Babai!

adminDhiata e Vjeter0 Comments

Hiq dorë nga e folura me hile dhe largo prej teje buzët e çoroditura. Sytë e tu le të shohin drejt dhe qepallat e tua të synojnë drejt para teje. Sheshoje shtegun e këmbëve të tua, dhe të gjitha rrugët e tua qofshin të caktuara mirë. Mos u shmang as në të djathtë as në të majtë; tërhiqe këmbën tënde nga e keqja.” Fjalët e Urta 4:24-27

Në fillim, në ato fillimet që mbaj mend, i druhesha babit. Ai, zakonisht, nuk ishte i pranishëm. Në hapësirën e shkurtër të kohës që ishim bashkë, nuk kishte shumë kohë për shkëmbime fjalësh të gjata. Prandaj, kur më thoshte diçka, duhej zbatuar menjëherë.

Më vonë, pak pas fillimeve që mbaj mend, fillova të vë re ca gjëra të tjera rreth tij, që, për të qenë i sinqertë, kishin shumë më tepër domethënie kur isha rritur edhe nuk jetoja nën të njëjtën çati me babin tim.

Mbaj mend, kur na vinin njerëz për vizitë në shtëpi. Edhe babi im kujdesej për ta, sepse mami ishte në punë. Edhe krejt ndryshe, pak si kundër rrymës, babi nuk e kishte për turp të bënte gati gjërat për ta – për të ngrënë, për të pirë, për të bërë muhabet. As nuk ankohej, as nuk shfajësohej, thjesht shërbente e kënaqej me miqtë.

Më vonë u bë e qartë – dhe m’u ngjit në ndërgjegjen time – vlera e tij të fortë për miqësinë e sinqertë e dhe mikpritjes me çfarë të të ndodhet, pa shfajësime e pa hipokrizi!

Mbaj mend, më vonë, kur ndryshimi i sistemit u përkthye për shumë njerëz si leje për të vjedhur, babi im nuk zgjaste dorën për të marrë asgjë që s’i takonte. Unë kam dëgjuar talljet e të tjerëve për ndershmërinë e babait tim.

Më vonë u bë e qartë – dhe m’u ngjit në ndërgjegjen time – vlera e tij e fortë rreth integritetit. Sikur të kishte lexuar fjalët e mençura të Izraelit – “Sytë e tu le të shohin drejt dhe qepallat e tua të synojnë drejt para teje. (Fj. Urta 4:25). Më ka ndihmuar kur herë pas here të tjerët tallen me ndershmërinë time.

Mund t’ia dalësh një jete me integritet edhe kur shumë të tjerë, me rrymën, të vijnë kundër!

Mbaj mend, më vonë, kur disa, u turrën të merrni armë e të qëllonin njëri tjetrin, babi im, nuk më sygjeroi të bashkohem me të tjerët. S’kishim armiq e as nuk donim të bënim armiq. Dhe më ndihmoi të mos bie në dyndjen e pamenduar të turmave.

Më vonë u bë e qartë – dhe m’u ngjit në ndërgjegjen time – vlera e tij e fortë për paqen dhe drejtësinë. Përse të jetosh në armiqësi me njerëzit?

Përse të mos bësh gjënë e duhur gjithmonë e pastaj, si rezultat të mos kesh frikë nga e vërteta?

Mbaj mend, kur, me shumë kujdes, i tregova babit tim, se nuk do të punoja si jurist, por do të përkushtohesha për një punë rreth të treguarit të besimit te Jezusi, që s’kishte shumë kuptim për të. As Jezusi, as puna për të! Gjithashtu, në një mënyrë, po i thoja se, gjithë investimi i tij për shkollimin tim nuk po përdorej. Por, u çlirova kur babi im, më tha se më mirë një punë që shkonte kundër rrymës e traditës së tij, sesa një punë tjetër ku mund të detyrohesha të vë në dyshim integritetin tim.

Dhe atëherë, e kuptova, edhe njëherë se babi im, po më mësonte të sakrifikoj të ardhmen për hir të integritetit. Unë me besim, ai me besim se “më i mirë është i varfëri që ecën në ndershmëri nga njeriu i paqëndrueshëm që ndjek rrugën dredha-dredha, edhe kur është i pasur.” (Fj. e Urta 28:6)

I kam mësuar prej babit disa gjëra. Dhe po përpiqem t’i ngjaj atij. Dhe në gjërat e babit që janë si të Atit, qiellor, po përpiqem t’i ngjaj edhe Atit qiellor.

Rreth Autorit
mm

Afrim Karoshi

Facebook Twitter

Afrimi Karoshi ka mbaruar Fakultetin Juridik në Tiranë, dhe studimet master në Studime Biblike dhe master në Media & Komunikim nga Seminari Teologjik i Dallasit. Eshtë drejtues i Albanian Digital Strategies (ADS). Ka pasion të komunikuarit përmes shkrimit, leximin, dhe i pëlqen bota e re dixhitale. Eshtë i martuar, me tre fëmijë.

E mirepresim komentin tuaj...