Gëzimi i Krishtlindjes në mes të hidhërimit

adminDhiata e Re, Krishtlindja 20190 Comments

Sepse unë jam i bindur se as vdekja, as jeta, as engjëjt, as pushtetet, as fuqia dhe as gjërat e tashme as gjërat e ardhshme, as lartësitë, as thellësitë, as ndonjë tjetër krijesë, nuk do të mund të na ndajë nga dashuria e Perëndisë që është në Jezus Krishtin, Zotin tonë. Romakëve 8:38–39

Një nga përjetimet e mia më të paharrueshme të Krishtlindjes ka qenë fundviti 1989. Ishte një sezon plot dëborë dhe ngrica, me liqene të ngrira në Medison, Uiskonsin, ku banon vëllai im. Kishin kaluar shtatë muaj që kur njerku im vdiq papritur, gjatë një operacioni për zëvendësimin e kockës së këllkut të këmbës.

Unë dhe im vëlla ishim të dy predikues të diplomuar në seminar dhe ishim trajnuar mirë për të kuptuar që kjo Krishtlindje e parë pa Edin, ishte një kohë e rëndësishme për t’i dhënë zemër nënës sonë. Sidoqoftë, ne që të dy dështuam totalisht në përpjekjet tona të gabuara për ta bërë të ndihej më mirë. Ne u fokusuam te Krishtlindja, duke u përpjekur të shmangnim bisedat për Edin. Kjo sigurisht që vetëm sa e mohoi realitetin dhe e bëri periudhën e festave edhe më të padurueshme për shkak të gëzimit sipërfaqësor.

Në fakt, shumë nga sezonet e Krishtlindjes unë i kam kaluar në mes të hidhërimit. Unë kam kaluar çdo Krishtlindje, përveç njërës, me vjehrrin tim për tridhjetë e pesë vjet me rradhë. Babai i tij kishte vdekur në vigjiljen e Krishtlindjes kur ai ishte vetëm 12 vjeç. Për vjehrrin tim, Krishtlindja ishte një kujtim i vazhdueshëm i boshllëkut që i ishte krijuar në shpirt në momentin kur babai i tij u largua përgjithmonë nga ai.

Për shumë prej nesh edhe këtë vit, hidhërimi njerëzor do të sfidojë kohën kur duhet të mblidhemi për të kënduar “Gëzuar Krishtlindjen!” me të afërmit tanë.

A është e mundur vallë të përjetojmë vërtet gëzimin e Krishtlindjes në mes të hidhërimit njerëzor?

Shtatë vjet pas dështimit të rëndë me nënën tonë që vajtonte humbjen e të shoqit, unë dëgjova një predikim Krishtlindjeje nga Tim Keller, i cili theksonte të vërtetën biblike që gëzimi i Krishtlindjes dhe hidhërimi njerëzor mund dhe duhet të bashkekzistojnë.

“Tre arsye për t’u gëzuar nëse Krishtlindja është e vërtetë”

  1. Situatat tona të këqia do të dalin për mirë.
  2. Ato gjëra vërtet të mira që kemi nuk mund të na merren kurrë.
  3. Gjërat më të mira nuk i kemi marrë akoma.

Ashtu siç mësojmë edhe nga Romakëve 8:38–39, asgjë “nuk do të mund të na ndajë nga dashuria e Perëndisë që është në Jezus Krishtin, Zotin tonë.”

Ky fakt është një arsye për t’u gëzuar gjatë Krishtlindjes dhe gjithmonë!

— Dr. K. Geri Barns
Profesor i Këshillimit Biblik Seminari Teologjik i Dallasit

Ky inkurajim është përkthyer me leje nga seria e Inkurajimeve të Krishtlindjes, inkurajime të shkruara nga profesorë të Seminarit Teologjik Të Dallasit, në Dallas, SHBA.

E mirepresim komentin tuaj...