I Mbinatyrshmi dhe të Thjeshtët

adminDhiata e Re, Krishtlindja 20180 Comments

Në atë vend gjendeshin disa barinj që kalonin natën nëpër ara duke ruajtur tufën e tyre. Një engjëll i Zotit iu shfaq atyre dhe lavdia e Zotit i mbështolli me dritë. Ata u trembën shumë, por engjëlli u tha: “Mos kini frikë! Ja, po ju jap lajmin e mirë, një gëzim të madh për të gjithë popullin: Sot, në qytetin e Davidit ka lindur për ju një shpëtimtar që është Krishti Zot. Shenja për ju do të jetë kjo: do të gjeni një fëmijë të mbëshjellë në pelena dhe të shtrirë në grazhd” Luka 2:8-12

Imagjino për një moment. Shiko edhe njëherë me vëmendje qiellin që ndoshta e ke parë me mijëra herë. Ai sapo e ka humbur kaltërsinë e tij, por ti mund të dallosh yjet që mezi shquhen sepse muzgu sapo ka rënë. Eshtë përsëri një nga ato netët ku ti je i vetëm përballë gjithë hapësirës.

Me siguri ndonjëherë kur ke rënë në mendime të thella ke menduar se si gjithë kjo hapësirë, gjithë kjo yjësi ka ardhur në ekzistencë. Ti natyrshëm ndoshta ke menduar se një qenie e mbinatyrshme, e quajtur nga shumë Zot, ka krijuar gjithçka që sheh.

Por përqëndrimi yt nuk ka qënë gjithmonë në gjetjen e të Mbinatyrshmit. Ti, si gjithë qeniet e tjera njerëzore, me siguri për shkak të halleve të tjera të rëndësishme, i je larguar zbulimit të tij. Por përsëri jeta jote ka vazhduar në rrotullim rreth këtyre dy rrethanave të pashmangshme, midis qiellit dhe tokës në të cilën jeton.

Le të bëjmë një hap mbrapa duke u kthyer përsëri aty ku ishim më parë. Ti dhe yjet përballë njëri-tjetrit në një natë ku muzgu sapo ka rënë. Ata që do të më kuptojnë tani janë të gjithë ata që të paktën njëherë në jetën e tyre kanë soditur qiellin plot yje në një natë të kthjellët me hënë. Rojet e natës, barinjtë, ushtarët – jam i sigurt që do të më kuptojnë edhe më shumë.

Në një natë të tillë, më shumë se 2000 vjet më parë, Perëndia zgjodhi t’ju tregonte një lajm mahnitës njerëzve të thjeshtë si ti edhe unë, njerëzve me të njëjtat sfida rreth së padukshmes ndoshta, me hallet e vazhdueshme të jetës, njerëzve që përpiqeshin të jetonin me sakrificë. Ky lajm kishte të bënte me ardhjen e Jezu Krishtit, Mesias, Shpëtimtarit që kishte lindur.

A e dini që nëse jeni në kategorinë e njerëzve të thjeshtë, tek kategoria e njerëzve të sapopërmendur në të cilën ishin edhe barninjtë e Betlehemit, je në kategorinë e njerëzve që Perëndia do të komunikojë diçka nga vetja e Tij?

Nuk është se Perëndia ka të preferuar, por Ai e ka të pamundur ta shfaqë veten e Tij te njerëzit që nuk janë të gatshëm ta mirëpresin.

Siç e thotë edhe autori C.S.Lewis: “Kur ti vjen në njohjen e Perëndisë, iniciativa i mbetet Atij. Nëse Ai nuk e shfaq Veten e vet, nuk mund të bëni asgjë për ta gjetur Atë. Dhe në fakt, Ai ua shfaq veten më shumë disa njerëzve sesa disa të tjerëve, jo sepse Ai ka preferenca, por sepse është e pamundur për Të t’ia shfaqë veten një personi, mendja dhe karakteri i të cilit janë në gjëndjen e gabuar. Njëlloj si drita e diellit, e cila nuk ka preferenca, por nuk mund të reflektohet në një pasqyrë të pluhurosur po aq qartë sa në një pasqyrë të pastër.”

Nëse je në këtë kategori të njerëzve realë edhe nëse ke profesionin më pak të vlerësuar sot, ashtu si barinjtë 2000 vjet më parë, ti je në kategorinë e preferuar të Perëndisë.

Dhe ashtu si Perëndia iu shfaq këtyre njerëzve të thjeshtë dhe të pavlerësuar, këtyre vetmitarëve që qëndronin nëpër natë, në këtë kohë krishtlindje, Ai mund t’i flasë edhe zemrës tënde.

Ji gati të njohësh të Mbinatyrshmin e yjeve që ke soditur gjithmonë.

Gëzuar Krishtlindjen!

Rreth Autorit
mm

Genci Hoxha

Genci Hoxha është nga Devolli. Ka mbaruar studimet e larta në Universitetin Politeknik të Tiranës, në degën Inxhinieri Elektronike. Ka punuar për 11 vite me të rinjtë, në lëvizjen e Institutit "Jeta e Re" (IJR). Pasioni i tij është njohja dhe mësimi i Fjalës së Perëndisë, Biblës. Në kohën e lirë pëlqen të shkruajë poezi, të merret me atletikë dhe alpinizëm.

E mirepresim komentin tuaj...