Të zgjedhësh mes botës dhe shpirtit…

adminDhiata e ReLeave a Comment

“Ç’dobi do të ketë njeriu të fitojë gjithë botën, nëse më pas do të humbë shpirtin e vet? Ose çfarë mund të japë njeriu në shkëmbim të shpirtit të vet? Marku 8:36-37

Firence është një qytet i vogël në krahasim me qytetet e tjera të Europës. Por shumë i rëndësishëm për historinë e artit dhe qytetërimit të kontinentit të vjetër.

Kam patur privilegjin të shijoj këtë qytet – kulturën, miqësinë, ushqimin, humorin fiorentin. Kam përjetuar mahnitjen e pikturave, skulpturave, kishat e mëdha antike.

Më ka bërë përshtypje një detaj i veçantë i këtij qyteti. Lorenzo “I Mrekullueshmi”, pjesë e familjes së famshme Mediçi, ka pasur ndikim në historinë e Firences.

Lorenco në një familje të pasur e me pushtet. U shkollua në vendet më të mira të mundshme të kohës. U bë udhëheqës i qytetit. Ishte njohës i mirë i artit dhe filozofisë. Hapi shkollën e parë të artit në Firence. Përkrahu artistë të mëdhenj si Botiçeli dhe Mikelanxhelo. Ai fitoi simpatinë e popullit, e për rrjedhojë, mori titullin “I mrekullueshmi”.

Ai i solli bukurinë artistike qytetit. Por në të njëjtën kohë, prapa bukurisë, zbulohet edhe një zemër rebeluese ndaj Perëndisë. Ai e mbushi qytetin me statuja të njeriut, për të theksuar idenë e humanizmit, se njeriu është qendra e universit, dhe jo Zoti. Gjithashtu, imoraliteti ishte pjesë e dëfrimeve të tij e të të popullit të tij.
Ai është një figurë e rrallë përsa i përket arritjeve në këtë botë. Kishte gjithçka të kësaj jete. Por, megjithë suksesin, ka një pjesë tjetër të historisë, që është e dhimbshme. Në moshë të re, u përball me vdekjen për shkak të një sëmundjeje. Ai e kuptoi se as pushteti, as fama, as dashuria e njerëzve, dhe as njeriu humanist i ngritur në statuja anekënd qytetit, nuk siguronte dot për nevojën e thellë të shpirtit të tij. Në përballje me vdekjen, po kërkonte përsëri Perëndinë, nga i cili kishte dashur të çlirohej.

Historia thotë që fundi i jetës së tij ishte i hidhur. Vdiq i dëshpëruar dhe në pasiguri.
Më ka tërhequr vëmendjen historia e tij. Ne mendojmë që nëse i kemi të gjitha, do të jemi të lumtur kur të përballemi me fundin e jetës sonë. Por jeta e Lorencos na tregon, se në fundin e jetës, asnjë nga arritjet tona nuk ka rëndësi. Madje në ato çaste as nuk mendojmë dot për to.

Shpirti ynë nuk paqtohet me asgjë të kësaj bote por paqtohet vetëm kur rigjen krijuesin. Atëherë gjejmë paqe dhe siguri për përjetësinë.

Fundi i hidhur i Lorencos, më kujton thirrjen e Jezusit, për të gjithë ne: “Ç’dobi do të ketë njeriu të fitojë gjithë botën, nëse më pas do të humbë shpirtin e vet? Ose çfarë mund të japë njeriu në shkëmbim të shpirtit të vet? (Marku 8:36-37)

Ku po e investojmë jetën tonë tani? Çfarë po fitojmë përmes mënyrës së të jetuarit tonë, botën dhe të mirat e saj, apo shpirtin tonë?

(foto bashkangjitur këtij inkurajimi: Portret i Lorencos, pas vdekjes, nga piktori Giorgio Vasari)

Rreth Autorit
mm

Erleta Toka

Erleta ka mbaruar studimet për degën Biologji-Kimi. Punon me Institutin Jeta e Re që prej vitit 2009. Gjatë këtyre viteve ka punuar me studentët në Shkodër, Firence (Itali) dhe Tiranë. I pëlqen të udhëtojë dhe të shohë vende të reja, bashkë me bashkëshortin.

 

E mirepresim komentin tuaj...