Gëzimi që nuk mbaron…

adminDhiata e Re0 Comments

Luftën e mirë e luftova, e përfundova vrapimin, e ruajta besimin. Pas kësaj më pret gati kurora e drejtësisë që Perëndia, gjykatësi i drejtë, do të ma japë atë ditë, dhe jo vetëm mua, por edhe gjithë atyre që presin me dashuri të shfaqurit e tij.” 2 Timoteut 4:7-8

Eshtë e diel në mbrëmje dhe bëhesh gati të flesh. Ke mbyllur një javë. Disi ke bërë bilancin e javës dhe ndjen se jeta po të rrëshqet nga duart. Ashtu si pa kuptuar, 39 vite kanë ikur.

Jeta ikën kaq me nxitim. Nuk merret vesh ku kanë shkuar vitet. Në kujtesën tënde je ende 20 vjeç, e re, e freskët, pa rrudha, truplidhur, plot energji. Por të mjafton një ndalesë e shkurtër përpara pasqyrës, që si një këmbanë tinëzare, të kujton orën e kohës. Të shfaq rrudhat e skalitura mbi fytyrë, rrumbullakosjen e trupit, dhe rëndimin e qepallave të orëve pas dreke. Gjumi i pasdrekes, prej të cilit ke hequr dorë që kur ishe tre vjeç, tani të bëhet mik i dashur. Ka nga ato ditë që pyet veten: a po jeton jetën që ke dëshiruar? Mbase thjesht po tërheq këmbët zvarrë drejt punës, shtëpisë, familjes… Brenda vetes të ka humbur pasionin dhe qëllimin për jetën. Në sy të është shuar gëzimi. Dhe rutina ka zënë vend në jetën tënde për shtatë palë qejfe!

A është ky realiteti yt?

Xhonatan Eduards ishte vetëm 18 vjec kur dha predikimin e tij të parë. Thelbi i predikimit të tij ishte që të krishterët duhet të jenë njerëz të gëzuar. Nuk duhet të jenë në dëshpërim e të mundur nga barrët e jetës. Ai shtroi tre arsye thelbësore pse të krishterët duhet të ishin të gëzuar:

Së pari, sepse gjërat e këqija do të bëheshin të mira në Zotin (Romakëve 8:28).

Së dyti sepse gjërat e mira nuk mund të na hiqen. Këtu e ka fjalë për gjithçka na është dhuruar prej Perëndisë në momentin që e kemi pranuar Jezusin si Zot dhe Shpëtimtar, dhe faljen e mëkateve, sigurinë e shpëtimit përmes hiriti, dhe jetën e përjetshme.

Dhe së treti sepse më e mira ende nuk ka ardhur.

Këtu Eduards e kishte fjalën jo vetëm për vitet që po vijnë por edhe për shpresën e parajsës.

Të njëjtën gjë e dëgjojme edhe nga goja e Apostullit Pal.

Ndërsa Pali i lë amanetet e fundit Timoteut, i kujton sërish atij dhe ne, që ashtu si Pali, të mbajmë të patundur besimin tonë, duke praktikuar dhe ushtruar çdo ditë, duke jetuar jetën që Perëndia na ka dhënë, për të përmbushur qëllimet dhe vullnetin e tij, dhe duke pritur me gëzim ditën kur do të jemi bashkë me Të.

Nuk e di se në cilën fazë apo stinë të jetës je. Cilat janë barrët që po të mundojnë? Apo malet që po përpiqesh t’i mbash mbi supe? Cilatdo qofshin, je thirrur për t’i besuar Perëndisë, për ta lëshuar barrën te këmbët e Krishtit dhe për t’u përmbushur me gëzim.

Nuk e kemi fjalën për një gjendje emocionale sipërfaqësore gëzimi. Por në një gëzim që vjen si rrjedhojë e faktit që Perëndia është sovran mbi jetën tënde. Ai ka në plan t’i përdorë ditët e tua për lavdinë e Tij. Vazhdo të jetosh jetën duke patur në mendje finishin, me besimin e shpresën që një ditë ashtu si Apostulli Pal do të mund të thuash se luftën e mirë e luftova, e mbarova vrapimin, e tani pres kurorën e lavdisë.

Shpresoj që e diela nuk do të jetë fundi i nja jave monotone, por do të sjellë gëzimin e një jave që po vjen, plot me mundësi për t’u jetuar për lavdinë e Perëndisë. Mos harro të veshësh gëzimin!

Rreth Autorit
mm

Ela Kole

Ka lindur në Kuçovë. Eshtë diplomuar pranë Universitetit të Tiranës, dega Administrim Biznesi/Menaxhim. Shërben me "Institutin Jeta e Re" që prej vitit 1999. Gjatë këtyre viteve, ka punuar me mobilizim, përkujdesje, drejtim të grupeve të ndryshme (gjimnazistë, studentë, politikanë dhe biznesmenë) dhe ka drejtuar departamente të ndryshme në nivel lokal dhe nivel kombëtar. Aktualisht punon në skuadrën e Strategjive Dixhitale. I pëlqen larmia dhe ndryshimet. Ela është e martuar me shokun e saj më të mirë dhe është nëna e një djali kureshtar, tre vjeçar.

E mirepresim komentin tuaj...