Një vesh për të dëgjuar…

adminDhiata e Re0 Comments

“Prandaj, vëllezërit e mi shumë të dashur, çdo njeri të jetë i shpejtë në të dëgjuar, i ngadalshëm në të folur dhe i ngadalshëm në zemërim” ‭‭Letra e Jakobi‬t ‭1:19‬ 

“Faleminderit që më dëgjove. U ndjeva shumë mirë me ty. Sot nuk ka shumë njerëz që e bëjnë këtë.”
Ishin këto fjalë, të një gruaje që sapo kam filluar ta njoh, madje ky ishte takimi ynë i dytë. Më tregoi një histori të dhimbshme nga jeta e saj, që më shumë i ngjasonte një filmi plot mistere e skena jo të këndshme.

Unë, ndërsa shikoja lotët e saj që i rridhnin në faqe, u trishtova pa masë, u ndjeva e pafuqishme për ta ndihmuar, madje nuk i gjeja dot fjalët për ta ngushëlluar. E preka lehtë në shpatull, dhe nuk munda të fsheh lotët që mbushën papritur sytë e mi.

Sa doja të kisha fuqi ta ndihmoja, të gjeja një zgjidhje për gjithë problemet e saj, t’i jepja këshillën më të mençur në botë, por jo, asgjë nga këto nuk ndodhën e megjithatë në fund, ajo më falenderoi….

Ka shumë njerëz sot që ndihen vetëm edhe pse të gjithë janë pjesë e një shoqërie, edhe pse të gjithë janë pjesë e një familjeje. Ndihen sikur nuk ka kush i dëgjon. Ka shumë sy kureshtarë rreth e rrotull që janë gati të dinë se çfarë po ndodh me jetën tënde e madje edhe gati për të të “këshilluar” e për të të treguar ” psenë” e gjithë gjërave. Ne shpesh herë, me dashje ose pa dashje, kemi gjykuar dikë sepse nuk kemi arritur ta dëgjojmë deri ne fund apo nuk e kemi vënë veten në këpucët e tjetrit.
Më vjen ndërmend një shprehje:

Njerëz që flasin ka shumë por dëgjues të mirë zor se gjen.

Dikur kam menduar që dëgjimi është një dhunti, madje ia mbusha mendjen vetes që nuk e kam atë dhunti. Por e di çfarë? Me kalimin e viteve, mësova që është një aftësi që e fitojmë duke e praktikuar.
Dhe mënyra më e mirë për të mësuar sesi të jemi dëgjues të mirë, është të studiojmë jetën e Jezusit.

Përgjatë ungjijve shikojmë sesi ai mori gjithmonë kohë mënjanë për njerëzit, për ti dëgjuar, për të folur personalisht me ta e për të plotësuar nevojat e tyre. Jezusi na motivon të jemi dëgjues të mirë. Kur Bartimeu i verbër e lypsar, dëgjoi se po kalonte Jezusi, filloi të bërtasë, e ti thërriste atij për ndihmë. Jezusi qëndroi, e thirri pranë vetes, dhe foli me të duke e pyetur se çfarë kërkonte. Jezusi e dinte fare mirë se për çfarë mund të kishte nevoje një i verbër dhe mund ta imagjinoj që ai vetëm mund të fliste nga larg dhe Bartimeu do të shërohej. Por Jezusi zgjodhi të bisedojë me të, ta dëgjojë problemin e tij dhe ta ndihmojë atë.
Ne kemi nevojë të mbajmë sytë dhe veshët tanë hapur për njerëzit që Zoti sjell në jetën tonë, të cilët kanë nevojë për një fjalë inkurajimi, një sup ku të qajnë apo thjesht veshë për ti dëgjuar.
Një shoku ynë para disa ditësh, po fliste për kujdesin që duhet të tregojmë ndaj njëri-tjetrit dhe na bëri një pyetje: A po kujdesemi për njerëzit? Kush po kujdeset për ty?
Le ti kërkojmë Zotit të na japë një vesh për të dëgjuar dhe një fjalë që inkurajon.
“Zot na bëj ne njerëz që duam të dëgjojmë”!

Rreth Autorit
mm

Djana Shani

Djana Shani ka mbaruar studimet në Universitetin e Tiranës, fakulteti Ekonomik, dega Financë në vitin 1999. Së bashku me bashkëshortin e saj, jane folës të liçensuar të lëvizjes Jetefamiljare, një lëvizje ndërkombëtare të cilën e kanë koordinuar për Shqipërinë që prej vitit 2008. Gjatë kësaj kohe, kanë ndihmuar shumë çifte, përmes këshillimit paramartesor, martesor dhe në fushën e kujdesit prindëror. Gjithashtu janë folës të rregullt në aktivitete rreth martesës. Djana është ftuar shpesh në kanale të ndryshme televizive për të nxjerrë në pah vlerat e martesës, në kuadër të Javës së Martesës, një lëvizje që sapo festoi 5 vjetorin në Shqipëri, dhe ku Djana ka kontribuar që nga fillimet si pjesë e grupit të punës. Është e martuar prej 15 vitesh dhe ka një djalë.

E mirepresim komentin tuaj...