Hiri i keqkuptuar…

adminDhiata e Re0 Comments

“Le të mos mbretërojë, pra, mëkati në trupin tuaj të vdekshëm, që t`i bindeni atij në epshet e veta. As mos i jepni gjymtyrët tuaja në shërbim të mëkatit si mjete paudhësie, por tregoni veten tuaj te Perëndia, si të gjallë prej së vdekurish, dhe gjymtyrët tuaja si mjete drejtësie për Perëndinë.”

Rom 6:12-13

Hiri është doktrina e krishterë që skandalizon botën.

Është një lloj provokimi sepse nga njëra anë nuk i jep njeriut asnjë meritë në shpëtimin e tij, dhe nga ana tjetër nuk ka asnjë limit për sasinë e mëkateve apo për llojet e tyre, të cilat falen prej Perëndisë. Çdo lloj mëkatari i penduar është i pranuar nga Perëndia.

Dostojevski, e përmblodhi këtë ide në këto fjalë te “Vëllezërit Karamazov”:

“Se në tokë nuk ka dhe nuk mund të ketë të tillë mëkat që Zoti me dashurinë e Tij të pafund të mos e falë atë që pendohet me gjithë shpirt. Se njeriu nuk mund të kryejë një mëkat aq të madh, sa t’ia kalojë dashurisë së Perëndisë. Hë, a mund të ketë mëkat të tillë, që ia kalon dashurisë së Zotit? Ti, për pendesën bëj kujdes, ajo duhet të mos ndërpritet, kurse për frikën, hiqe nga mendja. Beso që Zoti të do aq shumë, sa ti as me mend nuk e merr dot, të do edhe pse ke bërë mëkat.”

Njësoj si mendimet e Apostullit Pali: “Aty ku mëkati është i tepruar, hiri është akoma më i tepërt”, Romakëve 5:20.

Shpesh kjo ide biblike keqkuptohet. Për shembull, kur dikush argumenton: “Meqenëse jemi të shpëtuar nga hiri i Zotit dhe jo nga veprat tona, dhe meqenëse hiri shtohet edhe më shumë kur mëkati është më i madh, pse mos të vazhdojmë të mëkatojmë edhe pasi jemi bërë besimtar në Krishtin”, duket se e ka keqkuptuar idenë.

Apostulli Pal është takuar me këtë argument shpesh. Kurrë mos qoftë!, thotë ai ndërsa shtjellon përgjigjen. Si mundet të mëkatojë një i vdekur? Sepse, sipas Palit, ne, ndjekësit e Jezusit, jemi të vdekur për mëkatin.

Përse argumenton Pali që ne jemi të vdekur për mëkatin?

“Por a nuk e dini se ne të gjithë që u pagëzuam në Jezu Krishtin, u pagëzuam në vdekjen e tij?”

Pra kjo vdekje e jona për mëkatin, buron nga bashkimi ynë me vdekjen e Jezusit. Kur Jezusi vdiq, ai pagoi borxhin tonë. Ai vdiq për ne. Vdekja e tij u numërua si vdekja jonë , ose ndryshe themi se vdekja jonë numërohet në vdekjen e tij, sepse mëkati ishte i yni, dhe jo i Krishtit. Duke u bashkuar me vdekjen e Jezusit ne “i kemi larë hesapet” me mëkatin njëherë e përgjithmonë. Ne kemi vdekur për mëkatin.

A ramë dakord kur besuam që mëkati ynë solli dënimin dhe bëri që Krishti të vuaj? A e cilësuam mëkatin si të keq dhe të papranueshëm, kur besuam? Tani, si është e mundur të dëshirojmë të mëkatojmë sa më shumë? Kjo nuk ka kuptim. Si ndjekës të Krishtit, nuk duhet ta dëshirojmë një stil të tillë jetese.

Në romanin “Të mjerët” ka një pjesë domethënëse ku shfaqet hiri. Prifti, në vend që ta denoncojë Xhan Val Zhanin para policëve për vjedhjen dhe dhunimin që ai i ka bërë një natë më parë kur e kishte strehuar dhe i kishte dhënë ushqim, ai i dhuron atij edhe disa sende të tjera prej argjendi. Jeta e hajdutit ndryshoi tërësisht pas këtij gjesti.

Imagjinoni sikur Val Zhani që shkon çdo natë tek shtëpia e priftit për ta keqtrajtuar e vjedhur, ndërsa ky i fundit e ushqen edhe e strehon. Çdo mbërmje ai e godet edhe e grabit. Ndërsa në mëngjes prifti e fal e i jep akoma më shumë sende me vlerë. Do të dukej, siç do të ishte, një abuzim – dhe jo një reagim në përputhje me faljen e jetuar.

Besimtari që do të mëkatonte me dashje në mënyrë që të tepronte hiri i Perëndisë nuk do të dukej ndryshe. Mëkati i tij do të dukej gjithmonë e më i shëmtuar ndërsa hiri i Perëndisë gjithmonë e më madhështor.

Duhet të synojmë të ndahemi çdo ditë nga mëkati, ashtu siç jemi ndarë njëherë e përgjithmonë për shkak të bashkimit me vdekjen e Krishtit, të përputhim atë që jetojmë praktikisht me atë që është e vërtetë!

Ne si besimtar mund të mëkatojmë, por s’na ka hije. Nuk është një jetë sipas identitetit që kemi. Ne duhet t’ia kujtojmë vetes këtë identitet te ri, përmes të cilit ne kemi edhe te gjitha burimet për të mos jetuar sipas natyrës së vjetër.

Kur i bindemi mëkatit ne harrojmë se cilët jemi!

Prandaj Pali na bënë thirrje që të “bëhemi ata që jemi”.

Rreth Autorit
mm

Kaon Serjani

Kaon Serjani lindi në Iliras të Tepelenës në vitin 1984. Shkollën e mesme e kreu pjesërisht në vendlindje dhe në Gjirokastër, faktor ky që luajti një rol kyç në formimin e tij kulturor dhe shpirtëror. Në vitin 2007 u diplomua në degën e gazetarisë, në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë në Tiranë. Në po këtë vit iu bashkua organizatës ndërkombëtare Instituti “Jeta e Re”, duke iu kushtuar kryesisht lëvizjes së të rinjve. Është autor i romanit "Qelia e Lirisë".

E mirepresim komentin tuaj...