Kalojmë te bregu matanë!

adminDhiata e Re1 Comment

 

“Tani po atë ditë, si u ngrys, u tha atyre: “Kalojmë te bregu matanë!” Marku 4:35

Jezusi sapo u ka shpjeguar ndjekësve të tij shëmbëlltyrën e farës së sinapit (Marku 4).

Pastaj po atë ditë (duket një ditë e ngjeshur) si u ngrys, u tha atyre: “kalojmë te bregu matanë!”

Ndjekësit hipën në një barkë me Jezusin. Dhe erdhi një stuhi. Shumë prej tyre, peshkatarë të rrahur me detin, u çuditën që Jezusi po flinte në mes të stuhisë.

  • Mësues a nuk po kujdesesh për ne? – mërmëritën ata.

Unë vetë, po të isha në vend të Jezusit, do t’ju thoja dishepujve: a nuk ju thashë se do kalojmë matanë? Apo nuk e dini kush jam unë?

Por ndryshe nga një reagim i pritshëm njerëzor, Jezusi qetësoi ujërat dhe u risolli në vëmendje atë që në fakt kishte qënë duke u mësuar gjithë ditën: Vallë si nuk keni besim? Dhe historia mbyllet në Ungjilli i Markut, 5:1. “Kështu arritën në bregun tjetër të detit…”

Po mendoja, sa herë Jezusi më ka thënë mua “hajde kalojmë matanë”! Që nga premtimi dhe shpëtimi i madh i të qënit matanë bregut të atyre që humbasin e deri në çështje të vogla të jetës së përditshme. Nga kalimi matanë i “detit të kuq”, deri të kalimi matanë i “rrëkezave” në jetën time. Dhe mendo që Jezusi është në barkë me mua. Jezusi është në barkë edhe me ty, në jetë me ty.

Fjalia është dëftore: të kalojmë së bashku te bregu matanë!

Stuhitë mund të na humbin drejtpeshimin. Siç frikësuan dhe peshkatarët e regjur me detin. Mosbesimi e rrit fuqinë e stuhisë.

A jam unë një person i rëndësishëm? A jam dikushi? A më duan? A vlej? A jam aq tërheqës? A më vlerësojnë të tjerët? A kam aq lekë sa më duhen? A jam i aftë ta përballoj këtë jetë? A do jem një baba i mirë, një nënë e devotshme? Ore, a mund t’ia dal matanë?

Ndonëse jo në rend të duhur kronologjik, pyetjet e mësipërme mund t’ia bëjmë rëndom vetes, në të përditshmen tonë. Ndryshimi është të qënit në një barkë me Jezusin. Ai i di mendimet tona. Pasiguritë tona. Dëshirat e zemrave tona.

Ne do të jemi në bregun tjetër. Jo për shkak të një merite tonën por për shkak se Ai është besnik dhe i mban 100% premtimet.

Prandaj drejtimi i jetës, familja, provimet, financat, marrëdhëniet, burri apo nusja e ardhshme, më shumë se çështje praktike janë çështje besimi.

Të besosh në atë që të çon matanë. Në këtë marramendje stuhish jetësore thirrja e Jezusit  është: Eja me mua të kalojmë matanë!

Dhe ka 2016 vjet që nuk i ka zhgënjyer besuesit e tij!

Lutja ime është që do ta bëjmë udhëtimin tonë në barkën e jetës me Jezusin. Besimplotë që do prekim shumë brigje për lavdinë e tij derisa të arrijmë matanë në praninë e tij, në përjetësi…

Rreth Autorit
mm

Agustin Prenga

Agustin Prenga ka mbaruar studimet për drejtësi. Eshtë drejtues i lëvizjes rinore IJR Student, degë e Institutit Jeta e Re. Shkruan dhe mban leksione mbi çështje të besimit, zhvillimit personal dhe udhëheqësisë. Ka pasion të ndihmojë të rinjtë të arrijnë maksimumin e potencialit të tyre. I pëlqejnë librat, futbolli, ecja në natyrë dhe udhëtimet. Është shijues i thekur i kafes, ideve dhe humorit. Mund të lexoni rregullisht shkrimet e Agustinit te faqja imakiato.com.

One Comment on “Kalojmë te bregu matanë!”

E mirepresim komentin tuaj...