Çfarë di errësira?

adminDhiata e Re, Krishtlindja 20180 Comments

“Dhe ti, foshnjë, do të quhesh profet i më të Lartit, sepse do të ecësh përpara Zotit për të përgatitur udhët e tij, për t’i dhënë popullit të tij njohjen e shpëtimit me anë të faljes së mëkateve, falë zemër së mëshirshme të Perëndisë tonë, me të cilën do të na vijë së larti agimi, që shndrit mbi ata që rrinë errësirë e në hijen e vdekjes dhe për të drejtuar hapat tanë në udhën e paqes.” Luka 1:76-79

Është vështirë t’ia dish mendimet errësirës.

Kur isha i vogël, imazhi për errësirën më ishte ushqyer, si një tip mburoje nga të rriturit, që të mos merrja guximin të shkoj atje ku s’duhej shkuar.

Mos dil natën nga shtëpia se të ha qeni!

Natën dalin fantazma e shpirtra!

Fli gjumë se është natë!

Mos bërtit se është natë!

Por duket e vështirë t’ia dish mendimet natës! Çfarë di errësira?

Kur do të dalësh nga metafora, edhe të hedhësh një sy te bota ku jetojmë, e ku kanë jetuar shumë përpara nesh njësoj si ne, errësira, nuk është thjesht një bojë e zezë e hedhur mbi pamjen që na shikojnë sytë.

Në botën e jetës së ditë pas ditshme, errësira është zaptuesit i mendjeve dhe i zemrave të njerëzve. Sa urrejtje dallohet në ne, sa inat, sa tërbim, sa hidhërim, sa gjakprishje, sa mendje për prapësira, sa konflikte, sa bërtitje me zë të lartë për ata që janë më të vegjël e s’na binden, për ata që janë më të mëdhenj e s’na dëgjojnë, sa vjedhje, sa grykësi, sa poshtërsi, sa mashtrim – të gjitha këto e më shumë, që na e marrin mendjen e zemrën, këto i di mirë errësira!

Errësira e di të zezën shumë mirë! Errësira nuk ia del të ndriçojë botën e vogël jashtë nesh, e as të ndezë qoftë dhe një shkëndijë drite në botën e madhe brenda nesh!

Zakaria, i ati i Gjon Pagëzorit, profetit të njohur të Izraelit që i parapriu ardhjes së Jezusit, e dinte shumë mirë paaftësinë e errësirës për t’ia dalë vetë me forcat e veta të bëhej dritë.

Zakaria tha se drita, agimi, do të vijë prej së larti, si një dhuratë nga zemra e mëshirshme e Perëndisë… dhe do të ndriçojë mbi ata që rrinë në errësirë e në hijen e vdekjes. (Luka 1:78-79)

Errësira e di që njerëzit që rrinë nën hijen e saj nuk do të dallojnë dritë, pa një dhurues drite, pa një zemër të gëzuar që sjell dritë në mes të kësaj e asaj bote të errët.

Shumë prej nesh, dështojmë në të dalluarit e së vërtetës se, errësira di si ti mbajë njerëzit rob nën pushtetin e saj. Megjithëse qyteti zbukurohet për të përkujtuar ardhjen e Krishtit, si një dritë për errësirën, prapë, shumë njerëz do të jenë duke urryer, bërtitur, duke derdhur hidhërim mbi këdo, duke krijuar konflikte e sajuar zënka, duke folur pas krahëve, e duke u zhytur në grykësi, duke marrë çdo gjë për vete e për lavdi të vetes – e do të jenë duke i bërë të gjitha këto, nën dritat e bukura të pemëve, e me tavolinat që teprojnë nga bollëku.

Errësira do të mundet vetëm me një lloj drite, me dritën që vjen nga lart. Derisa njerëzit të dallojnë dritën, e të dallojnë pas dritës një zemër Perëndie të hirshëm e të dhembshur, derisa të dallojnë Jezusin, fëmijën e vogël që është dritë për kombet, deri atëherë, nuk do të duan të dalin nga errësira.

Nata nuk është mburojë për të na ruajtur. Sepse errësira nuk di të shpëtojë, di vetëm errësirë! Dhe vdekje!

Le të tregojmë zemrën e dhembshur të Perëndisë gjatë këtij muaji. Duke pasqyruar këtë dritë, ndoshta dikush do të shikojë e do të largohet nga hija e vdekjes për të jetuar në dritën e një Perëndie të dashur!

Gëzuar Krishtlindjen!

Photo Credit: Jaron Johns

Rreth Autorit
mm

Afrim Karoshi

Facebook Twitter

Afrimi Karoshi ka mbaruar Fakultetin Juridik në Tiranë, dhe studimet master në Studime Biblike dhe master në Media & Komunikim nga Seminari Teologjik i Dallasit. Eshtë drejtues i Albanian Digital Strategies (ADS). Ka pasion të komunikuarit përmes shkrimit, leximin, dhe i pëlqen bota e re dixhitale. Eshtë i martuar, me tre fëmijë.

E mirepresim komentin tuaj...