Të japësh fryt për Jezusin…

adminDhiata e Re0 Comments

“Unë jam hardhia e vërtetë dhe Ati im është vreshtari. Çdo shermend që nuk jep fryt në mua, ai e heq; kurse çdo shermend që jep fryt, ai e krasit që të japë edhe më shumë fryt. Ju tashmë jeni të pastër, për shkak të fjalës që ju kumtova. Qëndroni në mua dhe unë do të qëndroj në ju; sikurse shermendi nuk mund të japë fryt nga vetja, po qe se nuk qëndron në hardhi, ashtu as ju, nëse nuk qëndroni në mua. Unë jam hardhia, ju jeni shermendet; kush qëndron në mua dhe unë në të, jep shumë fryt, sepse pa mua nuk mund të bëni asgjë. Në qoftë se ndokush nuk qëndron në mua, hidhet jashtë si shermendi dhe thahet; pastaj i mbledhin, i hedhin në zjarr dhe digjen. Në qoftë se qëndroni në mua dhe fjalët e mia qëndrojnë në ju, kërkoni çfarë të doni dhe do t’ju bëhet. Në këtë është përlëvduar Ati im, që të jepni shumë fryt, dhe kështu do të jeni dishepujt e mi.” 

Gjoni 15:1-8

 Çfarë do të thotë të japësh fryt?

Metafora e hardhisë nuk ishte e padëgjuar për një izraelit. Ajo ishte kthyer në këngë vajtimi për Izraelin. Zoti kishte çuar jashtë Egjiptit një hardhi; kishte dëbuar kombet dhe e kishte mbjellë. Kishte pastruar dheun para saj dhe ajo kishte lëshuar rrënjë e mbushur dheun… por tani ajo ishte prerë e djegur nga zjarri (Psalmi 80). Në të vërtetë, a nuk njihet pema nga frytet?! Izraeli kishte qenë hardhia që Zoti kishte mbjellë e priste të jepte fryt; fryt që zbulonte punën dhe veprën e vreshtarit. Por veprat e krerëve të Izraelit, skribëve dhe farisenjve, ishin aq të mbrapshta sa nuk pranuan as shërbëtorët e vreshtarit, as të birin e tij, por e nxorën atë jashtë vreshtit dhe e vranë (Luka 20:9-15).

Izraeli ishte kthyer në një hardhi pa fryt, por hardhia e vërtetë i ishte zbuluar tashmë Izraelit. Jezusi bëhet hardhia e vërtetë. Kush ka parë atë, ka parë Atin. Ai dhe Ati janë një. Ushqimi i tij është të bëjë vullnetin e Atit. Fjalët dhe veprat e tij dëshmojnë Atin. Ai është shkëlqimi i lavdisë së Perëndisë, dhe vula e qënies së Tij. Ai e ka zbuluar, bërë të njohur dhe përlëvduar Atin te njerëzit.

Fryti bëhet tejet i rëndësishëm në këtë shëmbëlltyrë. Fryti zbulon e bën të njohur Atin. Ati pret fryte nga dishepujt, madje nuk mund të jesh dishepull nëse nuk jep fryt. Prandaj, kush nuk jep fryt pritet, dhe kush jep fryt krasitet që të japë edhe më shumë fryt. 

Të japësh fryt do të thotë të zbulosh e bësh të njohur Atin, të jesh dritë për botën dhe kripë për tokën. Ashtu le të shndrisë drita juaj para njerëzve, që të shohin veprat tuaja të mira dhe ta lëvdojnë Atin tuaj që është në qiej (Mat 5:16). Të japësh fryt do të thotë bësh dishepuj që bëjnë të njohur Atin. (Gjoni 15:16). 

Jezusi zbulon në këtë metafore, se vreshtari është Ati i tij; se ai vetë është hardhia e vërtetë, dhe se shërmendet janë dishepujt, fryti nuk na zbulohet. Dhe kjo duket e qëllimshme. Sytë e dishepullit nuk duhet të jenë te frytet. Fryti është punë e Zotit, nuk është puna e dishepullit.

Puna e dishepullit, ashtu si shermendi, është të qëndrojë në hardhi. Sytë e dishepullit, duhet të jenë te mësuesi e mjeshtri i tij. 

