Do t’ju hajë ariu…

adminDhiata e Re0 Comments

Ju veç, silluni në mënyrë të denjë në ungjillin e Krishtit, që, kur të vij e t’ju shoh, ose nga larg kur s’jam aty, të dëgjoj për ju se qëndroni fort në një frymë të përbashkët, duke luftuar bashkë me një shpirt për besimin e ungjillit, duke mos u lënë të trembeni në asnjë gjë nga kundërshtarët; kjo është për ta një provë humbjeje, kurse për ju shpëtimi, edhe kjo nga ana e Perëndisë. Sepse juve ju është dhënë hiri për hir të Krishtit, jo vetëm që të besoni në të, por edhe të vuani për të, duke patur të njejtën beteje që e patë në mua, dhe tani po dëgjoni që është në mua.” Filipianëve 1:27-30

U përgatitëm për kamping. Po e bëjmë traditë me fëmijët e disa të afërm, që të gjejmë rastin të paktën një herë në vit, të udhëtojmë afër një mali e të shijojmë një natë në çadër, në freskinë e pyllit. Çdo gjë dukej në rregull. Çdo gjë ishte gati. U nisëm.

Gjatë udhëtimit, ndërsa ishte përhapur lajmi se po shkojmë në mal, filluan të vijnë “këshillat” dashamirëse nga disa të afërm, të cilët, megjithëse në orë të ndryshme e në zona të ndryshme, kishin pak a shumë të njëjtat fjalë për të na thënë: “Po shkoni në mal? Kujdes se do t’ju hajë ariu!”.

“Do t’ju hajë ariu, do t’ju hajë ariu…”

Disa javë më vonë, jam akoma gjallë. Ariu nuk na hëngri atë natë. Ndaj jam në gjendje të shkruaj akoma!!!

Por, fraza “do t’ju hajë ariu…” më ka ngelur akoma në mendje.

Më duket sikur, pothuajse gjithmonë, kur do të bësh diçka ndryshe nga të tjerët, krejt në mënyrë të natyrshme, dëgjon refrenin e miqve që kemi afër, që na inkurajojnë të trembemi “nga ariu” – të heqim dorë të bëjmë atë që duket e këndshme për t’u bërë, frytdhënëse, e mirë, që ia vlen…

Ndoshta nuk jeni përballur me të njëjtë sfidë – por tani, refreni “do t’ju hajë ariu”, më duket si pjesë e një kënge që na është “kënduar” rregullisht në fëmijërinë e kulturës sonë.

A do të jesh ndryshe nga të tjerët? Kujdes, se do të të hajë ariut! Nuk mund të jesh ndryshe – as të vishesh, as të presësh flokët siç do, as të flasësh siç do! Duhet të jesh “njësoj” si të gjithë të tjerët.

A do të studiosh diçka që e ke qejf? Kujdes, se do të të hajë ariu! Nuk do të gjesh punë kurrë me këtë zanat!

A do të lexosh shumë që të jesh i ditur? Kujdes, se do të të hajë ariu! Do të të ikin trutë duke lexuar kaq shumë!

A do të provosh një strategji të re? Kujdes, se do të të hajë ariu! Do të dështosh me gjërat e reja! E vjetra funksionon! Ose të paktën na jep të njëjtat rezultate si më përpara!

A do të marrësh guximin t’ju paraqesësh Jezusin njerëzve që kanë nevojë? Kujdes se do të të hajë ariu! Njerëzit nuk duan të dëgjojnë!

A do të organizosh një gjë të re, që s’është bërë më përpara? Kujdes se do të të hajë ariu! Njerëzit do të mërziten që s’ju ka vajtur mendja atyre përpara për këtë ide fantastike!

Kemi përballë nga një “ari të uritur” për çdo hap që do të hedhësh për t’ju bindur thirrjes së Zotit!

Apostulli Pal, ndërsa po ju shkruante besimtarëve në Filipi për sfidat që kishte përjetuar vetë nga disa kundërshtarë, që po përhapnin ungjillin me motive të gabuara, i nxiti besimtarët që të mos trembeshin nga “kundërshtarët” por me guxim, të ishin besnikë Ungjillit të Jezusit.

Duket sikur, në fjalët e mia, po thotë: mos u trembni nga arinjtë e atyre që, megjithëse me motive të mira ose të gabuara, ju bëhen pengesë që ju të ecni përpara në besim.

Le të jemi gati të përkushtohemi pa kushte për t’ju bindur Mbretërisë së Perëndisë, pavarësisht sfidave bllokuese të kulturës sonë, që, më shumë sesa të na nxisin të bindemi Atij duke rrezikuar me guxim, na nxisin që të kemi frikë e të stepemi në çdo hap.

Frikës nga “ariu i pyllit” që ha pushuesit ia dola.

Shpresoj që mund t’ia dal frikës së arinjve imagjinarë që më nxisin të mos marr hapa për të guxuar të them e të jetoj të vërtetën e Perëndisë.

Bashkë me ju!

Rreth Autorit
mm

Afrim Karoshi

Facebook Twitter

Afrimi Karoshi ka mbaruar Fakultetin Juridik në Tiranë, dhe studimet master në Studime Biblike dhe master në Media & Komunikim nga Seminari Teologjik i Dallasit. Eshtë drejtues i Albanian Digital Strategies (ADS). Ka pasion të komunikuarit përmes shkrimit, leximin, dhe i pëlqen bota e re dixhitale. Eshtë i martuar, me tre fëmijë.

E mirepresim komentin tuaj...