Cili është ky… mbret?

adminDhiata e Re, Pashka0 Comments

“I thoni bijës së Sionit: Ja po të vjen mbreti yt, zemërbutë… Dhe kur ai hyri në Jerusalem, gjithë qyteti u ngrit në këmbë dhe tha: “Kush është ky?” Mateu 21: 5, 10

Tirana me rrugë periferike bosh. Asnjë makinë në qarkullim. Të gjithë duke ecur në këmbë. Pastaj rradhë të gjata pritjeje. Orë të tëra duke pritur vizitorin e famshëm. Për ta përshëndetur. Për ta takuar. Për një kujtim në foto me të. Ai mbërrin në aeroport. Niset drejt Tiranës mes kamerave televizive që i gjurmojnë çdo hap. Dhe pastaj shikon njerëzit përmes xhamit të makinës që përshkon turmën me shpejtësi.

Disa e shohin nga afër. Disa e takojnë. Disa e prekin. Disa e dëgjojnë. Vizitori i famshëm mbaron vizitën e tij disa orëshe dhe pastaj nis rrugën e kthimit. Turma shpërndahet. Dhe qyteti kthehet në jetën e përditshme.

Ky është rituali i disa të famshmëve që kanë vizituar Tiranën në vitet e fundit.

Një turmë tjetër, shumë vite më parë, doli në rrugë për të pritur një person. Ai trokiti në portat e Jerusalemit hipur mbi një kërriç. Turma që e rrethon nuk ka telefona të mençur për foto me të, por heqin gunat për t’ia shtruar rrugën. Të tjerë s’kanë parulla në duar, por presin degë palmash për ta plotësuar “tapetin e kuq”. Askush nuk i orkestron thirrjet e tyre, por kori i tyre dëgjohet duke thirrur: “Hosana… Bekuar qoftë ai që vjen në emër të Zotit!”.

Lavdi Mbretit që ka ardhur për të na shpëtuar!

Përse kjo pritje për Jezusin?

Ai ishte thjesht një profet nga Nazareti i Galilesë. Përse turma po e pret si një mbret? Përse po e nxisin drejt rrugës së pushtetit?

Nuk është thjesht zelli i një turme që ka gjetur një kandidat të mirë për mbret. Por janë miq dhe ndjekës të Jezusit, të cilët pasi kanë jetuar rreth tre vite me të, e kanë kuptuar se ky është Mbreti i Premtuar nga Perëndia, për të çliruar Izraelin nga sundimi i armiqve romakë. Për t’u çliruar nga pushtuesi njëherë e përgjithmonë!

Dhe Jezusi bëri çmos t’ja tregojë turmës se ai ishte vërtet mbreti. Ai kërkoi një gomar, një kërriç, për të hyrë në Jeruzalem. Edhe turma edhe ai vetë, e dinë mirë deklaratën e profetit Zakaria, 500 vjet përpara kësaj të diele, se Mbreti zemërbutë do të vijë “hipur mbi një gomar, madje një pulisht…” (Zakaria 9:9).

Dhe ja ku u shfaq Mbreti, hipur mbi gomar, duke përshkruar tapetin e tij të kuq.

Turma e di gjithashtu, se një këngë këndohej prej brezash të tërë për të përkujtuar këtë ditë. Ishte shkruar për t’u kënduar kur mbreti i premtuar të shfaqej. Kënga thoshte: “Hosana, Birit të Davidit! Bekuar qoftë ai që vjen në emër të Zotit. Hosana në vendet më të larta!”

Ishte një këngë që i gëzohej shpëtimit të Perëndisë.

Hosana! Zot na shpëto! Zot, faleminderit që po na shpëton!

Dhe ja ku u shfaq Mbreti, shpëtimtari, zemërbutë, mbi një gomar, duke përshkruar tapetin e tij të kuq.

Atë të diel, ngjashëm me një personalitet botëror që viziton Tiranën e sotme, një mbret u shfaq në rrugët e mbushura të Jerusalemit. I gjithë qyteti e priti. Dhe nuk pritën për ta përcjellë. Por e pritën për ta mbajtur në krye të vendit. E kishin gjetur më në fund, Mbretin Shpëtues, që do ti çlironte nga e keqja…

Disa, që thjesht kanë dëgjuar brohoritjet, tani po pyesin: “Kush është ky?”

Jezusi. Profeti nga Nazareti. Mbreti! Ai që do të marrë në dorë mbretërinë e Izraelit. Akti i parë ka filluar!

Tani duhet të presim se si do të zhvillohen ngjarjet pas së dielës… të hënën, të martën… deri të dielën tjetër!

Rreth Autorit
mm

Afrim Karoshi

Facebook Twitter

Afrimi Karoshi ka mbaruar Fakultetin Juridik në Tiranë, dhe studimet master në Studime Biblike dhe master në Media & Komunikim nga Seminari Teologjik i Dallasit. Eshtë drejtues i Albanian Digital Strategies (ADS). Ka pasion të komunikuarit përmes shkrimit, leximin, dhe i pëlqen bota e re dixhitale. Eshtë i martuar, me tre fëmijë.

E mirepresim komentin tuaj...