Nuk është një sprint, është një maratonë!

adminDhiata e Re0 Comments

Shpjegim nga redaksia e Lentes: Brent dhe Xheki janë një çift besimtarësh nga Amerika. Në vitin 2010 u lindi fëmija i tyre i pestë, i cili disa muaj pas lindjes u diagnostikua me një sëmundje të pashërueshme. Danieli jetoi 6 vite, përmes sfidave të vazhdueshme me shëndetin e tij. Por megjithëse pak vite, historia e tij dhe e besimit të familjes së tij, ka prekur zemrat e shumë njerëzve. Më poshtë kemi sjellë përjetimin e mamasë së Danielit, ndërsa vrapoi një maratonë në përkujtim të djalit të saj. Materiali i përkthyer gjendet në origjinal në këtë link. Aty mund të lexoni edhe detaje të tjera nga udhëtimi i besimit të Xhekit dhe familjes së saj.

“… me anë të të cilit edhe patëm, nëpërmjet besimit, hyrjen në këtë hir në të cilin qëndrojmë të patundur dhe mburremi në shpresën e lavdisë së Perëndisë. Dhe jo vetëm kaq, por mburremi edhe në shtrëngimet, duke ditur që shtrëngimi prodhon këmbënguljen, këmbëngulja përvojën dhe përvoja shpresën. Por shpresa nuk turpëron, sepse dashuria e Perëndisë është derdhur në zemrat tona me anë të Frymës së Shenjtë që na është dhënë.” Romakëve 5:2-5.

E premte, 23 qershor 2017. Historia ime e 26.2 miljeve.

Nuk është një sprint, është një maratonë.

Fjalë që më ishin thënë më shumë se një rast nga mjeku ynë i parë në lidhje me kujdesin e Danielit. Fjalë që kaluan përmes mendjes time gjatë gjithë jetës së tij. Ndërsa Danieli ishte gjallë, kjo më motivoi të stërvitesha dhe të merrja pjesë në gjysmë maratonat e para. Dhe, disa muaj pas vdekjes së Danielit, e dija që doja të provoja dhe të trajnohesha për të marrë pjesë në një maratonë të plotë. 26.2 milje!

Në Dhjetor, ia përmenda këtë nxitje që kisha për trajnimin për një maratonë të plotë, mikes sime, Eshli. I tregova asaj për garën “Big D” (emri i garës, që më bëri të mendoj për Danielin), që do të ndodhte në 2 prill (një ditë pas vdekjes së Danielit) dhe se si koha dhe emri dukeshin si një garë e përsosur për t`u vrapuar për nderin e tij. Familja e Eshlit ishte për darkë nga ne. Pasi mbaruam darkën, pa hezitim, ajo tha: “Mbase mund të stërvitem dhe të garoj me ty”. Pas ca ditësh, filluam stërvitjen. Isha kaq mirënjohëse që kisha një mike me të cilën mund të stërvitesha, të vrapoja dhe të nxisnim njëra-tjetrën!

Pema ne perkujtim te Danielit

Një ditë, ndërsa po stërviteshim së bashku i tregova Eshlit historinë e pemës së Danielit.

Kur Danieli vdiq, kolegët e Brentit, blenë një pemë përkujtimore për Danielin. Ata mund të zgjidhnin parkun e qytetit ku do të mbillej pema, por nuk mund të zgjidhnin vendin e saktë. Zgjodhën parkun më të afërt me shtëpinë tonë. Ne jetojmë përgjatë rrugës nga ky park i qytetit, ku Danieli kaloi shumë orë duke vrapuar, duke luajtur dhe duke u bërë pis në fushat e bejzbollit në atë park! Ishte përsosur!

