Të gëzohesh, të qeshësh…

adminDhiata e Re, Krishtlindja 20180 Comments

“Tani lindja e Jezu Krishtit ndodhi në këtë mënyrë: Maria, nëna e tij, i ishte premtuar Jozefit, por para se të fillonin të rrinin bashkë, mbeti shtatzënë nga Fryma e Shenjtë. Atëherë Jozefi, i fejuari i saj, i cili ishte njeri i drejtë dhe nuk donte ta poshtëronte botërisht, vendosi ta linte fshehtas. Por, ndërsa bluante me vete këto çështje, ja që iu shfaq në ëndërr një engjëll i Zotit dhe i tha: ”Jozef, bir i Davidit, mos ki frikë ta marrësh me vete Marinë si gruan tënde, sepse ç’është ngjizur në të është vepër e Frymës së Shenjtë. Dhe ajo do të lindë një djalë dhe ti do t’i vësh emrin Jezus, sepse ai do të shpëtojë popullin e tij nga mëkatet e tyre”. E gjithë kjo ndodhi që të përmbushej fjala e Zotit, e thënë me anë të profetit që thotë: “Ja, virgjëresha do të mbetet shtatzënë dhe do të lindë një djalë, të cilit do t’i venë emrin Emanuel, që do të thotë: “Perëndia me ne””. Mateu 1:18-23.

 

Atë ditë mezi po prisja të merrja djalin nga kopshti. Danieli ishte 4 vjeç dhe krenohej se ishte në grupin e dytë këtë vit. Doja të shikoja provat për festën e fundvitit. Edukatorja me pa kur hyra, por nuk e ndërpreu programin. Fëmijët ndërkohë po këndonin dhe kërcenin në dyshe. Djali sa më pa, erdhi dhe u struk tek unë. Nuk dukej i gëzuar. Më pas erdhi edukatroja e cila filloi ta imitojë e pastaj vazhdoi me disa vërejtje rrjesht: “Ai rri pa lëvizur kur këndojmë. As kërcen dhe as qesh kur këndojmë në kor.”

Megjithë përjetimin jo të këndshëm që kishte djali, e kuptoja gjithashtu edhe edukatoren në përpjekjen e saj për të ndihmuar djalin tim të festojë, të kuptojë festën e të gëzohet bashkë me të tjerët.

Kanë kaluar ditë dhe unë shoh se në njëfarë mënyre i përngjaj edukatores së djalit tim. Vjen festa e Krishtlindjes. 2021 vite më parë Maria ka lindur një djalë në Betlehem të Judesë. Për ta nuk kishte vend në han kur bebja lindi. Por vitet e fundit ka miliona turistë që shkojnë në Betlehem për të festuar lindjen e tij. Unë nuk do të shkoj në Betlehem, por mezi pres të festoj.

Emocionet dhe ritmin e festimit dua ta ketë çdo njeri. Jezusi nuk është ajo skluptura e vogël që ne vendosim në ambjentet festive të Krishtlindjes por është Emanuel – Perëndia me ne. Kush beson te Jezusi merr faljen e mëkateve.

Ke ndjerë ndonjëherë brengën e fajeve të tua apo të qoftë të një gabimi? Ai ka marrë ndëshkimin për ty në kryq. Do të doje një fillim të freskët nga Perëndia, nga Ai që nuk e kufizon e kaluara për të bërë çdo gjë të re? Ai ta dhuron këtë mundësi. Kjo është një prej të vërtetave që Jezusi bën për ty.

Si edukatorja, unë dua që ti të kërcesh nga gëzimi, të gëzohesh, të qeshësh. Por kur unë flas për Jezusin, ka njerëz indiferentë që i arratisen bisedës. Patjetër kam parë edhe njerëz të gëzuar. Po ty që të kam quajtur indiferent për Zotin, mospërfillës, më fal.

Djali im, Danieli, më tha që nuk kërcente, jo se nuk donte, por sepse nuk dinte. Nëse nuk e di kush është Jezusi, në atmosferën e Krishtlindjes, afrohu dhe njih Jezusin. Në këtë festë ka shpresë. Hidh hapat drejt një miqësie me Jezusin, plot emocion dhe ritëm.

Gëzuar Krishtlindjen!

Rreth Autorit
mm

Irida Zerani Hoxha

Irida Zerani Hoxha është nga Prrenjasi. Është diplomuar për Matematikë në Universitetin e Tiranës. Pas diplomimit iu bashkua stafit të Institutit "Jeta e Re". Ka punuar me të rinjtë në Tiranë, Shkodër, Prishtinë dhe me grupin e Strategjive Digjitale. Aktualisht është pjesë e një grupi të IJR-së që po punon për fillimin e një kishe të re. Irida është e martuar dhe ka tre fëmijë. Përveç matematikës i pëlqen letërsia dhe në kohën e lirë angazhohet edhe me MOPS, një lëvizje që synon të mbështesë dhe inkurajojë nënat e reja.

E mirepresim komentin tuaj...