Përtej frikës nga rrethanat…

adminBibla, Dhiata e Re0 Comments

“Përuluni, pra, nën dorën e fuqishme të Perëndisë, që ai t’ju lartësojë në kohën e duhur, dhe gjithë merakun tuaj hidheni mbi të, sepse ai merakoset për ju.” 1 Pjetrit 5:6-7

Nuk e di se me çfarë rrethanash po përballesh, as nuk e di se sa shumë të rëndon barra e çdo dite.

Mbase po lufton me ndonjë sëmundje, mbase nuk po ia del të ndjekësh një ëndërr që vlen sa bota për ty, mbase të ka marrë malli për dikë por s’ke asnjë mundësi ta kthesh kohën prapa. Mbase nuk ke mjaftueshëm financa të shtysh muajin, s’ke një mik me të cilin të ndash nje fjalë apo t’i tregosh një hall. Mbase të mundon e nesërmja.

Mund të ketë shumë “mbase”. Shpeshherë gjendem vetë në disa prej tyre. Shumë “mbase” të tjera as i kam përmendur.

E keqja me “mbase-t” është se shpeshherë ato shoqërohen me frikë. Disa më me shumë frikë e disa të tjera me më pak, por gjithsesi, të gjitha shoqërohen me frikë. Frikë për të ardhmen, frikë se çfarë do të ndodhë me jetën time.

Po të fokusohem tek vetja ime, po ta mbaj zemrën te ”mbase-t” e mia, frika rritet gjithnjë e më shumë.

Kjo ndoshta për shkak se “mbase-t” nuk na shkojnë për shtat. Ato janë të destinuara për Dikë tjetër më të madh se ne. Janë për Atë që është tashmë dhe në të ardhmen tonë, është pjesë e ditëve tona më të vështira. AI është Zoti që bën të mundur çdo gjë për ne.

Ai i jep siguri pasigurisë tonë. I zhduk frikërat tona, nëse i dorëzojmë tek Ai. I jep paqe një zemre të trazuar. Dhe gëzim kur ti mendon se gjithçka ka ikur përgjithmonë.

Asgjë nuk ka ndodhur pa lejen e Tij. Gjithçka është në dorën e Tij.

Ndaj dhe sot, nëse më është dhënë dhuratë dhe një tjetër ditë për ta jetuar, do ta jetoj. Do ta jetoj duke u mbështetur tek Ai që mban botën në dorën e Tij. Dhe Ai është i aftë të mbajë të gjitha “mbase-t” e mia, të përballojë të gjithë merakun tim.

“Përuluni, pra, nën dorën e fuqishme të Perëndisë, që ai t’ju lartësojë ne kohën e duhur, dhe gjithë merakun tuaj hidheni mbi të, sepse ai merakoset për ju.” 1 Pjetrit 5:6-7

Rreth Autorit
mm

Mira Mjeshtri

Mira është nga Burreli. Ka mbaruar studimet për Gjuhë-Letërsi në qytetin e Shkodrës. Ka punuar për disa vite me studentët e këtij universiteti dhe më vonë ka punuar me të rinjte në Universitetin e Tiranës. Mirës i pëlqen rinia! Leximi dhe të shkruarit jane ndër pasionet e saj që kur ishte fëmijë. Aktualisht punon në fushën e ndikimit të rinisë përmes strategjive dixhitale.

E mirepresim komentin tuaj...