“Stolia juaj të mos jetë e jashtme: gërshëtimi i flokëve, stolisja me ar ose veshja me rroba të bukura, por njeriu i fshehur i zemrës, me pastërtinë që nuk prishet të një shpirti të butë dhe të qetë, që ka vlerë të madhe përpara Perëndisë.” I Pjetrit 3:3-4
Parukierët janë si magjistarët, kur të marrin në duar, me siguri do të dalësh i ndryshuar. Patjetër, nëse janë të zotë në zanat! Kur shkoj te parukierja, ulem në një nga karriget bosh e kënaqem të sodis fytyrat e gëzuara të atyre që mbarojnë punë. Mezi pres të jem në vendin e tyre. Teksa dal nga parukeria, ndihem më e kënaqur me veten, hapat pak më të sigurt dhe më të lehtë. Sa shumë na ndikon gjendjen shpirtërorë ndryshimi i pamjes së jashtme. Seç të jep një lloj besimi te vetja. Dhe optimizëm për ditën.
Apostulli Pjetër te letra e tij e parë merret pak me “parukerinë” (I Pjetrit 3:3-4). Ai flet për gërshetimin e flokëve e për zbukurime me ar. Gërshetimi ishte në atë kohë, e vazhdon edhe sot, të jetë një rregullim i zakonshëm dhe modest i flokëve. Ndërsa zbukurimet me ar, karficat e arta nëpër flokë, ishte moda e fundit e kohës. Ç’të ketë vallë apostulli me modernen? Por një vëzhgim i kujdesshëm dhe njohje e zakoneve të kohës, na e zbulon arsyen e reagimit të tij. Pjetri nuk është kundër “modernes”, por ka të paktën dy arsye për reagimin e tij. Së pari, kjo prirje e modës ndiqej më së shumti nga gra e vajza jo të moralshme. Pjetri iu bëri thirrje vajzave e grave besimtare që të mos i ngjasonin këtij grupi. Dhe arsyeja e dytë për thirrjen e Pjetrit, kishte të bënte me kujdesin për njeriun e brendshëm. Ai po theksonte kujdesin që duhet të kemi për karakterin, virtytin! Ai po na nxit që të kujdesemi e të zbukurojmë njeriun e brendshëm, atë njeri, bukuria e të cilit nuk ndikohet nga karficat e arta nëpër flokë.
Në fund të fundit, njeriu i brendshëm, është i përjetshëm. Ndërsa pamja jonë e jashtme, për të cilën kujdesimi aq shumë, thjesht shkon në prishje e në kalbje çdo ditë e më shumë.
Pjetri na nxit që “stolia” jonë, të jetë njeriu i brendshëm, i cili duhet të shkëlqejë e të na japë bukurinë e vërtetë.
Po të mendojmë për njerëzit e bukur që kemi afër, do të na shkojë mendja me siguri, te aspekte të tyre përtej pamjes fizike. A nuk na duken duart e rrudhura e me kallo të babait si duart më të bukura në botë? Ato janë duar që kanë siguruar dashuri dhe kanë përmbushur çdo nevojë të familjes përmes sakrificave të panumërta. Po flokët e zbardhura të nënës, a nuk janë flokët më të hijshëm në botë? Na kujtojnë netët pa gjumë të saj pranë shtratit, supat e ngrohta kur ishim sëmurë, dhimbjet e saj për humbjet tona e gëzimin kur ia dilnim të bënim diçka me vlerë.
A nuk është fytyra e miqve të zemrës më e dashura nga gjithë fytyrat? Fytyra e dashurisë, kujdesit, sakrificës, e dorës së zgjatur kur je rrëzuar sërish!
A nuk është portreti i Jezusit, portreti i përsosmërisë? Portreti i dashurisë që shkon në kryq për të na fituar e për të na dhënë jetë të re?
Sot mund të bësh diçka për t’u kujdesur për njëriun e brendshëm. Mund të shkosh te Mjeshtri – ai që mund të ndryshojë zemrën. Perëndia është i vetmi parukier që e di saktësisht pamjen që duhet të kesh… dhe të ndihmon ta gjesh pamjen e vërtetë. Madje, ai nuk të mban në rradhë, e nuk do para për shërbimin e Tij. Ai e di me saktësi nevojën tënde!
Shijoje prekjen e tij magjike sot. Dhe transformohu nga dora e Mjeshtrit!