Jashtë Egjiptit

adminDhiata e Re, Krishtlindja0 Comments

“Ne e kemi edhe më të vërtetuar fjalën profetike, të cilës bëni mirë t’i kushtoni kujdes, si një kandil që ndriçon në një vend të errët, derisa të zbardhë dita dhe ylli i dritës të lindë në zemrat tuaja.”  2 Pjetrit 1:19

-Babi, a arritëm?

Kishte qenë një udhëtim i gjatë dhe i ftohtë. Motra dhe vëllai i tij po flinin në sediljet mbrapa. Mamaja ishte shtrirë përkrah tyre dhe dëgjonte, duke zgjatur kokën që poshtë batanijes, të shoqin dhe djalin e tyre të madh të ulur krah për krah që bisedonin në errësirë. Përshpëritjet e tyre qëndronin të ngrira në ajër.

-Na duhen edhe disa orë për të arritur bir.

-Ma trego edhe një herë historinë babi, të lutem!?

Babai fërkoi sytë dhe hodhi vështrimin përjashta mbi shkurret e thata të cilat mbushnin peizazhin që kalonte anash me ngadalë.

-Pse nuk luajmë një lojë më mirë?

-A luajmë me emrat e yjeve?

-Patjetër, me emrat e yjeve do të luajmë atëhere. Fillo ti i pari!

Nëna e djalit u mahnit nga emrat që u vinte djali i saj konstelacioneve. Babai e korrigjonte sa herë që ai ngatërronte emrin e ndonjërit, por djali buzëqeshte dhe i thoshte: “Kështu më pëlqen ta quaj unë.” Ai kishte mendje më vete, kjo ishte e sigurt! Ajo e kishte kuptuar këtë që ditën kur lindi ai. Djali i saj kishte mënyrën e vet për gjithçka.

Ajo vështronte të birin teksa ai kërkonte yjet, duke mos arritur të gjente aq shumë sa njihte. Ajo e pa tek u kthye nga i ati, buzëqeshi dhe e pyeti: “Pra babi, a arritëm?” Por nuk tingëlloi si një pyetje. Shkretëtira shtrihej para tyre drejt horizontit të lindjes dhe yllit të mëngjesit. Babai e mbështolli të birin me krahun e vet dhe e tërhoqi më afër. Pastaj i tha diçka në vesh butësisht. Edhe djali i përshpëriti diçka babait në vesh. Nëna nuk arrinte t’i dëgjonte, por buzëqeshi.

Patjetër që kishin arritur, sepse kudo ku ishte Jezusi, ishte edhe shtëpia e tyre.

— Dr. Reg Grant
Kreu i Arteve Mediatike dhe Adhurimit, Asistent Profesor i Arteve Mediatike dhe Adhurimit

Ky inkurajim është përkthyer me leje nga seria e Inkurajimeve të Krishtlindjes, inkurajime të shkruara nga profesorë të Seminarit Teologjik Të Dallasit, në Dallas, SHBA.

E mirepresim komentin tuaj...