Halloween? Po sikur ta shikosh ndryshe?

Admin 2Dhiata e ReLeave a Comment

“Dhe Jezusi, kur e dëgjoi, u tha atyre: “Nuk janë të shëndoshet që kanë nevojë për mjekun, por të sëmurët; unë nuk erdha për të thirrur të drejtët, por mëkatarët për pendim.” Marku 2:17

Halloween po vjen. Nuk mund ta shmangësh, as përballjen tënde me të, as përballjen e fëmijëve të tu. Shenjat gjenden gjithandej: në markete, në dyqane veshjesh, në kafene, në rrugë – kudo! Si duket dhe në kohë pandemie, zhurma e Halloween-it nuk do të mungojë! 

E di që shumë prej miqve të mi janë të neveritur nga nxitja e kësaj ngjarjeje. Por unë, mezi e pres 31 Tetorin. Sepse është ndoshta e vetmja ditë e vitit, kur fëmijët në pallatin ku banoj mblidhen bashkë, e trokasin derë më derë për të marrë karamele. Me maska e kostume, trokasin dhe te dera ime. 

Më kujton fëmijërinë time kur dilnim çdo 13 mars për llaxore në lagje, një natë përpara Ditës së Verës. Të dyja janë festa pagane. Por, siç e përmenda, disa prej miqve të mi, kanë reagim më radikal kundër festës së Halloween-it. 

Megjithëse e kuptoj merakun e tyre, unë kam një përqasje tjetër. Çfarë ndikimi ka rezistenca ime kundër Halloween-it? Njerëzit po i bashkohen haresë së festës, pavarësisht nga mendimi im; dua apo nuk dua unë, më pëlqen apo s’më pëlqen ata do të maskohen frikshëm dhe do të dalin rrugëve. 

Por mundësia që fëmijët e pallatit të vijnë te dera ime për “trick or treat” nuk vjen shpesh. Për mua, është një mundësi e rrallë për t’ju shërbyer, për t’ju treguar dashuri e përkujdesje, për t’ju thënë me kujdes mendimin tim për Halloween pa iu “predikuar”, t’i nxis që të vishen me kostumet e personazheve që pëlqejnë dhe jo të vënë maska fantazmash në fytyrë. Por përtej mësimit, është një mundësi t’ju tregoj me vepra e jo me fjalë, se ata janë me vlerë; se unë kujdesem për ta, jo sepse po bëjnë një gjë të mirë por sepse Zoti ka dhembshuri për ta. Zoti më ka vënë në zemër dhembshuri për ta!

Halloween është vetëm një ditë. Zhurma e “fantazmat” e frikshme harrohen pas 31 Tetorit. Ndërsa fëmijët e pallatit i takoj përditë. I shikoj shpesh në oborr duke lozur. Shpesh i shoh me celular në dorë, duke folur me njëri-tjetrin, ose duke shtyrë njëri-tjetrin e duke ngritur zërin. Miqësia që kam ndërtuar me ta – dhe në datën 31 Tetor ndërsa ju jap karamele, më ka lënë një derë të hapur t’ju flas herë pas here, t’i ndihmoj, të bashkohem me ta, t’ju kujtoj që të lozin mirë e të vlerësojnë njëri-tjetrin, t’ju them si me gjysmë shaka se është koha për ta lënë celularin e për të lëvizur pak… Disa prej tyre më dëgjojnë, jo thjesht se jam e rritur, por sepse iu kam buzëqeshur dhe i kam mikpritur në 31 Tetor te dera e apartamentit tim. 

Nëse dëshira e tyre për t’u maskuar e për t’u dukur ndryshe një ditë, të jep mundësinë që t’ju tregosh dashurinë e Zotit shumë ditë të tjera, a nuk duhet ta shikojmë këtë festë si mundësi dhe jo si kërcënim? 

A nuk bëri Jezusi të njëjtën gjë, kur nuk i refuzoi tryezën tagrambledhësve, njerëzve të urryer të kohës, të cilët ishin të përzier me lloj lloj padrejtësisht e lloj lloj papastërtish? Por, ai shfrytëzoi çdo mundësi për të sjellë dritë e shpëtim në jetët e njerëzve që ishin “të sëmurë”… pa dashurinë e Tij.

Këtë Halloween shfrytëzoje mundësinë për t’i qëndruar afër dikujt që ka nevojë… dhe në t’u krijoftë mundësia, jetoje dashurinë e Jezusit bashkë me ta…

Duke kaluar, pa Levin, birin e Alfeut, i cili qe ulur në vendin e tatimeve, dhe i tha: “Ndiqmë!.” Ai u ngrit dhe e ndoqi. Dhe ndodhi që, kur Jezusi ishte në tryezë në shtëpinë e Levit, shumë tagrambledhës dhe mëkatarë u ulën në tryezë me Jezusin dhe me dishepujt e tij; në fakt ishin shumë ata që e ndiqnin. Atëherë skribët dhe farisenjtë, duke e parë se po hante me tagrambledhës dhe me mëkatarë, u thanë dishepujve të tij: “Qysh ha dhe pi ai bashkë me tagrambledhës e me mëkatarë?.” Dhe Jezusi, kur e dëgjoi, u tha atyre: “Nuk janë të shëndoshet që kanë nevojë për mjekun, por të sëmurët; unë nuk erdha për të thirrur të drejtët, por mëkatarët për pendim.” Marku 2:14-17

Rreth Autorit
mm

Admin 2

Lavdi Karoshi ka mbaruar studimet në Universitetin e Tiranës, fakulteti Ekonomik, dega Financë. Pas mbarimit të studimeve, iu bashkua lëvizjes Instituti "Jeta e Re", duke shërbyer me degën studentore të IJR-së në Tiranë dhe në Vlorë. Prej mëse 8 vitesh, punon me ekipin e Strategjive Digjitale të IJR-së. Ajo është koordinatore e platformës Lente dhe konsulente e Drejtimit të Karrierës. Ka pasion edukimin. Është mama e tre fëmijëve.

E mirepresim komentin tuaj...