Ejani në dasmë!

adminDhiata e Re, Pashka0 Comments

Dhe Jezusi, nisi përsëri t’u flasë atyre me shëmbëlltyra… “Mbretëria e qiejve i ngjan një mbreti, i cili përgatiti dasmën e të birit. Dhe dërgoi shërbëtorët e vet për të thirrur të ftuarit në dasmë, por ata nuk deshën të vijnë… Atëherë u tha shërbëtorëve të vet: “Dasma është gati, por të ftuarit nuk ishin të denjë. Shkoni, pra, në udhëkryqe dhe ftoni në dasmë këdo që të gjeni.” Mateu 22:1-3, 8-9

Rreth të martës, disa ditë përpara fundit të jetës së tij mbi tokë, Jezusi ftoi njerëzit në një dasmë, përmes tregimit të një historie…

Ne, njerëzorët, nuk do të kishim ngenë të mendonim për ftesa a bankete javën e fundit të jetës. Unë vetë do kisha bërë gjërat që do të më kishin ngelur peng që nuk i kisha realizuar deri në atë çast. Do të rrija me familjen time. Me ata që i dua. Ndoshta do të merrja pushimet. Ose do të rrija duke qarë gjithë kohën: “Obobo ç`më gjeti mua, kaq e pati jeta ime!”

Por, Jezusi, jo!

Ditët e fundit të jetës së Tij iu shërbeu të tjerëve. Jo vetes! Ditë e fundit të tij ishin plot me ngjarje e sfida, as pushime e as kohë me familjen! Ditë me emocione, ngjarje jo të zakonshme, debate e tradhëti.

Megjithatë, Ai i kishte sytë drejt fundit. Drejt synimit për të dhënë jetën e Tij për të tjerët. Arsyeja që kishte ardhur që në fillim. Ai i kaloi orët e fundit duke ftuar të tjerët që të shpëtoheshin, të besonin në emrin e Tij.

Banketi i dasmës ishte gati. Dasma është gati. Thirrja e tij vazhdon të ketë fuqi edhe sot. EJA NË DASMË! Besoji Atij!

Shumë thonë se nuk kanë nge të merren me ftesat e Jezusit. Apo banketet e mbretërisë së Tij. Janë të zënë me gjëra të tjera…

Por ftesa e Tij vazhdon akoma për çdo ditë: “Eja në dasmë!”

Ai e di të mirën tonë. Ndaj këmbëngul në ftesën e tij.

Ne mund ta injorojmë. Mund ta hedhim tutje. Mund ta grisim ftesën. Mund ta braktisim banketin e Tij të përjetësisë. Por Jezusi është i sigurt se dasma e mbretërisë së Tij është vendi më i mirë ku mund të jemi.

Ne marrim kohë për t’u kujdesur për veten. Për trupin tonë. Për hallet tona. Për të ardhurat tona. Gjithçka që na intereson. Por ftesës së Jezus Krishtit, asaj, nuk kemi kohë t`i përgjigjemi. Nuk kemi kohë ta shqyrtojmë. Nuk ndihemi rehat me nevojën tonë për një Shpëtimtar. Dhe, kështu, përfundojmë duke investuar për materialen, të përkohshmen, shtegtimin tonë të shkurtër në këtë botë, duke mos vënë re se sa të varfër dhe të pashpresë jemi në shpirt!

Në fund, disa nga ne, do të gjejnë krenarinë të pyesin: “Jezus, kur na e bëre ftesën? Kush ishte lajmësi? Pse nuk na e the më qartë? Përse? “

Jezusi po vazhdon ta përsërisë ftesën. Në gostinë e Tij ka vend për ty. Por të takon ty të zgjedhësh se cilën gosti do të shijosh: gostinë e Jezusit apo në gostitë që serviren tjetërkund?

Të martën, disa ditë përpara vdekjes së tmerrshme që do të përjetojë, Jezusi gjen kohë të na bëjë thirrjen e përsëritur: “Eja në dasmë!”

Qofshim të urtë për t`iu përgjigjur siç duhet ftesës së Tij. Dhe qofshim dasmorë të denjë për një dhëndër të tillë.

Rreth Autorit
mm

Mira Mjeshtri

Mira është nga Burreli. Ka mbaruar studimet për Gjuhë-Letërsi në qytetin e Shkodrës. Ka punuar për disa vite me studentët e këtij universiteti dhe më vonë ka punuar me të rinjte në Universitetin e Tiranës. Mirës i pëlqen rinia! Leximi dhe të shkruarit jane ndër pasionet e saj që kur ishte fëmijë. Aktualisht punon në fushën e ndikimit të rinisë përmes strategjive dixhitale.

E mirepresim komentin tuaj...