Puna e shermendit për të qëndruar e ushqyer në hardhi, megjithëse duket si puna më e lehtë, shpresh rezulton më e vështira. Dhe me kalimin e viteve nuk bëhet më e lehtë. Sidomos pasi na ka dhënë pak reputacion. Ne rrezikojmë duke gjetur rrugë të tjera për te fryti. Nuk jemi gati të bëhemi pjesë e procesit normal të prodhimit të frytit, që do të vinte si pasojë e të qëndruarit këmbëngulës e me durim në hardhi. S’është çudi që të injektojmë burime të tjera që përshpejtojnë prodhimin e frytit – në dukje – duke u kthyer në “shermendë të modifikuar gjenetikisht”. 

Mund të dukemi nga jashtë sikur po mbahemi te hardhia, sikur çdo gjë është në rregull, por vetëm ne e dimë si jemi nga brenda. Kujdes nga reputacioni që mund të kemi krijuar ndër vite, duke ia ditur rëndësinë frytit! Zoti e paralajmëroi kishën në Sardë: “Unë i di veprat e tua; ti ke emrin (reputacionin) se jeton, por je i vdekur” (Zbulesa 3:1).   

Eshtë punë e vështirë, edhe e vazhdueshme, që ta sjellim Atin përpara njerëzve, edhe të mund të japim fryt në mënyrë të vazhdueshme, edhe jo vetëm në dukjen tonë, por edhe realisht në atë që po ndodh në zemër.

Shëmbëlltyra e hardhisë thekson se fryti nuk prodhohet në mënyrë magjike. Është e thjeshtë, por nuk është e lehtë. Por është aq e thjeshtë sa mund të jemi skeptike se ajo është rruga për te fryti.

Kam pasur kënaqësi t’i mësoj vajzës së madhe matematikën, derisa ajo është kthyer në mësuesen time tani! Por një mësim akoma s’e ka mësuar. Pothuajse në çdo provim – edhe ka kryer provime të nivelit të universitetit megjithëse akoma në shkollë të mesme  – humbet pikë në ushtrimet dhe problemat më të thjeshta. “Nuk më besohet që në një nivel të tillë vështirësie, të kesh problema ku përgjigja është kaq e thjeshtë, sa nuk jam e sigurt nëse përgjigja ime është e saktë”, thotë ajo. Dhe unë përgjigjem njësoj zakonisht: “është e thjeshtë, prandaj është e vështirë; ushtrohu në problemat e thjeshta deri në siguri të plotë”!

Si do të dukej të qëndruarit në Të? Si mund ta zbulojmë Perëndinë përpara njerëzve?

Konteksti i Ungjillit të Gjonit në kapitullin 15, na sygjeron që dashuria për Zotin dhe për njëri-tjetrin, një dashuri plot sakrificë, që e vendos nevojën e tjetrit përpara tonës, është në fakt rruga për ta treguar Atin.

Siç e tha Jezusi shumë shkurt e qartë, rruga e të qëndruarit në hardhinë, është rruga e të dashurit të njëri-tjetrit, ashtu si Ati ka dashur Jezusin. Atëherë do ta kemi përlëvduar – do ta kemi treguar  përpara botës – Atin!

“Në këtë është përlëvduar Ati im, që të jepni shumë fryt, dhe kështu do të jeni dishepujt e mi. Sikurse Ati më ka dashur mua, ashtu edhe unë ju kam dashur juve; qëndroni në dashurinë time. Po të zbatoni urdhërimet e mia, do të qëndroni në dashurinë time, sikurse unë i zbatova urdhërimet e Atit tim dhe qëndroj në dashurinë e tij.” Gjoni 15:8-10

Rreth Autorit
mm

Berti Berhami

Berti Berhami ka mbaruar studimet për matematikë 5 vjeçare. Gjithashtu ka studiuar në Seminarin Teologjik të Dallasit, në Master për Studime Biblike. Është drejtuesi i Institutit "Jeta e Re" për Shqipërinë dhe Kosovën. Berti është studiues i kujdesshëm i Shkrimit dhe ka kontribuar prej shumë vitesh për Mbretërinë e Perëndisë në Shqipëri, përmes përfshirjes së tij me IJR-në. Berti është i martuar dhe eshte babai i tre fëmijëve.

E mirepresim komentin tuaj...