Të folurit… pa bërtitur!

adminDhiata e Re2 Comments

Asnjë fjalë e keqe le të mos dalë nga goja juaj, por ajo që është e mirë për ndërtimin, sipas nevojës, që t’u japë hir atyre që dëgjojnë. Dhe mos e trishtoni Frymën e Shenjtë të Perëndisë, me të cilin u vulosët për ditën e shpengimit. Le të flaket larg jush çdo hidhërim, zemërim, inat, trazirë dhe shpifje me çdo ligësi. Por jini të mirë dhe të mëshirshëm njeri me tjetrin, duke e falur njëri-tjetrin, sikurse edhe Perëndia ju ka falur në Krishtin. Efesianëve 4:29-32

Kohët e fundit më ka rastisur shpesh të gjendem mes të bërtiturave, sharjeve dhe zënkave. Shumica prej tyre pa ndonjë arsye madhore. Edhe sot, e njëjta skenë. Burra, gra që ngrenë zërin sikur çdo problem zgjidhet në dy minuta bërtitje.

Disa i japin të drejtë vetes të bërtasin sepse ua lejon pozita. Statusi i tyre iu jep tagrin të shajnë, të përflasin, të nëpërkëmbin më të dobtit.

Edhe unë, nuk bëj përjashtim. E ngre zërin ndonjëherë. Por sa e shëmtuar është… Sa e shëmtuar! Dhe kjo, jo vetëm për shkak të volumit dhe toneve të larta, por më shumë për shkak të gjithë atyre fjalëve që thuhen në rrëmbim e sipër .

Më vonë pendohemi. Do të donim t’i tërhiqnim fjalët mbrapsht por nuk e kemi një luks të tillë. Ajo që thuhet nuk mund të ç’thuhet më. Është e vështirë të harrohet, e vështirë të falet. Pasojat janë të mëdha dhe të dëmshme. Është e vështirë të harrojmë rastet kur dikush ka komunikuar me ne, me tone të larta dhe pa respekt.

Jakobi, në letrën e tij, jo pa qëllim thekson aq shumë rëndësinë e përdorimit të gjuhës. Ai na paralajmëron që gjuha jonë (të folurit tonë) mund të na fëlliqë (turpërojë) (Jakobi 3:6). Ai thotë që gjuha është vendosur mes gjymtyrëve të tjera dhe si e tillë e fëlliq gjithë trupin (kur keqpërdoret).

Kështu edhe gjuha  është një gjymtyrë e vogël, por mbahet me të madh.

Ja një zjarr i vogël ç’pyll të madh djeg. Jakobi 3:5.

Unë, kur hetoj veten, gjej mjaft raste kur e keqpërdor gjuhën, të folurin tim. Nuk e përdor si një mjet për të inkurajuar ata që më dëgjojnë, nuk e përdor për të bekuar, për të thënë atë që është për ndërtim dhe për të mirën e tjetrit. Është shumë e lehtë dhe për mua ta gjej veten time duke iu çirrur të tjerëve. Duke thënë gjëra që nuk më nderojnë as mua, as ata që kam rrotull vetes. Mund të lëndoj miqtë dhe familjarët e mi, ata që i dua më shumë, nga një fjalë e thënë pa vend. Pa menduar. Në vendin tonë, në Shqipërinë tonë, “bërtitet shumë”. Ndaj duhet të jem një shembull se si e përdor gjuhën time. Që të mund t’i jap lavdi Perëndisë përmes të folurit.

Rreth Autorit
mm

Mira Mjeshtri

Mira është nga Burreli. Ka mbaruar studimet për Gjuhë-Letërsi në qytetin e Shkodrës. Ka punuar për disa vite me studentët e këtij universiteti dhe më vonë ka punuar me të rinjte në Universitetin e Tiranës. Mirës i pëlqen rinia! Leximi dhe të shkruarit jane ndër pasionet e saj që kur ishte fëmijë. Aktualisht punon në fushën e ndikimit të rinisë përmes strategjive dixhitale.

2 Comments on “Të folurit… pa bërtitur!”

  1. respekte,keni kapur vertet nje teme qe don vertet kurim,,sepse shpesh here duke filluar nga vetja,flasim ne menyre te ashper duke menduar se po ju flasim per te verteten ,por ne te vertet po i largojm nga rruga e se vertetes,,,faleminderit per ket pasazh dhe mendoj qe eshte i vlefshem dhe reflektues per gjithsecilin qe don ta kuptoje drejt dhe paqesish

    1. mm

      Mentor, faleminderit qe na keni vizituar dhe faleminderit per komentin tuaj. Eshte e vertete ajo qe keni thene se ndonjehere duke dashur te flasim per te verteten harrojme sesi komunikojme. Ju uroj gjithe te mirat dhe na vizitoni perseri.
      Lavdi
      per Lenten

E mirepresim komentin tuaj...