A ka dashuri pas 14 Shkurtit?

adminDhiata e ReLeave a Comment

Dhe ne njohëm dhe besuam dashurinë që Perëndia ka për ne. Perëndia është dashuri; dhe ai që qëndron në dashuri qëndron në Perëndinë dhe Perëndia në të. Në këtë dashuria u përsos në ne (që të kemi guxim në ditën e gjyqit): sepse sikurse është ai, po kështu jemi edhe ne në këtë botë. Në dashuri nuk ka frikë, madje dashuria e përsosur e nxjerr jashtë frikën, sepse frika ka të bëjë me ndëshkimin, dhe ai që ka frikë nuk është i përsosur në dashuri. Ne e duam atë, sepse ai na deshi i pari. I Gjonit 4:16-19

– Sa vjeç je?

– 35.

– A je e martuar?

– Jo nuk jam!

– E fejuar?

– Jo, jo as e fejuar.

– Po shok, a ke?

– Oh… po… po… shokë kam plot.

– Epo qenke rehatuar si shumë. Koha ikën, vitet ikin.

– Po, rehat jam, lavdi Zotit! Jam mirë nuk qahem!

Vajza beqare po i përgjigjej gruas nga Kosova, ndërsa prisnin radhën e vizitës te doktori. Dhe nuk ishte as biseda e parë e as e fundit për të.

Shpesh, të martuarit ëndërrojnë të ktheheshin prapë në beqari, e beqarët ëndërrojnë të martohen. Pakënaqësia duket si sëmundje e zakonshme. Meqë martesa dhe fëmijët kërkojnë përkushtim, sikur të isha beqar do ta shijoja jetën më mirë… Si nuk ia dija vlerën beqarisë?! Dhe për të pamartuarit, ideja se martesa të bën të lumtur, vjen në mendje, sidomos pas bisedave të kësaj natyre, në ditën e Shën Valentinit.

E megjithatë, vetëm nëj gjë është e sigurt: pavarësisht nëse është Dita e Shën Valentinit a dita e Shën Faustit (siç thonë disa për ditën e beqarisë!)… pavarësisht nga këto ngjarje, ne të gjithë jemi krijuar nga një Perëndi i dashur. Një Perëndi, që është vetë dashuria. Statusi ynë në marrëdhëniet nuk e ndryshon këtë të vërtetë.

Nëse jemi në një marrëdhënie me Perëndinë, s’do të përjetojmë dashuri më të madhe e më të përsosur sesa kjo që kemi provuar tashmë. Ne jemi dashur me një intensitet të tillë nga Perëndia i sakrificës, sa çdo marrëdhënie tjetër nuk krahasohet me të.

Zoti, Perëndia i universit, të do ty! Ti je zgjedhur prej Tij, emri yt është i gdhendur në pëllëmbën e Tij të djathtë. Ti je për Të si bebja e syrit. Ai të do me një dashuri sakrifikuese, aq sa të japë gjakun e Birit të Tij për ty, që të të adoptojë në familjen e tij, e të të quajë Bir/Bijë.

Gjestet e dashurisë që vura re në 14 Shkurt ishin të këndshme. Të gëzohet zemra kur shikon shprehje të dashurisë. Edhe u shtoftë raca e atyre që duan! Por, gjithashtu le të kujtojmë se dashuria është në thelb sakrificë. Nëse e kemi përjetuar dashurinë e Perëndisë dhe sakrificën e tij ndaj nesh, atëherë do të jemi në gjendje të duam më mirë. Të duam më mirë të afërmit, mikun, të fejuarin, bashkëshorten/bashkëshortin.

A je beqar/e si unë? Je urdhëruar të duash çdo ditë të jetës tënde. A je i/e dashuruar? Je urdhëruar të duash çdo ditë të jetës tënde. A je i/e martuar? Je urdhëruar të duash çdo ditë të jetës tënde. Ti je dashur nga Perëndia. Dhe je urdhëruar të duash të tjerët.

Ne e duam atë, sepse ai na deshi i pari. (I Gjonit 4:19)

Dhe duhet të duam, siç na do Ai çdo ditë, jo vetëm ditën e Shën Valentinit!

Rreth Autorit
mm

Mira Mjeshtri

Mira është nga Burreli. Ka mbaruar studimet për Gjuhë-Letërsi në qytetin e Shkodrës. Ka punuar për disa vite me studentët e këtij universiteti dhe më vonë ka punuar me të rinjte në Universitetin e Tiranës. Mirës i pëlqen rinia! Leximi dhe të shkruarit jane ndër pasionet e saj që kur ishte fëmijë. Aktualisht punon në fushën e ndikimit të rinisë përmes strategjive dixhitale.

E mirepresim komentin tuaj...