Një Mbret që vdes… për ne!

adminDhiata e Re, Pashka0 Comments

Askush s’ka dashuri më të madhe nga kjo: të japë jetën e vet për miqtë e tij.” Ungjilli i Gjonit 15:3

Është e premte. Mbretit, Jezusit, pak ditë më parë po i këndonin. Pak ditë më parë, të gjithë e dëgjonin me vëmendje dhe habiteshin nga mençuria dhe drejtësia e Tij. Veç pak ditë më parë ia shtruan rrugën me palma. Madje i vendosën edhe rrobat në rrugën ku po shkelte. Dhe Jezusi kaloi mbi to.

Ishte po Ai, i njëjti Zot dhe Shpëtimtar, që kishte shpallur se ishte, ditë më parë.

Turmat e ndiqnin. Hëngrën bukën dhe peshkun që Ai shumoi. Ishte po Ai që shëroi lebrozin, i hapi sytë të verbrit, bëri të ecë të paralizuarin. Ishte po Ai që i kishte mësuar me zell, mësuesi që iu kish larë këmbët.

Sot, në ditën e fundit…. Turmat që e ndjekin nuk janë më. Shumë që e thirrën “Zot, Zot”, tani janë larguar. Ndoshta nuk donin një mbret të tillë, një mbret që po shkonte drejt kryqit pa asnjë kundërshtim. Është dita e fundit. Por Jezusi përballë gjithë ligësisë, nuk heq dorë. Ai do të japë veten në kryq për mëkatarët. Miqtë e Tij më të ngushtë do t’i servirin, njëri tradhëtinë përmes puthjes, tjetri do ta mohojë që e njeh. Disa do i zërë gjumi e disa të tjerë do të largohen nga frika.

Jezusi i njeh zemrat e tyre. Nuk po befasohet. Ai e dinte “se ç’ishte brenda njeriut.” Megjithatë vuajtjet e Tij janë të mëdha.

Do t’i hedhin një kryq të rëndë mbi supe, do të mbajë një kurorë prej gjembash, gjemba që do t’i ngulen në kokë, do t’ia marrin rrobat e do t’i ndajnë mes tyre, do t’i japin sa e sa kamxhikë e fshikullima. Do t’i japin uthull për t’ia shuar etjen. Do të ta provokojnë. Do të tallen me Mbretin! Do ta kryqëzojnë sikur të ishte një keqbërës. Do t’i thonë: “Shpëto veten tani, nëse je Biri i Perëndisë”…

Jezusi nuk është një Mbret dosido. Sepse po të ishte një Mbret dosido do t’i kishte vrarë të gjithë kundërshtarët e Tij. Por, ky Mbret, Krishti zgjedh të dojë deri në fund pavarësisht kostos.

Kjo është e premtja. Dita ku Jezusi, Perëndia në mish, vendos të marrë mëkatin e gjithë njerëzimit  mbi vete dhe të pagojë  ndëshkimin tonë, me vetë jetën e Tij.

Dhimbja dhe sakrifica do të jetë e madhe, shumë madje, sepse edhe sasia e mëkatit është e tillë.

Por dashuria e vërtetë e jep veten deri në vdekje. Deri në vdekje, në kryq. Jezusi e kish thënë veç ca ditë më parë se: “Askush s`ka dashuri më të madhe nga kjo: të japë dikush jetën e vet për miqtë e tij”.

Dhe ai po zbaton mësimin e tij, po sakrifikon për mua dhe ty, për gjithë botën.

Po, Jezusi është Miku i mirë.

Kjo e premte për Jezusin do të jetë e tmerrshme. Pa këtë sakrificë të premten, nuk do të kishte shpresë në ditët që do pasonin. Për shkak të veprës së kryqit ne kemi shpresë.

Në trupin e Tij gjenden plagët që meritoja unë për mëkatin tim. Por Ai i mori mbi vete kamxhikët që meritoja unë.

Po, ky është Mbreti im. Ai e lë jetën e Tij,që unë të mund të marr jetë përmes vdekjes  së Tij.

Mbreti im në kryq  për mua, kjo është sakrifica me të cilën jam dashur.

Rreth Autorit
mm

Mira Mjeshtri

Mira është nga Burreli. Ka mbaruar studimet për Gjuhë-Letërsi në qytetin e Shkodrës. Ka punuar për disa vite me studentët e këtij universiteti dhe më vonë ka punuar me të rinjte në Universitetin e Tiranës. Mirës i pëlqen rinia! Leximi dhe të shkruarit jane ndër pasionet e saj që kur ishte fëmijë. Aktualisht punon në fushën e ndikimit të rinisë përmes strategjive dixhitale.

E mirepresim komentin tuaj...