruar udhëheqës për mbi 25 vjet, si në SHBA dhe në Shqipëri. Pasioni i saj është “të fuqizojë udhëheqësit për ndikim të përjetshëm". Nikki aktualisht punon me Institutin "Jeta e Re", një organizatë ndërkombëtare e krishterë. Së bashku me bashkëshortin e saj Ylli, ata drejtojnë Fondacionin Ndërkombëtar të Udhëheqësisë në Shqipëri dhe janë të përfshirë në mënyrë aktive në kishën e tyre lokale, Kishën “Guri i Themelit” të Shqipërisë. Nikki shërben gjithashtu si anëtar i bordit drejtues të GDQ International Christian School dhe drejton bordin në "Sot për të Ardhmen", një shoqatë jofitimprues i cili ka si fokus fuqizimin e personave të privuar nga të drejtat e njeriut. Nikki mban diplomën në psikologji nga Universiteti i Minesotës në Moorhead.

E mirepresim komentin tuaj...