Memoriali per Danielin afer pemes

Një mëngjes, verës së kaluar, ndërsa Brenti dhe unë ishim në oborrin e pasmë duke pirë kafe dhe duke folur, vumë re një kamion të qytetit, me një pemë në pjesën e pasme të kamionit. Gropa ku do të mbillej pema ishte përballë me shtëpinë tonë në anën tjetër të rrugës. Brenti vajti për të biseduar me punëtorin e qytetit për të parë nëse kjo ishte pema e Danielit. Dhe ajo ishte! Punonjësi tha, se ishte hera e parë që ai kishte takuar familjen e personit në kujtim të të cilit po mbillej pema. Brent i dha atij një fletushkë me një foto të Danielit dhe me një përshkrim të shkurtër jetës së tij në brendësi. Punonjësi tha se do të kthehej në zyrë, do ta vendoste foton e Danielit aty dhe do t’ju tregonte shokëve të tij për ngjarjen. Askush nuk e dinte që pema do të mbillej në rrugën përballe shtëpisë sonë! Ajo mund të ishte mbjellë kudo, në 117 hektarët e parqeve të qytetit. Por Zoti e dinte! Mund ta shohësh pemën i ulur në oborrin tonë të pasmë.

Ndërsa po trajnohesha për maratonën, vura re se jo vetëm që pema ishte mbjellë në rrugën e shtëpisë sonë, por është vendosur pikërisht në qendër të saj. Kur unë dhe Eshli përfundonim stervitjen per maratonen, ktheheshim te cepi i rrugës për të përfunduar vrapimin, duke ndaluar pikërisht aty ku është pema. Kur ishim përballë saj, një ditë, i thashë Eshlit: “Në ditën kur do të kaloj vijën e finishit të kësaj jete, nuk do të ketë pemë… por Danieli im i dashur do të jetë atje duke qeshur, duke më brohoritur dhe duke më mirëpritur në shtëpi!”

Ky mendim është motivim i mjaftueshëm për të vazhduar vrapimin e jetës ditë pas dite.

Ndërsa përgatitja për maratonën u vështirësua… 16, 18, 20 milje… mendimi për atë pemë në fund të vrapimit ishte gjithmonë motivim i ëmbël.

Çdo herë që i shkoja rrotull qoshes për vrapin përfundimtar të asaj dite, unë shpërtheja në të qeshura dhe të qara nga emocioni i të menduarit për fundin e garës, bashkë me fitoren e ëmbël të mbarimit të distancave që nuk i kisha vrapuar asnjëherë më parë. Në dy raste fqinja ime e dashur po punonte në kopshtin e saj të luleve edhe me siguri që i kam tërhequr vëmendjen! Epo mire! As nuk u përpoqa që ti fshihja emocionet!

Ndërsa dita e garës po afrohej, iu thashë familjarëve të mi se isha e ngazëllyer dhe  gati, por do të më merrte malli ta shikoja pemën në fund të vrapimit.

Pema ne pervjetorin e Danielit

Mëngjesi para garës, më 1 prill 2017, ishte përvjetori i parë i vdekjes së Danielit. U zgjova pak para orës 7:45 duke rikujtuar momentet e fundit të Danielit këtu në tokë. Unë isha në shtëpi, Brenti ishte në spital me të, dhe ashtu siç bëra mëngjesin që Danieli vdiq, dola jashtë te dera kryesore dhe këndova “E gjithë kjo lavdi!”. Dhe kështu dukej qielli me pemën e Danielit, aty përpara meje ndërsa qava dhe adhurova.

Në mbrëmje, parashikimi i motit për ditën e garës po bëhej shumë i zymtë. Kishte 100% parashikim për stuhi. Fola me Eshlin. U lutëm që Zoti do ta bënte shumë të qartë para fillimit të garës planin, që të mos na zinte stuhia në mes të garës.

Eshli më mori me makinë herët mëngjesin e 2 Prillit dhe shkuam në qendrën e qytetit. Ndërsa gara po afrohej moti u bë keq e më keq. Perëndia iu përgjigj me besnikëri lutjes sonë për ta bërë sa më të qartë. Ishim duke shpresuar që moti do bëhej mire, por moti u përkeqësua. Maratona u anulua. Të dyja ishim shumë të zhgënjyera. U përgatitëm gjithë ato muaj dhe tani nuk ishim në gjendje të vraponim.

