Çfarë mendon Zoti për gratë?

adminDhiata e Vjeter0 Comments

“Zoti krijoi njeriun sipas imazhit të tij, nën imazhin e tij ai i krijoi ata, mashkull dhe femër i krijoi ai” Zanafilla 1:26-27

Ndaluam makinën. Do të blinim bukë në dyqanin anash rrugës. Në trotuar qëndronte një grua kokëulur. Ishte rreth të 30-tave. Sytë i dukeshin të enjtur dhe të skuqur nga lotët. Mendimi i parë ishte që ajo ishte një grua e dhunuar që po ia mbathte pa ditur se ku. Fatkeqësisht nuk isha gabuar. Vija e hollë e kuqe e gjakut në krahun e saj nuk linte vend për tjetër dyshim.

Iu afrova dhe pyeta nëse kishte nevojë për diçka. Nuk foli. Me shumë frikë se mos e lëndoja i ofrova ca lekë për biletën e makinës. U nisëm sërish për rrugë, por pa kaluar as 2-3 kilometra u kthyem. Ajo nuk kishte nevojë për lekë; kishte nevojë për mbrojtje. Dhunuesi i saj mund të ishte shumë pranë. Ne nuk mund ta linin në rrugë. Kështu u kthyem pas dhe i ofruam që ta shoqërojmë me makinë deri në fshatin e prindërve. Pranoi pa fjalë, por gjatë udhëtimit prej 30 minutash na tregoi një pjesë të vogël të tragjedisë së saj. Sherret, ofendimet, xhelozinë, përçmimin, dhunën fizike dhe psikologjike. Thika që i ishte gjuajtur pak orë më parë, dhe për fat të mirë i kishte zënë vetëm krahun, i kishte dhënë fund durimit të saj. Udhëtimet e shpeshta në rajonin e Policisë nuk kishin dhënë rezultat. Nuk kishte vend për shumë fjalë. I thashë që isha e sigurtë që ajo nuk duhet të qëndronte nën dhunë. Zoti e do jetën e saj. Pasi u lutëm, me shumë dhimbje por edhe shpresë, e lamë në duart e Zotit dhe të prindërve.

Fatkeqësisht në Shqipëri dëgjojmë shpesh histori të tilla. Po ku është Zoti në gjithë këtë dhimbje? Shpesh ka paragjykime se Zoti i Biblës vlerëson burrat më shumë se gratë, se Ai, iu ka dhënë legjitimitetin burrave të sundojnë mbi gratë. Kështu ka folur Zoti?

Në librin e parë të Biblës, Zanafilla, Zoti e krijoi gruan dhe burrin sipas imazhit të Tij. Ndryshe nga të gjithë krijesat e tjera, vetëm njeriu u krijua në shëmbëlltyrën e krijuesit. Për shkak të kësaj ngjashmërie vetëm njeriu ka kapacitetin dhe privilegjin të komunikojë me Perendinë.

“Zoti krijoi njeriun sipas imazhit të tij, nën imazhin e tij ai i krijoi ata, mashkull dhe femër i krijoi ai” (Zanafilla 1:26-27).

Në këtë narrativë të krijimit të dy qënieve të para njerëzore nuk dallojmë konkurrencë, xhelozi apo superioritet të njërës gjini. Adami është i dashuruar kokë e këmbë me Evën. Ai shprehet “Ajo është kocka e kockave të mia dhe mishi i mishit tim” (Zanafilla 2:23a). Lumturia e tyre me njëri tjetrin mbështetej në miqësinë që ata kishin me Zotin. Zoti i vizitonte çdo ditë në kopësht, në flladin e ditës. Por fatkeqësisht kjo harmoni dhe paqe mes dy gjinive nuk zgjati përtej tyre në brezat e ardhshëm. Ata, të dy bashkë, zgjodhën të mos i bindeshin të vetmit kufizim që Perëndia u kishte dhënë, të mos hanin nga një pemë e caktuar. Më këtë rebelim ata dëshmuan se nuk donin që Perëndia të ishte Zoti i tyre, por donin të ishin Zoti i vetes. Ky qe shkatërrimi i tyre dhe i yni. Pas kësaj shohim se në racën njerëzore hyri urrejtja, fajësimi i tjetrit, vëllavrasja, ligësia, intrigat, dhuna, dhe monstruoziteti. E gjithë pjesa tjetër e librit të Zanafillës dhe e historisë njerëzore dëshmon këtë.

Zoti i ka krijuar gratë sipas imazhit të tij. Ato kanë shumë vlerë në sytë e tij. Zoti i do gratë. Ai i ka krijuar ato me dhunti, forcë dhe bukuri. Ai i ka bërë gratë burim të jetës në ngjashmëri me të. Por rebelimi ndaj Zotit dhe prishja e harmonisë me të shkatërroi gjithçka. Fatmirësisht historia nuk mbaron këtu, as për burrat dhe as për gratë.

