Dy ftesa të pa rezistueshme

adminDhiata e Vjeter2 Comments

“Dituria ka ndërtuar shtëpinë e saj, ka gdhendur shtatë shtyllat e saj. Ka vrarë kafshët e saj, ka përzier verën e saj dhe shtruar tryezën e saj. Ka dërguar jashtë shërbëtoret e saj; nga vendet më të larta të qytetit ajo thërret: “Ai që është budalla të vijë këtu!”. Atij që i mungon gjykimi i thotë: “Ejani, hani nga buka ime dhe pini verën që kam përzier. Lëreni budallallëkun dhe do të jetoni, ecni në rrugën e arsyes”… Frika e Zotit është parimi i diturisë, dhe njohja e të Shenjtit është zgjuarsia… Gruaja budallaqe është zhurmëmadhe, aspak e zgjuar dhe nuk di asgjë. Rri ulur te porta e shtëpisë së saj, mbi një fron në vendet e larta të qytetit,  për të ftuar ata që kalojnë nëpër rrugë, që shkojnë drejt në rrugën e tyre: “Ai që është budalla të vijë këtu!”. Dhe atij që i mungon arsyeja i thotë: “Ujërat e vjedhura janë të ëmbla; buka që hahet fshehurazi është e shijshme”. Por ai nuk e di që atje janë të vdekurit, që të ftuarit e saj janë në thellësinë e Sheolit.” Fjalët e Urta 9:1-6, 10, 13-18

Fillimi i vitit është një mundësi e re… për të hequr dorë nga veset e vjetra e për të filluar tradita të reja. Kështu ndihem çdo fillim viti. Derisa mbaron bakllavaja. Pastaj më kaplon ndjesia se disa gjëra do të jenë si më parë. 

Këtë fillim viti, pasi lexova me kalamajtë kapitullin e nëntë të Fjalëve të Urta nga Bibla, u ndërgjegjësova për një gabim të zakonshëm që bëj çdo fillim viti.

Në kapitullin 9, janë dy gra – personifikime të urtësisë dhe budallallëkut – që bëjnë thirrje për t’u ndjekur nga njerëzit. Urtësia, ofron një tryezë të shtruar plot me bekimet e Zotit. Këto bekime janë rrjedhojë e jetës së  njeriut që e ndjek Perëndinë, që jeton me druajtjen e Tij.

Frika e Zotit është parimi i diturisë, dhe njohja e të Shenjtit është zgjuarsia (v. 10).

Aty gjendet suksesi për një jetë të suksesshme dhe në bindje ndaj Zotit.

Ndërsa budallaqja nuk e ka shtruar tryezën. Ajo rri ulur në hyrje të qytetit – ndoshta për të treguar fokusin e saj në dukje dhe jo në thelbin e gjërave – dhe bën zhurmë por ndoshta jo aq punë sa duhet. Fton budallenjtë – njerezit që ju mungon arsyeja – që të hanë jo bukën e mundit të tyre por bukë të vjedhur. 

Përse të derdhësh djersë për të fituar bukën e urtësisë kur mund të hash në kurriz të tjerëve?! 

Dhe të dyja thirrjet i kanë “pasojat” e qarta. Shtëpia e urtësisë – që gjendet në të ndjekurit e Zotit me druajtje, i ka themelet e forta. Ndërsa ata që po hedhin hapin përtej pragut të shtëpisë së budallaqes, nuk e dinë se brenda i pret vdekja… Akoma nuk e dinë, por duket se e vërteta e hidhur është çështje kohe! 

Dy thirrje, dy rrugë, dy destinacione krejt të ndryshme.

Asnjëra prej “thirrjeve” nuk tregon me detaje se cilat janë hapat specifikë që duhet të hedh gjatë vitit që po vjen. 

Nuk më tregojnë nëse duhet të stërvitem më shumë apo më pak, të ha të gjithë brumërat apo vetëm disa, të planifikoj me kujdes apo ti marr ditët si të vijnë, të harxhoj para pa kufizim apo të jem i kujdesshëm, të rri më shumë me familjen e të kujdesem për ta apo ta harxhoj kohën në qejfet e mia, të lodhem duke gjetur mënyra krijuese për të treguar lajmin e mirë njerëzve apo ta gjej fajin tek ata që s’janë të interesuar…

Por ndoshta “djalli nuk gjendet në detaje”. Ndoshta gjendet te pamja e madhe. Ndoshta mjafton t’i them vetes, që këtë vit, do të kërkoj urtësinë e Perëndisë. Do t’i druhem vetëm Atij. Do t’i bindem vetëm Atij.

Dhe të tjerat do ta gjejnë vendin e tyre…

Ky është gabimi që kam zbuluar. Në vend që të kërkoj urtësinë dhe rrugën e Perëndisë, e kaloj fillimin e vitit duke e ngërthyer veten në detaje të vogla, në ëndrra të parëndësishme, në qëllime të vockla. 

Po lutem për ne, që shkruajmë dhe lexojmë, që do të kemi një vit, duke ecur me druajtje në rrugën e urtësisë, duke shijuar bollëkun e shtëpisë së qëndrueshme të Zotit.

Rreth Autorit
mm

Afrim Karoshi

Facebook Twitter

Afrimi Karoshi ka mbaruar Fakultetin Juridik në Tiranë, dhe studimet master në Studime Biblike dhe master në Media & Komunikim nga Seminari Teologjik i Dallasit. Eshtë drejtues i Albanian Digital Strategies (ADS). Ka pasion të komunikuarit përmes shkrimit, leximin, dhe i pëlqen bota e re dixhitale. Eshtë i martuar, me tre fëmijë.


2 Comments on “Dy ftesa të pa rezistueshme”

E mirepresim komentin tuaj...