Hëngrëm mëngjes bashkë dhe biseduam. Ishim të zhgënjyera, jo vetëm me garën por dhe me raste të tjera të jetës. Dhe për të dyja, këmbëngulja përmes zhgënjimeve të jetës ishte një temë e vazhdueshme. Zhgënjimi më i madh në jetën time ishte vdekja e Danielit.

Ndërsa po ktheheshim në shtëpi të dyja po mendonim garën që nuk ndodhi, po procesonim akoma faktin që gara nuk ndodhi. Kur ajo më solli afër shtëpisë, Brent më priti, më ngushëlloi me ëmbëlsi, duke thënë se ishte i habitur që po përballoja me qetësi një zhgënjim kaq të madh. I thashë: “Perëndia e bëri të qartë. Nuk e kuptoj pse Ai tha “jo sot”, por unë e besoj!” Pastaj u shtriva për një sy gjumë.

U zgjova rreth orës 14:15. Ndërsa isha akoma e shtrirë në shtratin tim, mendova: “Nuk dëgjoj as bubullima… as shi…”. Kontrollova motin, qielli ishte i kthjellet. Fillova të mendoj për pemën e Danielit dhe se si do të isha e zhgënjyer që nuk do ta shihja më pasi të mbaroja maratonën. Pastaj fillova të mendoj për ta bërë maratonën vetë dhe pse gara ishte anulluar. Kështu, rreth orës 2:30 telefonova Eshlin dhe biseda jonë shkoi pak a shumë kështu: “A do të vraposh?”

Ajo tha: “Çfarë do të thotë kjo?”

“Të vraposh gjithë maratonën, 26.2 milje?”

“Ta bëjmë maratonën vetë?” Ajo ndaloi para se të përgjigjej. “Nuk jam e sigurt…”. “Unë mendoj se do ta bëj dhe nuk doja ta bëja pa të ftuar ty që të bashkohesh me mua… prandaj mendoje. Por jo për shumë kohë, sepse do të erret!

E mbylla telefonin. Pas 5 minutash ajo më mori në telefon. “Edhe unë jam gati për maratonën!”

Familja e Xhekit diten e gares.

Rreth 30 minuta më vonë, ishim gati! Shkuam tek vendi ku do të nisnim garën! Brent solli ujë dhe gjëra të tjera për të cilat kishim nevojë gjatë garës. Bëmë fotografi… në bluza kishim të shkruar “Në kujtim të Danielit”.

Kishim postera! Semi madje na udhëhoqi në këndimin e himnit kombëtar. Brent sajoi zhurmën e armës kur nis gara… dhe u nisëm!

Në miljen e 8… 18… 25… miqtë tanë erdhën për të na takuar, duke na dhënë ujë dhe zemër përgjatë maratonës.

Ishte një garë rraskapitëse për mua. Kur kisha vrapuar 20.75 milje trupi nuk po më mbante më. Kisha dhimbjen më të keqe në stomak dhe dhimbje në vende që as nuk e dija se ekzistonin para se të vrapoja këtë maratonë. Ishte hiri i Zotit Jezus dhe kujtimi për Danielin tim të ëmbël, i cili ka luftuar me dhimbjen gjate gjithë jetës se tij, që më bënte t`i hidhja këmbët njëra pas tjetrës. 6 miljet e fundit ishin të dhimbshme dhe i jam mirënjohëse Eshlit për durimin… e di se ajo mund ta kishte përfunduar maratonen shumë më shpejt se unë! Mikja ime Keri, më tregoi më vonë, se në miljen e 25-të, i isha dukur aq keq, sa ajo po thoshte me vete: “ka edhe një milje, vetëm një milje…”.

