Të mësosh si fëmijët…

adminDhiata e Re0 Comments

Në atë orë dishepujt iu afruan Jezusit dhe e pyetën: “Kush është, pra, më i madhi në mbretërinë e qiejve?.” Dhe Jezusi, pasi thirri një fëmijë të vogël pranë vetes, e vuri në mes tyre dhe tha: “Në të vërtetë po ju them: në qoftë se nuk ktheheni dhe nuk bëheni si fëmijët e vegjël, ju nuk do të hyni fare në mbretërinë e qiejve. Kush, pra, do të përulet si ky fëmijë i vogël, do të jetë më i madhi në mbretërinë e qiejve. Dhe kushdo që e pranon një fëmijë të vogël si ky në emrin tim, më pranon mua. Ungjilli i Mateut, 18:1-5

Për herë të parë, si një lloj sfide personale, vendosa të kujdesem për 11 fëmijë, në një kamp veror. As nuk më ka vajtur në mendje përpara që të kujdesem për fëmijët – përveç 3 të vegjëlve që kam në shtëpi!

Dhe përmes kësaj përvoje, mësova!

Fëmijët, njësoj si të rriturit, kanë nevojë për rutinë. “Përse duhet të fle? Unë as nuk jam përgjumësh? Përse të tjerët po bërtasin, kurse ne duhet të rrimë mbyllur? Përse nuk mund të luajmë gjithë ditën? Përse ka rregulla? Përse ka orare? Përse vetëm ne i zbatojmë rregullat? Përse vetëm neve na shkaktohen padrejtësi?… Përse? Pse? Pppppsssssseeeeeee?!” Këto janë disa prej pyetjeve që kam dëgjuar gjatë javës. Njësoj, si pyetjet që kam dëgjuar nga të rriturit, që kushedi për çfarë arsyesh, akoma nuk e kanë gjetur veten në “rutinën” e shëndetshme të ditës… në rutinën e nevojshme të jetës! Fëmijët, njësoj si të rriturit, kanë nevojë për një rutinë!

Fëmijët, njësoj si të rriturit, kanë nevojë për një këndvështrim shpirtëror. 

Nuk e shikojnë lehtë dimensionin shpirtëror të realitetit! Kanë nevojë për ndihmë, për shpjegim, për detaje, për ilustrime… Kanë nevojë për një dorë ndihmëse, që e interpreton – ose me mirë e ri-interpreton – realitetin për ta. Njësoj si me të rriturit, edhe me fëmijët, ishte e nevojshme të hapnim Biblën bashkë, edhe të lexonim hap pas hapi, të vërtetat që janë listuar ndër ato faqe…

Fëmijët, njësoj si të rriturit, kanë nevojë për disiplinë.

E dëgjon rrëmujën dhe tollovinë që shkaktohet nga zërat e tyre, zëra që ngrihen lart kohë e pa kohë, me arsye e pa arsye, duke sulmuar njërin, e duke refuzuar tjetrin, duke lavdëruar njërin nga shokët e duke hedhur poshtë të tjerët? E shikon, se si njëri prej tyre përpiqet të gënjejë gjithë të tjerët, duke shpresuar se gënjeshtra, do ti ketë këmbët e gjata kësaj radhe? E shikon se si shtyjnë njëri-tjetrin, nëse iu duket se dikush po i trajton në mënyrtë të padrejtë?

Fëmijët, njësoj si të rriturit, kanë nevojë për disiplinë, që të bashkëpunojnë mirë bashkë… dhe të mund të shijojnë jetën së bashku në komunitet!

Por fëmijët, pak ndryshe nga të rriturit, janë në gjendje ta pranojnë më shpejt e më lehtë rutinën, disiplinën, edhe dimensionin shpirtëror të realitetit. Fëmijët e kanë më të lehtë ta pranojnë që drita do fikur, që falja duhet ofruar, që gënjeshtra do lënë mënjanë, që zëri i ulët është i mjaftueshëm për të komunikuar ide, që tjetri është i pranueshëm ashtu siç është, madje mund ta pranosh shumë shpejt pasi e ke refuzuar a e ke talluar, fëmijët e kanë të lehtë ta kthejnë padrejtësinë në drejtësi, e që komuniteti është shumë i nevojshëm! Në fund të fundit, si mund të bësh një lojë pa shokë të tjerë? Fëmijët e pranojnë më shpejt se të rriturit, se Perëndia ka një rol në jetën e tyre, dhe se bindja ndaj Zotit vjen përpara lavdisë personale!

Dhe të rriturit, njësoj si fëmijët, kanë nevojë, që të përulen, për të qenë pjesë e mbretërisë së qiejve… madje, të rriturit, mund të jenë të mëdhenj, në mbretërinë e qiejve, nëse janë në gjendje të mësojnë e të përulen si një fëmijë i vogël…

Kush, pra, do të përulet si ky fëmijë i vogël, do të jetë më i madhi në mbretërinë e qiejve. Dhe kushdo që e pranon një fëmijë të vogël si ky në emrin tim, më pranon mua. Ungjilli i Mateut, 18:5

Nuk e di sa kam mësuar nga fëmijët kësaj jave, por ndihem sikur, kam hedhur hapin e parë, për të bërë me gëzim, diçka, si fëmijët… Të përkushtohem për të bërë diçka që s’e kisha menduar që mund të bëhej, të mësoj diçka që as e dija se kisha nevojë…

Ndoshta, edhe unë, si i rritur, kam nevoja të ngjashme me fëmijët… edhe ndoshta, si ata, mund të hedh hapa për të mësuar!

 

Rreth Autorit
mm

Afrim Karoshi

Facebook Twitter

Afrimi Karoshi ka mbaruar Fakultetin Juridik në Tiranë, dhe studimet master në Studime Biblike dhe master në Media & Komunikim nga Seminari Teologjik i Dallasit. Eshtë drejtues i Albanian Digital Strategies (ADS). Ka pasion të komunikuarit përmes shkrimit, leximin, dhe i pëlqen bota e re dixhitale. Eshtë i martuar, me tre fëmijë.

E mirepresim komentin tuaj...