Kënaqësia e gdhendjes

adminDhiata e Re0 Comments

“… duke qënë i bindur për këtë, se ai që nisi një punë të mirë në ju, do ta përfundojë deri në ditën e Jezu Krishtit.” Filipianëve 1:6

Sytë e saj shkëlqenin nga gëzimi, ndërsa përkëdhelte gjithë kënaqësi plastelinën e papërdorur. Mbesa ime mezi po priste të shikonte punën e saj përfundimtare – tortën shumëngjyrëshe të ditëlindjes së saj.
Kishte shumë copa prej plasteline të tjera por ishin të vështira për t`iu dhënë një formë pasi ishin tharë nga përdorimi i shpeshtë.

Në fund, puna e saj ishte e mahnitshme. Torta e vogël prej plasteline shumëngjyrëshe dukej sikur të ishte prej vërteti.
Shumë prej nesh e kanë provuar kënaqësinë e të bërit diçka me duart tona. Përjeton kënaqësi kur vesh një fustan të stiluar me duart e tua. Kur lexon një poezi e diçka tjetër që e ke shkruar vetë dhe të kanë dhënë vlerësim pozitiv, kur gatuan dhe shijon ushqimin tënd, të gatuar me dashuri. Dhe natyrshëm, kur të gjitha këto janë bërë në një cilësi të mirë, kënaqësia është akoma më e madhe.


Të gjithë ne jemi krijues të diçkaje, sado të vogël. Megjithëse jo të përsosur, secili prej nesh synon të krijojë gjëra të bukura. Perëndia ka vendosur në ne dëshirën dhe aftësinë për të krijuar. Edhe në mes të papërsosmërisë sonë, shpesh herë mund të themi që e kemi bërë në mënyrë të përsosur diçka.

Krijuesi i gjithësisë, Ai që është i përsosur në dashuri, shenjtëri, drejtësi e në gjithçka tjetër, besoj ka ndjerë të njëjtën kënaqësi kur na krijoi ne. Besoje ose jo, Ati u kënaq ndërsa të krijonte ty. Ashtu si një gdhendës druri është i përkushtuar deri në fund për t’i dhënë një orendie formën më të mirë të mundshme, kështu dhe Perëndia është i përkushtuar për të të dhënë ty edhe mua, formën më të mirë të mundshme…

Por shpesh nuk pëlqej “të gdhendem” nga të tjerët. Më pëlqen t’i jap vetes “format” që dua unë. Nganjëherë guxoj madje dhe të mendoj që unë e di më mirë se kushdo tjetër (përfshirë këtu edhe Perëndinë) se çfarë më nevojitet. 
Guxoj të kthehem në një plastelinë të përdorur e të tharë, përkundrejt një plasteline të butë e të punueshme. Kokëfortësia ime më çon në mosbindje ndaj Perëndisë. E pengoj Perëndinë të punojë në mua dhe të më japë formën që dëshiron. Jam e sigurt që e humbura jam unë. Sa herë refuzoj të mos bindem ndaj Perëndisë dhe Fjalës së Tij unë po i jap format më të deformuara vetes. Sepse e kam larguar veten nga Gdhendësi i përsosur.
Kur s’më pëlqejnë format apo gdhendjet që po më jep Perëndia, zgjedh të largohem, të mërzitem që dikush tjetër po më gdhend dhe po “fut hundët në punët e mia”.
Shpesh s’do ta kemi as idenë më të vogël se çfarë po bën Perëndia në ne. Por një gjë është e sigurt: Perëndia ynë që është i përsosur, do të nxjerrë në ne një vepër të përsosur në fund.
Një ditë kur të jemi përballë Tij do të jemi pa asnjë të metë. Ndaj pyetja që i bëj shpesh vetes është: A është zemra ime plotësisht e dorëzuar para Perëndisë, plotësisht e përulur para Tij, sa të kënaqem me atë që Ai po bën në mua?
Zemra jonë, qoftë e kënaqur me vullnetin e Tij dhe me çdo gjë që Perëndia po bën në ne, që të na japë formën që Ai do për ne, gati për ditën kur do ta takojmë.

Ne jemi një vepër në proces. Një punë e cila nuk mund të përfundohet brenda një dite. Njeriu i brendshëm do të jetë në formim e sipër derisa marrim frymë.

Rreth Autorit
mm

Mira Mjeshtri

Mira është nga Burreli. Ka mbaruar studimet për Gjuhë-Letërsi në qytetin e Shkodrës. Ka punuar për disa vite me studentët e këtij universiteti dhe më vonë ka punuar me të rinjte në Universitetin e Tiranës. Mirës i pëlqen rinia! Leximi dhe të shkruarit jane ndër pasionet e saj që kur ishte fëmijë. Aktualisht punon në fushën e ndikimit të rinisë përmes strategjive dixhitale.

E mirepresim komentin tuaj...