Familja ime dhe e Eshlit ishin së bashku në shtëpinë tone duke pritur. I lajmëruam që ishim në miljen e fundit. Tashmë ishte natë, ishte errësirë dhe nuk do të isha në gjendje ta shikoja pemën. Por duke e ditur se ishte aty, më jepte zemër.

Pema e ndricuar nga dritat e makinave

Kur iu afruam lagjes, pamë dritë. Kur u afrova, pashë Andrean dhe Semin (djemtë e Xhekit-shen.i redaktorit) me elektrik dore! Kishin marrë edhe bokset e zërit dhe po luanin këngën e preferuar të Danielit “I dashuri im!” dhe poshtë rrugës tonë ishte pema e Danielit… E GJITHA E NDRIÇUAR!

Brent kishte afruar makinat dhe kishte ndezur dritat e makinës për të ndriçuar pemën në qiellin e errët të asaj nate! Oh, sa mirënjohëse isha që po e shikoja atë pemë!!! Brent më përqafoi ndërsa e kalova vijën e finishit bashkë me të gjithë fëmijët dhe miqtë që brohorisnin!!!

Koha e maratones së Xhekit

Ishte GARA MË E MIRË që kisha përfunduar ndonjëherë. Shumë herë më mirë se sa të kisha marrë pjesë në maratonën e vërtetë. Perëndia nuk po më fshihte diçka, por kishte diçka shumë më tepër të çmuar për mua. Ai është besnik. Përsëri dhe përsëri dhe përsëri, Ai është besnik! Unë e vrapova maratonën. Në përkujtim të Danielit tim. Duke këmbëngulur, me hirin e Perëndisë, edhe njëherë përmes zhgënjimeve.

Siç na e kujton Pali te Romakëve 5: “me anë të të cilit edhe patëm, nëpërmjet besimit, hyrjen në këtë hir në të cilin qëndrojmë të patundur dhe mburremi në shpresën e lavdisë së Perëndisë. Dhe jo vetëm kaq, por mburremi edhe në shtrëngimet, duke ditur që shtrëngimi prodhon këmbënguljen, këmbëngulja përvojën dhe përvoja shpresën. Por shpresa nuk turpëron, sepse dashuria e Perëndisë është derdhur në zemrat tona me anë të Frymës së Shenjtë që na është dhënë.” Romakëve 5:2-5.

Një ditë atje nuk do të ketë më zhgënjim. Ndërsa kaloj vijën e finishit të jetës në këtë tokë, Danieli do të jetë atje duke qeshur dhe duke brohoritur bashkë me Jezusin tim dhe të gjithë shenjtorët e tjerë që mbaruan garën para meje. Faleminderit Jezus për një shpresë që nuk zhgënjen.

“Prandaj edhe ne, duke qenë të rrethuar nga një re kaq e madhe dëshmimtarësh, duke hedhur tej çdo barrë dhe mëkatin që na qarkon vazhdimisht duke na joshur, le të rendim me durim në udhën që është përpara nesh, duke i drejtuar sytë te Jezusi, kreu dhe plotësonjësi i besimit, i cili, për gëzimin që ishte përpara tij, duroi kryqin duke e përçmuar fyerjen dhe u ul në të djathtën e fronit të Perëndisë. Kujtoni, pra, atë që duroi një kundërshtim të tillë nga ana e mëkatarëve kundër tij, që të mos lodheni dhe të ligështoheni në shpirtin tuaj.” Hebrenjve 12:1-3

Kjo është historia e 26.2 miljeve të maratonës sime

Rreth Autorit
mm

Jaci Jackson

Xheki Xhekson (Jaci Jackson) ka studiuar për mësuesi për fëmijët me nevoja të veçanta. Pasioni i saj për Zotin dhe njerëzit njihet nga të gjithë që janë afër saj. Ajo dhe burri i saj Brent kanë 5 fëmijë, njeri prej të cilëve është Danieli, të cilit i dedikohet ky shkrim.

E mirepresim komentin tuaj...