Jeta pas kësaj jete…

adminDhiata e Re0 Comments

“… sepse ky trup që prishet duhet të veshë mosprishjen dhe ky ivdekshëm të veshë pavdekësinë. Edhe ky trup që prishet, kur të veshë mosprishjen, edhe ky i vdekshëm kur të veshë pavdekësinë, atëherë do të realizohet fjala që është shkruar: “Vdekja u përpi në fitore.” O vdekje, ku është gjëmba jote? O ferr, ku është fitorja jote? Edhe gjëmba e vdekjes është mëkati; dhe fuqia e mëkatit është ligji. Por ta falënderojmë Perëndinë që na jep fitoren me anë të Zotit tonë Jezu Krisht. Prandaj, o vëllezërit e mi të dashur, qëndroni të fortë e të patundur, duke tepruar përherë në veprën e Zotit, duke e ditur se mundi juaj nuk është i kotë në Zotin.

I Korintasve 15:53-58

Tre ceremoni varrimi në një javë. Lot. Dheu i fundit mbi qivure. Shtrëngime duarsh. Ngushëllime. Dhimbja e padurueshme e ndarjes.

Si të përballemi me vdekjen? Ta shmangim s’mundemi. Derisa na troket frikshëm në derë…

A ka jetë pas vdekjes? A ka shpresë se jeta ka kuptim përtej ditëve të numëruara të kësaj bote, një jetë përtej vdekjes, po aq e prekshme sa ajo që jetojnë sot?

“Kush u kthye prej andej për të na treguar se si ishte?” – pyesin shpesh skeptikët!

Krishti është i vetmi që ka një përgjigje të sigurt për vdekjen. Sepse Ai vdiq dhe u ringjall, për të na treguar botën e përtejme…

Megjithatë, çuditërisht, Jezusi nuk e shoi kuriozitetin tonë në lidhje me të mirat e parajsës. Ai iu tregoi ndjekësve të tij sigurinë e parajsës…

Siguria vjen prej fjalëve të tij. Ai iu tregoi ndjekësve rrjedhën e ngjarjeve përpara vdekjes. Ai do të mohohej, do të tallej, do të vdiste në duart e udhëheqësve fetarë të kohës. Ditën e tretë do të ringjallej nga të vdekurit.

Siguria vjen prej vdekjes së tij të sigurt. Ai nuk kishte se si t’i ngjante dikujt tjetër. Zoti nuk është gënjeshtar. E as nuk tallet me ndjenjat e të tjerëve. Gjaku e gozhdët mbi trupin e tij nuk gënjejnë. Dhe fryma e tij e fundit u dha përpara dëshmitarëve.

Siguria vjen prej varrit bosh. Teoritë konspirative nuk janë mbushamendëse. Trupin nuk kishte si ta merrte njeri. As motivim për vjedhje s’kishte. Rojet e dinë të vërtetën.

Siguria vjen prej shfaqjes së tij – të gjallë e me shenja plagësh në trup – më shumë se 500 vetave. Iu shfaq Pjetrit, Jakobit. Dishepujve të tjerë. Disa vite më vonë iu shfaq edhe Pjetrit. Fizikisht. Me trup e me shpirt. Ai, Jezusi i vërtetë!

Siguria vjen prej dëshmisë së atyre qe kanë prekur e parë Jezusin me sytë e tyre. Kush mund të na e thotë të vërtetën përveçse atyre që kanë qënë aty? Të tjerët, që e tregojnë historinë e Jezusit ndryshe, flasin qindra vite larg prej ngjarjes…

Ai u ngjall nga varri. I pari. Si një provë, se ne që i besojmë Atij, do të jetojmë përjetësisht, si Ai.

Autori Tim Keller, në librin e tij “Arsye për Perëndinë” shkruan: “Nëse Jezusi u ngjall nga të vdekurit, atëherë duhet të pranosh çdo gjë që tha; nëse nuk u ngjall nga të vdekurit, përse të shqetësosh për ndonjë prej fjalëve të tij? Çështja nga varet gjithçka tjetër nuk është nëse të pëlqen ose jo mësimi i tij por nëse u ngjall apo jo nga të vdekurit.”

Jezusi e ka mundur vdekjen me siguri. Në fjalët e Apostullit Pal, ka ngelur vetëm mundësia për një këngë falenderimi për Zotin:

“Vdekja u përpi në fitore.”

O vdekje, ku është gjëmba jote?

O ferr, ku është fitorja jote?

Edhe gjëmba e vdekjes është mëkati;

dhe fuqia e mëkatit është ligji.

Por ta falënderojmë Perëndinë

që na jep fitoren me anë të Zotit tonë Jezu Krisht.”

Dhe pas këngës, kemi detyrimin për të jetuar një jetë me bindje në përputhje me mësimet e Atij që e ka mundur vdekjen. Pavarësisht nga kostoja.

Miku ynë i vogël 6 vjeçar, Danili, e humbi betejën me sëmundjen e tij.Por për familjen e tij, ndjekës të Jezusit, beteja nuk është humbur. Vetëm katër ditë përpara se Danieli të ndërronte jetë, mamaja e tij shkroi këto fjalë në faqen e tyre të web-it, ku tregojnë historinë e Danielit.

“Daniel James Jackson, jam krenare për ty. Nëse Jezusi po të thotë “eja në shtëpi”, shko! Por nëse po të thotë “qëndro” vazhdo lufto! Lufto! Çfarëdo që të ndodhë, jam krenare për ty. Është privilegj dhe bekim të jem mamaja jote… Na ke bërë të gjithëve më të mirë. Jam një person më i mirë sepse jam mamaja jote. Do të të mbajmë gjithmonë në zemër… Zemrën e kam të rëndë. Sonte kishte një ylber në qiell pas stuhisë. Perëndia gjithmonë na e jep atë ylber.”  

E lexoni dhimbjen në fjalët e një nëne që po humb djalin e saj? Vdekja nuk është e lehtë. E lexoni shpresën në fjalët e një nëne që do ta shikojë prapë djalin e saj? Sepse Jezusi e ka mundur vdekjen, kemi shpresë, për një jetë tjetër me të… pa vdekje, pa lot…

* Në përkujtim të Daniel Jackson.

Rreth Autorit
mm

Afrim Karoshi

Facebook Twitter

Afrimi Karoshi ka mbaruar Fakultetin Juridik në Tiranë, dhe studimet master në Studime Biblike dhe master në Media & Komunikim nga Seminari Teologjik i Dallasit. Eshtë drejtues i Albanian Digital Strategies (ADS). Ka pasion të komunikuarit përmes shkrimit, leximin, dhe i pëlqen bota e re dixhitale. Eshtë i martuar, me tre fëmijë.

E mirepresim komentin tuaj...