Besimi dhe të papriturat e jetës

Admin 2Dhiata e VjeterLeave a Comment

“Ki besim tek Zoti me gjithë zemër dhe mos u mbështet në gjykimin tënd; pranoje në të gjitha rrugët e tua, dhe ai do të drejtojë shtigjet e tua.” Fjalët e Urta 3:5-6

Rreth 12 vjet më parë e gjeta veten në një situatë të papritur. 

Unë doja t’i besoja Zotit për ndodhitë e papritura në jetën time, por nuk isha gati t’ia lija atij kontrollin e jetës. E kam ditur gjithmonë se Zoti është sovran, që nga dita kur i besova atij si Shpëtimtar, por më në fund në një moment zhgënjimi vendosa të parashtroj dëshirën time për kontroll para Tij. 

Djali ynë i vogël Sam sapo kishte fituar një bursë në një kolegj muzikor. Një mëngjes ai kishte nevojë të kthehej tek shkolla e tij e mesme por fatkeqësisht violinçeli i tij nuk ishte i vogël sa duhej për t’u futur në makinën e babait të tij. Më pyetën mua nëse mund të ndërronim makinat përderisa makina ime ishte si furgon. Patjetër, u thashë, kështu që ata u larguan me makinën time. Rreth 30 minuta më vonë unë u drejtova për tek garazhi ku makina e bashkëshortit tim Paul ishte e parkuar. U kujtova që nuk e kisha çelësin. S’kishte çelës në makinë, s’kishte çelës në banakun e kuzhinës, s’gjeta çelës kurrkund në shtëpi. Shpejt thirra në telefon Paulin por pa përgjigje. Provova zyrën, pa përgjigje. Telefonova djalin me shpresën se ai ishte akoma me Paulin por pa përgjigje.

U mërzita. Takimet te puna, një takim me rreth 170 gra që mblidheshin çdo javë, drekë me një grup të vogël, takimi te doktori pasdite – të gjitha do të iknin kot.

Shikova lart nga qielli dhe thashë me zë të lartë: “Mirë Zot, Ti e dije se kjo do të ndodhte megjithatë nuk e parandalove. Çfarë do të bësh tani? 

Ky ishte çasti kur vendosa të ndaloja së besuari në forcën time, krijueshmërinë e spontanitetin tim dhe fillova të besoja plotësisht rrugën që Perëndia kishte për zgjidhjen e problemit tim.

Thjeshtë ndalova dhe prita. 

Krejt papritur Zoti më solli një mendim: “Sikur të pyesja Xhudin?”

Xhudi ishte komshia ime e divorcuar me fëmijët studentë.Ajo jetonte krejt e vetme dhe së fundmi kishte humbur dhe punën. Dera e garazhit të saj qëndronte gjithmonë hapur dhe makina e saj ishte gjithmonë e parkuar. Problemi: po të flisja me të, do më ftonte brenda, dhe pastaj do t’ia fillonte me monologjet e saj të gjata, për të cilat nuk isha e interesuar aspak, sepse rrallë herë, shumë rrallë, mund të merrja radhën për të thënë një fjalë te vetme.

Qëndrimi im ishte shumë i gabuar, egoist dhe mëkatar. Ajo ishte nje grua e mrekullueshme që s’kishte shumë që kishte filluar t’i besonte Jezusit. Dhe ishte vetëm. 

Pashë nga qielli dhe u luta prapë: “Të lutem me jep një zgjidhje tjetër”!

Heshtje. 

“Seriozisht? A s’ke ndonjë zgjidhje tjetër, Zot?”

Jo, nuk kishte plan B.

Isha lutur dhe qartësisht Perëndia më kishte dhënë një përgjigje.

Vendosa të bindem. I rashë ziles. E shpejt e hapi derën dhe menjëherë më ftoi brenda për kafe. I thashë “Do të doja të vija brenda e të pinim një kafe bashkë (gënjeshtër) por erdha sepse kam një kërkesë. I ndërruam makinat me burrin këtë mëngjes dhe tani vura re që nuk i kam çelësat e makinës së tij. Dita ime është plot me takime dhe po mendoja nëse mund të më lejosh të përdor makinën tënde për sot nëse ti s’po e përdor?”

Pa as me më të voglin hezitim ajo qeshi, mori çelësat dhe mi dha. 

-Faleminderit shumë, – i thashë, – të premtoj se kur të vij do ta pimë një kafe bashkë.

Rreth orës katër pasdite isha në kuzhinën e saj duke pirë kafe dhe duke dëgjuar hallet e saj. Dikur ra fjala për apartamentet ku kishte jetuar. Dhe m’u kujtua një pyetje: A ke dëgjuar për ndonjë apartament të lirë?

Një çift kolegësh nga Zelanda e Re po transferoheshin në qytetin tonë dhe kishin nevojë urgjente për një apartament. 

– Zakonisht nuk ka apartamente të lira, por ia vlen të pyesësh! – më tha ajo. 

Qesha. Vazhduam bisedën. Pastaj e pyeta: “A mund ta marr prapë makinën tënde dhe të vete të pyes një herë te zyra e tyre nëse kanë ndonjë apartament për ta dhënë me qera?” 

Më dha makinën prapë. Shpejt e gjeta veten në zyrën e qerave. Iu tregova interesin tim dhe situatën me miqtë tanë. Për çudinë time, zotëria u përgjigj: “Ke ardhur fiks në momentin e duhur. Zakonisht kemi një listë pritjeje, por sot është liruar një apartament dhe duket tamam i përshtatshëm për miqtë e tu.”

“Si mund ta rezervoj?” – pyeta.

“Duhet të lesh kapar 50$”, – u përgjigj zotëria.

Në portofol kisha vetëm 50$!

Duke biseduar me komshien, kisha gjetur një zgjidhje për miqtë nga Zelanda e Re.

Nga përvoja e asaj dite, përpiqem të ndaloj përpara se të reagoj keq nga të papriturat që më sjell Zoti. Tani them: “Zot, ti e dije që do të ndodhte kështu dhe nuk e ndalove. Çfarë planesh ke tani?” 

Pastaj pres me besim. 

“Ki besim tek Zoti me gjithë zemër dhe mos u mbështet në gjykimin tënd; pranoje në të gjitha rrugët e tua, dhe ai do të drejtojë shtigjet e tua.” Fjalët e Urta 3:5-6

Rreth Autorit
mm

Sue Johnson

Susan (Sue) Johnson u lind dhe u rrit ne Massachusetts. U diplomua per Psikologji në Kolegjin Munt Holyoke. Është e martuar me Paul dhe kanë punuar së bashku në biznesin e tyre familjar, Johnson’s Bookstore. Kanë katër fëmijë të rritur, të cilët jetojnë në Amerikë. Sue kishte dëgjuar për Ungjillin që kur ishte 16 vjeç, por nuk kishte hedhur hapa besimi për shumë vite. Pasi ishte martuar, kishin rast të dëgjojnë për Ungjillin në një takim me biznesmenë të organizuar nga IJR Ndërkombëtare (CRU). Që pas atij takimi u përkushtuan të dy së bashku për të shërbyer Zotit. Disa vite më vonë, vendosën t'i bashkohen IJR-së. Kanë shërbyer në Amerikë, në Poloni, dhe prej 2017 kanë lëvizur në Tiranë për të shërbyer me degën e IJR-së që punon me biznesmenët.

E mirepresim komentin tuaj...