Krahasimi

adminDhiata e Re2 Comments

Sepse nuk guxojmë të renditemi ose të krahasohemi me ata që e rekomandojnë veten e vet; por ata, duke matur veten e tyre dhe duke u krahasuar me veten e tyre, nuk kanë mend. Por ne nuk do të mburremi jashtë masës, po sipas masës së rregullës që caqet i caktoi Perëndia, sa të arrijmë deri te ju, Sepse ne nuk po shtrihemi përtej caqeve, sikurse nuk arritëm deri te ju, sepse ne arritëm më të vërtetë deri te ju me anë të predikimit të ungjillit të Krishtit. Dhe ne nuk mburremi përtej masës për punët e tjetrit, por kemi shpresë se, duke u rritur besimi juaj, ne do të kemi një konsideratë më të madhe ndër ju, sipas cakut tonë, sa që përhapim ungjillin edhe përtej vendeve tuaj, pa u mburrur me ato që janë bërë në këtë lëmë nga të tjerë. Ai që lëvdohet, le të lëvdohet në Zotin, sepse nuk miratohet ai që e rekomandon veten e tij, po ai të cilin e rekomandon Zoti.” 2 Korintasve 10:12-18

Kush prej fëmijëve është më i mirë?

Nuk e kuptoja kur isha i vogël, sa e rëndësishme ishte përgjigja e kësaj pyetjeje.

Përse kemi nevojë të masim çdo gjë me diçka, për t’i kuptuar vlerën? Përse kemi nevojë të matemi me dikë tjetër, për të kuptuar vlerën tonë?

Gjithandej konkurs. Zëri më i mirë. Trupi më i mirë. Njeriu më i zgjuar. Fëmija me sjellje më të mirë se moshatarët. Djali me notat më të mira në shkollë. Vajza me nota jo aq të mira, por të paktën, më mirë se të tjerët!

Nuk është një gjë e re. Gjithmonë njerëzit kanë zgjedhur të masin me një standard të dukshëm. Në realitetin ku jetonin Korintasit e kohës së Dhiatës së Re, duket se oratoria – aftësia për të përdorur retorikën për të bindur njerëzit për një çështje – ishte kriteri matës i aftësisë. Dhe, disa kritikë të Apostullit Pal, ia kishin gjetur atij pikën e dobët: Pali vetë nuk ishte i pashëm fizikisht. E si dukej, për shkak të pamjes së dobët, disa prej korintasve, nuk ia peshonin as fjalët. Ndaj, e konsideronin më të dobët se oratorët “e dalluar” të kohës.

Por Pali, në përgjigje, nuk heq dorë nga të krahasuarit. Por ka vendosur të ndryshojë bazën e krahasimit. Sipas Palit, nuk ia vlen të matemi me veten. Nuk ia vlen as të matemi me të tjerët. Masa e vetme për t’iu vënë përballë është vlera që marrim prej Ungjillit të Krishtit. Është Krishti që na jep jetë. Është Krishti, që përmes sakrificës së tij në kryq dhe ringjalljes, na dha një vend në Mbretërinë e Perëndisë.

Ndonjëherë, për shkak se kemi vështirësi për t’iu bindur thirrjes së veçantë që Perëndia ka për secilin prej nesh, gjejmë një rrugë të shkurtër, duke e rehatuar veten, e kështu dalim më të mirë se të tjerët.

Ne të lartësuar, për shkak se janë ulur të tjerët. Aty ku as ata e meritojnë, e as ne e kemi vendin! Jemi në gjendje ta gënjejmë veten për pak kohë, por në fund, masa e vetme e gjykimit është plani i Perëndisë për jetën tonë.

Autori i njohur amerikan, Çak Suindoll, duke shkruar mbi temën e krahasimit thekson: “Perëndia, bërësi ynë krijues dhe i mençur, është i kënaqur që të krijojë gjithsecilin të ndryshëm dhe asnjë të përsosur. Sa më shpejt që ta vlerësojmë dhe ta pranojmë këtë të vërtetë, aq më mirë do ta vlerësojmë dhe pranojmë njëri-tjetrin; ashtu si Krijuesi ynë e ka menduar.”

“Të gjithë i kam njësoj”, thoshte mami im. Perëndia na ka të gjithëve njësoj, të ndryshëm, por me vlerë të veçantë në sytë e tij. Dhe me plane të veçanta për secilin prej nesh.

Sa më shpejt të fillojmë ta masim veten me planet e Zotit për ne, aq më shpejt, do të jemi gati të kënaqemi, në veçantinë e secilit prej nesh…

Rreth Autorit
mm

Afrim Karoshi

Facebook Twitter

Afrimi Karoshi ka mbaruar Fakultetin Juridik në Tiranë, dhe studimet master në Studime Biblike dhe master në Media & Komunikim nga Seminari Teologjik i Dallasit. Eshtë drejtues i Albanian Digital Strategies (ADS). Ka pasion të komunikuarit përmes shkrimit, leximin, dhe i pëlqen bota e re dixhitale. Eshtë i martuar, me tre fëmijë.

2 Comments on “Krahasimi”

  1. Shume domethenese e me shume vlere te gjitha shkrimet per jeten tone te perditshme. Por ,fatkeqesisht ata qe i kuptojne è i zbatojne jane ata qe vuajne te rrethuar nga njerez qe nuk marrin mundimin t’i kuptojne veprimet e tyre dhe i bejne gjithe te keqijat e mundshme njerezve me virtyte. Ti kuptonin te gjithe do ti zbatonin dhe rrjedhimisht kjo bote do ishte me è bukur sic Zoti e ka projektuar per ne.

    1. mm

      E dashur Diana, faleminderit per komentin tuaj. Tek Lente perpiqemi t’i nxisim te krishteret ne ecjen e tyre me Perendine ne menyre qe bota te jete nje vend me i bukur. Vazhdoni te na lexoni dhe t’i zbatoni keto te verteta ne jeten tuaj. Jemi te sigurte qe Zoti do ta perdore jeten tuaj per te ndricuar te tjeret.
      Me respekt
      Lavdi
      per Lenten

E mirepresim komentin tuaj...