Rreth 2000 vjet më parë, Zoti i plotëfuqishëm u mishërua, mori trup njerëzor që të paguante dënimin që ra mbi racën njerëzore. Gjatë atyre pak viteve që Zoti jetoi në tokë si njeri u dha shumë respekt dhe vlerë grave. Më së pari, ndërsa mund të kishte zgjedhur çdo lloj mrekullie për t’u mishëruar, ai zgjodhi të lindte nëpërmjet një gruaje. Maria ishte dëshmitarja e parë e hyjnisë së tij.

Gjithashtu, gjatë shërbesës publike të Jezusit në tokë e ndiqnin shumë dishepuj, ndër to edhe disa gra. Kjo ishte shumë e rrallë për kulturën greko-romake të shekullit të parë, për të mos thënë e pazakontë. Maria e Betanisë ishte një nga ato ndjekëse që kishte shumë interes për ato që thoshte Jezusi. Një herë ajo shkoi dhe u ul te këmbët e Jezusit në dhomën e burrave. Te gjithë e panë me përçmin, madje edhe motra e saj, Marta. Por Jezusi doli në anën e saj dhe tha: “ajo ka zgjedhur pjesën më të mirë” (Luka 10:42).

Për shkak të respektit dhe dinjitetit që Jezusi u jepte grave, atij i ngjiten dhe nofkën: “ai që ha me mëkatarë dhe me gra të përdala”. Jezusi sërish del në krah te Marisë kur ajo po shpenzonte një parfum shumë të çmuar për ta përgatitur trupin e tij për varrim. Të gjithë të pranishmit thanë se ishte një shpenzim i kotë i një gruaje mendjelehtë. Përkundrazi, për Jezusin ajo kishte bërë diçka që kishte shumë vlerë. Thua të ishte e vetmja që e kishte kuptuar se Jezusi kishte ardhur për të vdekur si sakrificë për mëkatet tona?

Një tjetër Mari (Magdalena) ishte një grua që Jezusi e vlerësoi aq të denjë sa të ishte dëshmitarja e parë e ringjalljes së tij. Pasi ajo takoi Jezusin e ringjallur, sipas porosisë së Jezusit ajo shkoi tek dishepujt e tjerë dhe u tha: “Unë kam parë Zotin!” Zoti zgjodhi tre gra, tre Mari, që të dëshmonin për hyjninë e tij, në tre momentet më kyç e të jetës së tij në tokë. Ato ishin dëshmimtare lindjes, kryqëzimit dhe ringjalljes. Mënyra sesi Jezusi e respektoi femrën ishte ishte revolucionare dhe e paprecedentë për shekullin e parë.

Jezusi jo vetëm që vdiq në kryq, por ai edhe u ringjall dhe u ngjit në qiell dhe është ulur në të djathtë të Atit. Ai inaguroi krijimin e ri dhe do të kthehet sërish për të vënë në zotërim të mbretërisë së tij çdo realitet dhe pushtet. Ai do të kthehet për të banuar përjetësisht me ata që e duan dhe e besojnë, në tokë të re dhe qiej të ri (Zbulesa 21, 22). Ai do të bëjë çdo gjë të re dhe do të fshijë cdo lot, dhimbje dhe padrejtësi. Kjo është shpresa që ofron Krishtërimi për të gjithë burrat dhe gratë që i zënë besë Jesusit, pa dallim gjinor.

Në dritën e të vërtetave të mësipërme – që gratë janë krijuar nën imazhin e Perëndisë, që Krishti i afirmoi vlerën e tyre duke i bërë dëshmitare kyçe  të shërbesës së tij në tokë, dhe të shpresës që kemi se një ditë Perëndia do të restaurojë krijimin e tij – le të bëjmë çdo gjë që është në fuqinë tonë për ti mbrojtur, dashur dhe respektuar gratë! Askush nuk duhet të jetë indiferent për dhunën dhe padrejtësitë ndaj tyre, dhe aq më pak ne, ndjekësit e Jezusit.

Rreth Autorit
mm

Danjela Serjani

Danjela Serjani, ka studiuar Shkenca Politike në Universitetin e Tiranës dhe gjithashtu ka kryer programin Master në Studime Biblike dhe Teologjike në Seminarin e Denverit, SHBA. Ka pasion të gatuajë për miqtë dhe t'i bëjë ata të lumtur. I pëlqen të diskutojë për politikën, filozofinë dhe teologjinë! Punon me stafin e IJR-së. Eshtë e martuar me Kaonin dhe është mama e dy djemve.

E mirepresim komentin tuaj...