Dhënia është mirënjohje

adminDhiata e Re0 Comments

“Jezusi, pra, gjashtë ditë përpara Pashkës, erdhi në Betani, ku banonte Llazari, ai që kishte vdekur dhe Jezusi e kishte ringjallur prej së vdekurish. Dhe aty i shtruan një darkë: Marta shërbente dhe Llazari ishte një nga ata që rrinin në tryezë me të. Atëherë Maria mori një liber vaj erëkëndshëm prej nardi të pastër shumë të kushtueshëm, vajosi me të këmbët e Jezusit dhe i fshiu këmbët e tij me flokët e saj; dhe shtëpia u mbush me erën e këtij vaji.” Ungjilli i Gjonit 12:1-3

Çfarë mund të bësh për atë që ka bërë gjithçka për ty? Çfarë mund të japësh për atë që ka ringjallur vëllanë tënd nga të vdekurit? Apo për atë që të ka shpëtuar ty? Si mund të ia shpërblesh Atij? Jezusi erdhi përsëri në Betani në shtëpinë e Llazarit dhe të dy motrave të tij.

Gjoni na kujton se Llazari ishte ai që kishte vdekur dhe Jezusi e kishte ringjallur. Si ndiheshin motrat e tij?

Për darkë kishte ardhur Ai që iu ktheu në jetë vëllanë e tyre. Patjetër që do shtronin një darkë të mirë dhe për këtë do kujdesej Marta. Ndërsa ajo çonte ushqimin në sofër, çfarë gëzimi kishte të shikonte Jezusin aty dhe përkrah tij të vëllanë që kishte qëndruar katër ditë në varr.

Por, Maria nuk ka vetëm gëzim! Ajo do të bëjë diçka për Jezusin, dëshiron të shprehë mirënjohjen. Po çfarë mund t’i japë ajo Jezusit si mirënjohje? Çfarë nuk ka Ai që ajo mund t’ia japë?

Ajo mori një libër vaj erëkëndshme prej nardi të pastër dhe shumë të kushtueshëm dhe vajosi me të këmbët e Jezusit e ia fshiu me flokët e saj.

Vaji kushtonte shumë. Ajo nuk e shiti vajin për të fituar para për vete, as për t’i dhënë para Jezusit. Ishin gjithë kursimet e jetës.

Ndoshta mund t’i kishin ruajtur për dasmën e Llazarit ose për dasmën saj. Por ajo e derdhi, e derdhi te këmbët e Jezusit dhe ia fshiu me flokët e saj. Shtëpia u mbush me erën e këtij vaji ashtu siç ishte zemra mirënjohëse e Marisë. Jezusi u kishte shpëtuar vëllanë. Dhe ajo nuk mund ta mbante pasurinë më të madhe të tyren, veç ta “derdhte” për të larë këmbët e Shpëtimtarit.

Jezusi u ndal në këtë shtëpi gjashtë dite para se të shkonte në Kryq për të dhënë jetën e Tij për ta. Ndaj Jezusi e lejoi këtë veprim, si një pararendje e sakrificës që do të bënte duke vdekur për Llazarin, për Martën, për Marinë… edhe për ne.

Vetëm nëse je mirënjohës mund të japësh për Zotin dhe jo pak, po mund të japësh gjithçka.

Por, a kam unë diçka për t’i dhënë Jezusit? A mund të jap kohë për të? A mund të jap pak nga të ardhurat që Ai më ka dhënë për shërbesën e Tij? A mund të jap dhuntitë e mia për të?

Ai s’kërkon asgjë. Ai nuk ka nevojë për asgjë. Ai vetëm dëshiron të shikojë aromën e mirë të mirënjohjes tënde dhe shprehjen e besimit në të si Siguruesi yt, si Shpëtimtari yt, si Zoti Yt.

Mirënjohja jote tregon se kush është Ai për ty.

Rreth Autorit
mm

Fabjon Ivanaj

Fabjon Ivanaj është nga Lezha. Ka mbaruar studimet për Drejtësi në Universitetin e Shkodrës. Ai ka shërbyer mes studentëve në Prishtinë dhe Shkodër. Prej disa vitesh shërben në Tiranë me ish-Studentë, Profesionistë dhe Mësues përmes Lëvizjes Sotmëria. Prej vitit 2012 drejton një kishe të vogël në Tiranë dhe e ka shumë pasion të predikojë Fjalën e Zotit. Ai është i martuar me Almën dhe kanë katër fëmijë. I pëlqejnë sportet dhe peshkimi.

E mirepresim komentin tuaj...