Në kërkim të gëzimit në mes të marrëzisë…

adminDhiata e Re0 Comments

“Ti më ke bërë të njoh udhët e jetës, ti do të më mbushësh me gëzim në praninë tënde”… Dhe me shumë fjalë të tjera u përbetohej dhe i nxiste, duke thënë: “Shpëtoni veten nga ky brez i çoroditur!“. Dhe ata që e pranuan fjalën e tij me gëzim, u pagëzuan; atë ditë u shtuan rreth tre mijë veta. Ata ishin ngulmues në zbatimin e mësimit të apostujve, në bashkësi, në thyerjen e bukës dhe në lutje. Dhe të gjithëve u kishte hyrë druajtja; dhe shumë shenja e mrekulli bëheshin nga dora e apostujve. Por gjithë ata që besonin rrinin bashkë dhe çdo gjë e kishin të përbashkët. Dhe i shisnin pronat e pasuritë dhe ua ndanin të gjithëve, sipas nevojës së çdonjërit. Dhe ngulmonin me një mendje të vetme çdo ditë në tempull dhe, duke e thyer bukën nga shtëpia në shtëpi, merrnin ushqimin me gëzim dhe me thjeshtësi zemre, duke lavdëruar Perëndinë dhe duke gëzuar simpatinë e gjithë popullit. Dhe Zoti i shtonte kishës çdo ditë ata që ishin shpëtuar. Veprat e Apostujve 2:28, 40-47

Jemi rreth vitit 33. Jezusi është kryqëzuar. Vrarë. Pas tre ditësh, është ngritur nga varri i gjallë. Pasuesit e tij janë akoma të tronditur. E kanë tejkaluar tronditjen e parë, kur nuk kishin asnjë shpresë pas vdekjes së Mesias, por janë në pritje të përmbushjes së premtimit për ardhjen e Shpirtit të Shenjtë. Duket se shpresa e tyre tani shkon në këtë linjë: Jezusi u ringjall. Ai do të sjellë Frymën e Shenjtë mbi ne. Bota do të udhëhiqet nga Perëndia. Morën fund vuajtjet. Mbretëria do të vijë. Nuk ka më asnjë të keqe. Asnjë vuajtje. Asnjë pushtet të kalbur. Asnjë mundësi për të korruptuarit për të vazhduar në paudhësinë e tyre. Asnjë mashtrues që kërkon ndjekës për paudhësi të reja. Asnjë kullë për të ngritur. Asnjë teatër për të shembur. Asnjë intelektual që ngre dhe ul kauza të pamoralshme. Asnjë problem me mendjen e humbur. Asnjë çështje me imoralitetin. Asnjë krenar që shet mend. Asnjë brez të çoroditur.

“Zot, a do ta rivendosësh në këtë kohë Mbretërinë e Izraelit?” (Pyetja e dishepujve, drejtuar Jezusit të ringjallur, Veprat e Apostujve 1:6).

Por, Jezusi nuk e vendosi Mbretërinë e Izraelit, në formën që po prisnin dishepujt.

Jezusi dërgoi Shpirtin e Shenjtë te ndjekësit e Tij. Shumë ndjekës të tij e përjetuan ardhjen e Shpirtit të Shenjët publikisht, me “spektatorët” që kujtojnë se zhurma vjen nga një grup njerëzish të dehur.

Tani e mbrapa, dy popuj do të jetojnë bashkë. Një populli i zgjedhur, një tjetër i çoroditur. E kështu vazhdon edhe sot. Megjithëse jemi të gjithë njerëz, kemi ndryshime thelbësore: populli i Perëndisë jeton për Jezusin, pjesa tjetër e popullit, vazhdon kërkimin për përgjigje, si pjesë e brezit të çoroditur.

Herë pas here, ndërsa jetojmë të gjithë bashkë në të njëjtin ambient, duket sikur “popujt” ngatërrohen. Cili nga popujt është i çoroditur? Cili duhet të jetojë me gëzim, në mes të shumë problemeve?

Në pasazhin më sipër, është përmendur tre herë fjala “gëzim”: “Do më mbushësh me gëzim…”, “e pranuan fjalën e tij me gëzim”, “merrnin ushqimin me gëzim me thjeshtësi zemre.”.

A mund të kesh gëzim në mes të një brezi të çoroditur?

A mund të kesh gëzim, ndersa përballesh pa pushim, me një brez grricësh nervash, me një lukuni njerëzish që nuk gëzohen me asgjë, as me pasurinë e tejskajshme, as me pangopshmërinë e neveritshme që s’mbaron kurrë, me bërtitjet e pafundme nëpër sheshe, nëpër foltore, e nëpër studio të sajuara televizive, as me lirinë për të folur e për të bërtitur, as me popullin në këmbë e as më popullin ulur, as me kishën e gjallë, e as me kishën medituese, as me besimtarin e zjarrtë e as me besimtarin e kujdesshëm, as me profetë të drejtë e as me profetë të rremë, as me mrekulli të vërteta, as me iluzion mrekullish… Me një brez që nuk kënaqet me asgjë, sepse nuk e ka gëzimin e njohjes së Jezusit të ringjallur?

Jezusi i ringjallur është themeli i gëzimit. Jezusi i ringjallur është shpresa jonë se një ditë bota do të jetë më e mirë, më e drejtë. Kjo është shpresa për gëzim që nuk duhet injoruar nga të krishterët. Çdo gëzim tjetër është i përkohshëm.

Le të jetojmë gëzimin tonë, t’ju japim kështu një mundësi të tjerëve që e kanë zemrën të dëshpëruar të gjejnë gëzim. Le të jetojmë “me gëzim edhe me thjeshtësi zemre”, sepse duket qartë që disa kanë shumë nevojë të shohin një jetë që e di themelin e gëzimit.

Rreth Autorit
mm

Afrim Karoshi

Facebook Twitter

Afrimi Karoshi ka mbaruar Fakultetin Juridik në Tiranë, dhe studimet master në Studime Biblike dhe master në Media & Komunikim nga Seminari Teologjik i Dallasit. Eshtë drejtues i Albanian Digital Strategies (ADS). Ka pasion të komunikuarit përmes shkrimit, leximin, dhe i pëlqen bota e re dixhitale. Eshtë i martuar, me tre fëmijë.

E mirepresim komentin tuaj...