“Unë kam ardhur si drita për botën, që kushdo që beson në mua të mos mbetet në errësirë.” Gjoni 12:46
Me mijëra kalimtarë befasohen ndërsa kalojnë nëpër rrugët e zbukuruara të qytetit me rastin e Krishtlindjes. E mbi gjithçka tjetër, duket se shikimin ua vjedh ndriçimi i dritave, me mijëra vezullime që përthyhen në beben e syrit.
Duket sikur zbukurimi i qytetit, i shtëpive, madje dhe ngjyrat e rrobave që veshim janë bërë normale. Të gjitha këto bëhen si për të respektuar festën e rradhës. Standardi i dekorimeve sa vjen e rritet. Zbukurimet sa vijnë e bëhen më të bukura. Ushqimi bëhet më i shijshëm. Të kënaqet syri e stomaku. Madje duket sikur të gjitha këto më sipër e venitin çdo problem e varfëri që shohim rrotull gjatë vitit.
Shpesh dhe shumë kollaj e gjej veten me kalimtarët e tjerë. Gëzohem me atmosferën, këngët, zbukurimet, muzikën e bukur që shoqëron këtë kohë të Krishtlindjes, familjen dhe kohën e shpenzuar më miqtë.
E shijoj kohën e Krishtlindjes së tepërmi.
Por, mes gjithë asaj që përmenda më sipër, shpeshherë kam harruar të marr ca kohë mënjanë e të falenderoj Perëndinë për atë që ka bërë Ai. E gjej veten shpesh gjatë kësaj periudhe të vitit duke vrapuar sa në një festë në tjetrën, por duke harruar të festoj Jezusin. Harroj të festoj shpëtimin. Harroj të festoj Princin e paqes. Harroj të festoj Mbretin mbi mbretër. Harroj të festoj Shkëmbin dhe Kalanë e shpëtimit tim. Harroj të festoj Emanuelin, Perëndinë me ne.
Vitet e fundit po mësoj ta festoj Krishtlindjen më me fokus.
Në këtë mënyrë, kur dekorimet dhe dritat e qytetit të fiken, të mos ngelem në errësirë, por të afrohem më shumë me Dritën e vërtetë.
Gëzuar Krishtlindjen!