Duke rendur pas kohës

adminDhiata e Re0 Comments

Kujdesuni, pra, që të ecni me kujdes dhe jo si të marrët, por si të mençurit, duke e shfyrtësuar kohën, sepse ditët janë të mbrapshta. Prandaj mos u bëni të pakujdesshëm, por kuptoni cili është vullneti i Zotit.

Efesianëve 5:15-17

Po lexoja një artikull që trajtonte temën e të bërit të disa gjërave të rëndësishme në të 30-tat. U kujtova dhe një herë se sa shpejt ikin vitet.

Kur isha e vogël se vrisja fare mendjen për kohën. Mezi prisja të rritesha. Dhe ishte mirë që u rrita!

Mirëpo kam filluar të ndërroj mendim për vitet. Sa më shumë rritem, aq më shumë më duket sikur koha rrëshqet me shpejtësi.

Ç’duhet të bëj ndërsa shikoj që vitet ikin me të shpejtë? Duhet të bëj gjërat që kanë vlerë të pazëvendësueshme, që kur të kthej sytë pas të mos i them vetes: “Ah, si nuk e provova të paktën të bëj diçka me vlerë!”

Nëse pas disa vitesh, do të kem keqardhje, do të ndihem ashtu sepse nuk kam investuar mjaft mirë në të tanishmen.

E nëse disa gjëra duhet t’i kisha nisur me kohë, e di mjaft mirë se nuk është vonë t’i nis tani!

Në kohën ku jetojmë, me prirjet e nxitura nga teknologjia, informacionin e pafundmë, e gjej të vështirë të përqendrohem. Mund të humbas kohën kollaj duke rendur pas gjërave që nuk vlejnë. Pas gjërave që ta vjedhin kohën. Kjo është sfida ime. Çfarë duhet të ndaloj së bëri? Çfarë duhet të filloj të bëj sepse janë për të mirën e së ardhmes sime? Gjëra që i japin lavdi Perëndisë dhe iu shërbejnë njerëzve që kam rrotull. Gjërat që Zoti do për mua t’i kryej tani. Në këtë kohë.

Mund të jetë pak vonë… Por koha më e mirë për të marrë hapa praktikë, një vendim të ri, një gjë të re… koha më e mirë për të filluar është tani! Koha që Perëndia më ka besuar është e çmuar. Koha që më ka dhënë ai, duhet të jetë në shërbim të të bërit të vullnetit të Tij.

Siç na thotë Pali në letrën e tij drejtuar besimtarë të Efesit, “Kujdesuni, pra, që të ecni me kujdes dhe jo si të marrët, por si të mençurit, duke e shfyrtësuar kohën, sepse ditët janë të mbrapshta.”

Le të mos bëhemi të pakujdesshëm për të kryer vullnetin e Zotit… atë që Ai do të kryejmë tani me ditën tonë!

Rreth Autorit
mm

Mira Mjeshtri

Mira është nga Burreli. Ka mbaruar studimet për Gjuhë-Letërsi në qytetin e Shkodrës. Ka punuar për disa vite me studentët e këtij universiteti dhe më vonë ka punuar me të rinjte në Universitetin e Tiranës. Mirës i pëlqen rinia! Leximi dhe të shkruarit jane ndër pasionet e saj që kur ishte fëmijë. Aktualisht punon në fushën e ndikimit të rinisë përmes strategjive dixhitale.

E mirepresim komentin tuaj...