Dhuratat Kërkojnë Vëmendje

adminDhiata e Vjeter, Krishtlindja0 Comments

“…midis teje dhe gruas, midis farës sate dhe farës së saj.” Zanafilla 3:15

Babi im, drejtuesi i një grupi kërcimtarësh, i bënte gjërat sipas planit të vet. Për dy vjet familjet e grupit muzikor udhëtonin nga një kufi në tjetrin për shfaqje muzikore. Një Krishtlindje, grupi i tim eti ishte në Çikago në “Shtëpinë Palmer”, një hotel i vjetër madhështor. Meqënëse babi im ishte drejtuesi i grupit i dhanë një suitë të bukur. Për fat të keq, anëtarët e tjerë të grupit u desh të rregulloheshin në motele me çmim të lirë. Motra ime katër vjeçare Pegi dhe unë, një djalë gjashtë vjeçar, mezi po e prisnim të vinte Krishtlindja atë mbrëmje kur mami na vuri në gjumë.

Rreth orës tre të mëngjesit, babi më në fund arriti në shtëpi duke shfaqur mjaft “Gëzim Krishtlindjeje.” Ata e kishin mbaruar shfaqjen në sallën e ballos që herët, por kishin qëndruar më gjatë për të ngrënë dhe për të pirë. Ai e dinte që duhet të flinte deri vonë ditën tjetër, prandaj vendosi të na zgjonte herët.

Kundër gjithë lutjeve të mamit, babai vendosi të na zgjojë për të hapur dhuratat. Më tre të mëngjesit!
Për mua kishte disa kamiona lodre (në atë kohë ishin prej metali) si edhe një biçikletë e kuqe e firmës ‘Firestone’, e cila ishte tepër e madhe për mua. “Por Roni do të rritet dhe do ta përdorë.”- i tha babi mamit. Për Pegin, me sa më kujtohet, ishte një biçikletë me tre rrota.

Pasi i kishim hapur të gjithë dhuratat babi tha: “Në rregull, fëmijë, në shtrat!”

Në shtrat? Me dhomën mbushur plot letër dhe fjongo paketimi, dhe me dhuratat e mrekullueshme përhapur kudo?

“Po! Në shtrat! Babai juaj ka nevojë të pushojë pak para koncertit të Krishtlindjes që do të japë nesër.”

A mund ta imagjinoni?

Ne, të bindur, shkuam në dhomën tonë dhe pritëm derisa babin e zuri gjumi. Pastaj dolëm fshehurazi në dhomën e madhe.

Dhe gjejeni se çfarë…! Fëmijët nuk mund të luajnë pa zhurmë me lodrat e reja të Krishtlindjes.

Ne hëngrëm shumë të bërtitura, madje edhe ndonjë pëllëmbë a dy, megjithatë vazhduam të dilnim nga dhoma fshehurazi.

Fëmijët nuk mund të rrijnë indiferentë ndaj dhuratave të mrekullueshme.Edhe ne nuk mund të qëndrojmë indiferentë ndaj dhuratës së mrekullueshme të gëzimit të Krishtlindjes.

Një ditë Fara e Gruas do të lindte.

Një ditë shpëtimi ynë do të sigurohej.

Një ditë i Kryqëzuari do të ringjallej përsëri.

Dhuratat e Zotit nuk mund të injorohen nga asnjë prej nesh, pavarësisht çfarë moshe kemi, apo çfarë kohe mund të jetë.

— Dr. Ronald B. Alen
Asistent Profesor i Interpretimit të Biblës në Seminarin Teologjik të Dallasit

Ky inkurajim është përkthyer me leje nga seria e Inkurajimeve të Krishtlindjes, inkurajime të shkruara nga profesorë të Seminarit Teologjik Të Dallasit, në Dallas, SHBA.

E mirepresim komentin tuaj...