Dhuratat që vijnë prej së larti…

adminDhiata e Re0 Comments

“…çdo gjë e mirë që na jepet dhe çdo dhuratë e përsosur vjen prej së larti dhe zbret nga Ati i dritave, pranë së cilit nuk ka ndërrim dhe as hije ndryshimi.” Jakobi 1:17

Nuk ishim të përgatitur për lindjen e djalit 10 ditë përpara vaktit. Në 30 minutat që pasuan lajmin e parë, bëmë gati çantën, lamë porositë e fundit djalit që kishim në shtëpi, dhe shoqes që sapo na kishte ardhur për vizitë, dhe u nisëm.

Lashë gruan te dera e spitalit dhe vazhdova me makinë edhe pak metra për te parkimi i caktuar për pacientët. Parkimi ishte me orar. Ishte mbyllur në darkë.

Kushdo që nget një makinë në Tiranë, më kupton kur them që nganjëherë, të gjesh vend parkimi shpejt në lagjet e Tiranës, i ngjan dhimbjeve të lindjes. Ose aty afër!!!

Kur fillova të kërkoj rreth spitalit për të gjetur vend parkimi dhe nuk dukej aq e lehtë, u tensionova. Dhe fillova të bëj vetes të gjitha pyetjet e vështira, që të mpijnë krahët e të paralizojnë këmbët… Si do të shkojë operacioni? A do të jetë e lehtë për gruan? Po sikur të ndodhë ndonjë gjë që s’duhet? A do të jetë mirë djali?

Dhe pastaj, m’u aty në mes të rrugës, megjithëse në një ditë gati 40-gradëshe fund-qershori, pa asnjë pikë shi për ditë të tëra, më shfaqet përpara një ylber (Fotoja bashkangjitur).

ylberi1

Ylberi ne Tirane, 28 Qershor 2016. Foto: A. Karoshi

Kam disa histori me ylberin… Kur Zoti ka siguruar dhurata të mëdha për familjen tonë, pothuajse gjithmonë na shfaqet një ylber… si për të na rikujtuar se Perëndia jo vetëm na jep dhurata, por edhe shenja në qiell që të mos harrojmë dhuratat…

Jakobi, ndërsa i shkruante një letër ndjekësve të Jezusit të shpërndarë në botën e atëhershme, shkruajti se,

“…çdo gjë e mirë që na jepet dhe çdo dhuratë e përsosur vjen prej së larti dhe zbret nga Ati i dritave…”

Në rrjedhën llogjike të argumentit të Jakobit, ai po korrigjonte disa, që mendonin se meqë Zoti është krijuesi i gjithçkaje, atëherë Ai ka krijuar edhe tundimin për mëkat. Por Perëndia i mirë i gjithësisë, nuk e krijoi mëkatin. Ai krijoi gjithçka mirë. Ishim ne, që zgjodhëm të mos i bindemi Atij… Dhe mëkati erdhi në botë!

Perëndia nuk ka ndryshuar, shkruan Jakobi: pranë Tij nuk ka ndërrim dhe as hije ndryshimi! Ai është Perëndia i mirë, që krijoi gjithçka ashtu siç duhej, që në fillim. Edhe megjithë ligësinë tonë, Ai nuk heq dorë prej nesh…

Përtej gjykimit që meritojmë, ai nxjerr një ylber në qiell, për të theksuar një besëlidhje mirësie me ata që e duan Perëndinë…

Sepse ai jep dhurata të mira e të përsosura…

E gjeta vendin e parkimit. Djali na lindi disa orë më vonë. E megjithëse, edhe tani që shkruaj, kemi nevojë për pushim e gjumë, ndërsa na këmbojnë në vesh të qarat e një fëmije të vogël, prapë, është e vështirë të harrohet e vërteta, se Perëndia na dha një dhuratë tjetër prej së larti…

Kemi nevojë të shikojmë ylberin herë pas here. Kemi nevojë, më shumë se kaq, të ngremë sytë, mbi realitetin e vrazhdë të përditshmërisë, me hapësira të ngushta parkimi, e rrjedhë ngjarjesh të paplanifikuara, e të dallojmë dhuratat e mira… plot dritë… që vijnë nga Ati i dritave!

Pa ndonjë kusht. Pa ndonjë detyrim. Thjesht sepse ai ka dëshirë të na japë dhurata të mira… në përputhje me karakterin e Tij!

Rreth Autorit
mm

Afrim Karoshi

Facebook Twitter

Afrimi Karoshi ka mbaruar Fakultetin Juridik në Tiranë, dhe studimet master në Studime Biblike dhe master në Media & Komunikim nga Seminari Teologjik i Dallasit. Eshtë drejtues i Albanian Digital Strategies (ADS). Ka pasion të komunikuarit përmes shkrimit, leximin, dhe i pëlqen bota e re dixhitale. Eshtë i martuar, me tre fëmijë.

E mirepresim komentin tuaj...