Gurët e përkujtimit…

adminDhiata e VjeterLeave a Comment

“Ju do t’u përgjigjeni kështu: “Ujërat e Jordanit u ndanë para arkës së besëlidhjes të Zotit; kur ajo kaloi Jordanin, ujërat e tij u ndanë dhe këta gurë do të jenë për bijtë e Izraelit një kujtim për jetë”.” Jozueu 4:7

Të gjitha ditët e jetës sonë në praninë e Krishtit, janë arsye për të kujtuar mirësinë, besnikërinë, e çdo atribut të Perëndisë tonë. Madje, jo vetëm kujtim me fjalë.

Çdo ditë e re kur zgjohemi në mëngjes, gjithçka shohim që kur hapim sytë e derisa i mbyllim përsëri në mbrëmje, çdo person zemre që njohim, ajri që marrim, toka ku shkelim, çdo peizazh i zbukuruar përsosur në natyrë – gjithçka – është dhuratë prej së larti për të festuar e për të qenë mirënjohës.

Ne mund të festojmë me të tashmen. Çdo gjë e vogël është arsye për të gëzuar. Sfida me shëndetin në familje, të kaluara nën dorën përkujdesëse e shëruese të Atit, hir në sytë e pedagogëve edhe atëherë kur ishte e vështirë, mirëkuptimi i prindërve kur vendosa të ndjek thirrjen e Zotit në punën misionare që bëj, më mahnit. Dora e Tij besnike ka siguruar financat e mjaftueshme vazhdimisht, kam miq plot që janë gati të më ndihmojnë për të bërë më të mirën time, Zoti ka siguruar hir shpëtues pavarësisht rebelimit tim. E shumë më tepër!

Për ne që njohim karakterin e Atit, madhështinë e fuqisë së Tij mrekullibërëse, është e lehtë të pranojmë atë që Zoti ka bërë në jetën tonë. Të tjerë që nuk e njohin Atë, e kanë të veshtirë ta shohin me sytë e tyre transformimin. Ne duhet t’jua tregojmë. Në këtë mënyrë emri i Tij bëhet i njohur. Cilësitë e karakterit të Tij marrin jetë e bëhen të prekshme.

Kur Izraeli kaloi lumin Jordan, kërkesa e Zotit ishte që dymbëdhjetë përfaqësuesit e fiseve të merrnin nga një gurë nga lumi, si një shenjë për të kujtuar përjetë, veprën që bëri Perëndia…

“Me qëllim që tërë popujt e tokës të pranojnë që Zoti ka dorë të fuqishme, dhe që ju të keni gjithnjë frikë nga Zoti, Perëndia juaj””, shkruan Jozueu ndërsa tregon ngjarjen (Jozueu 4:24).

Perëndia ynë ka hapur rrugë aty ku ka qënë e pamundur, Perëndia ynë e ka ndalur diellin, ka siguruar fitore për Izraelin, ka luftuar për popullin e Tij. Perëndia ynë ende lufton për ne, ende i hap rrugët e pamundura, mund të ndal diellin e të lëviz malet. Ende. Ne i besojmë një Perëndie që ende siguron. Ne kemi për Zot një Perëndi që gjithmonë i mbanë premtimet. Një Perëndi që na e bën të njohur veten çdo ditë.

Ndërsa Zoti na drejton në toka të mundura e të pamundura, le të jemi të kujdesshëm të mbledhim “gurët” për cdo rast. E le të jetë çdo gur një përkujtim përjetë për ne dhe një e vërtetë e re e zbuluar për Krijuesin, që të jemi ndihmë edhe për ata që nuk arrijnë ta shquajnë madhështinë e Tij.

Rreth Autorit
mm

Ortensia Qeraj

Ortensia Qeraj është nga Berati. Ka mbaruar studimet Bachelor për Infermieri të Përgjithshme në Tiranë. Prej dy vitesh, i është bashkuar stafit të Institutit Jeta e Re, duke ndihmuar studentët të gjejnë jetë në Krishtin. I pëlqen arti dhe çdo gjë që ka të bëjë me krijimin.

E mirepresim komentin tuaj...