Krishtlindja, e parë ndryshe!

adminDhiata e Re, Krishtlindja 20180 Comments

“Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: Ai që e dëgjon fjalën time dhe beson në atë që më ka dërguar, ka jetë të përjetshme, dhe ai nuk vjen në gjyq, por ka kaluar nga vdekja në jetë.” Gjoni 5:24

Nuk mund te imagjinohet Krishtlindja pa dritat, ngjyrat, zbukurimet, atmosferën festive në qytet, dyqanet e zbukuruara dhe me ofertat e fundvitit që na ftojnë të shpenzojmë shpërblimin e merituar pas një viti të lodhshëm pune! Nuk mund të imagjinohet fundviti pa Krishtlindjen që sjell atmosferë kaq festive rrugëve dhe shesheve të qytetit!

Jo shumë larg ngjyrave dhe dritave që vezullojnë kudo, në një dhomë spitali një vajzë 22 vjecare lufton me vdekjen që prej dy vitesh. Historia e saj është shumë e dhimbshme! Në atë gjendje të rënduar ajo u gëzua kur pa lajmërimin për një mundësi pune në spital dhe mundësinë për të ndihmuar familjen e saj të varfër!

Me gëzim niset dhe zbret shkallët, por hovi i pritet shpejt kur kupton që gjunjët nuk e mbajnë të zbresë deri në katin e parë. E dëshpëruar kthehet në krevatin e saj, por me një ëndërr që një ditë të shërohet dhe të mund të punojë dhe t’u mundësojë motrës dhe vëllezërve më të vegjël shkollimin, të cilin ajo nuk mundi ta ketë, për shkak se jeta u tregua e ashpër me të!

Është Krishtlindje edhe për të, por dritat dhe zbukurimet nuk ia ngrohin shpirtin, nuk i japin shpresë, por veçse e trishtojnë kur kujton familjen e saj të varfër dhe nënën e paralizuar që prej 12 vitesh!

I njëjti realitet, por me dy anë te tij! Lufta me vdekjen dhe dritat vezulluese, një fasadë që përpiqet të fshehë atë që njerezit nuk duan ta kujtojnë, nuk duan ta përmendin dhe duan ta shmangin: vdekjen!

“…sepse të gjithë mëkatuan dhe u privuan nga lavdia e Perëndisë,” (Romakëve 3:23)

“Sepse paga e mëkatit është vdekja” (Romaket 6:23).

Njerëzit mendojnë për vdekjen si një ngjarje që ndodh në fund të jetës dhe nuk kemi pse ta mendojmë më herët! Ne nuk zgjedhim kur vijmë dhe nuk zgjedhim kur largohemi nga kjo jetë, por mund të zgjedhim ta shijojmë jetën në maksimum ndërsa e kemi!

Kjo mendësi reflektohet gjithandej! Bibla, përkundrazi, tregon që të gjithë lindim të vdekur shpirtërisht për shkak të mëkatit, një vdekje që finalizohet me vdekjen fizike dhe me destinacion final ferrin!

“Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: Ai që e dëgjon fjalën time dhe beson në atë që më ka dërguar, ka jetë të përjetshme, dhe ai nuk vjen në gjyq, por ka kaluar nga vdekja në jetë.” Gjoni 5:24

Ky lajm solli dritë, gëzim, forcë dhe shpresë te kjo vajzë 22-vjecare, që më mirë se kushdo tjetër kupton realitetin e hidhur të kësaj jete që di të shtiret bukur nën vezullimin e dritave dhe zbukurimeve të Krishtlindjes!

Krishtlindja shënon lindjen e Shpëtimtarit!

“Dhe në asnjë tjetër nuk ka shpëtim, sepse nuk ka asnjë emër tjetër nën qiell që u është dhënë njerëzve dhe me anë të të cilit duhet të shpëtohemi.” Veprat 4:12

Bota feston Krishtlindjen! Nuk mund ta mohojë lindjen e Jezusit, një person historik me një lindje, jetë dhe vdekje të pakrahasueshme që u pasua nga ringjallja dhe ngjitja në qiell e Tij! Bota feston ashtu siç di ajo të festojë!

Pyes veten si do e festonte Jezusi ditëlindjen e Tij po te ishte në tokë sot? Cfarë do bënte Ai?

Si po e feston ti Krishtlindjen? Krishtlindja është Lindja që mposhti Vdekjen! Kjo është festa e vërtetë që fillon këtu dhe vazhdon në përjetësi!

Le t’i ftojmë njerëzit në këtë festë të vërtetē që u sjell atyre gëzim dhe një shpresë të gjallë dhe jo një shpresë që venitet dhe shuhet me fikjen e dritave të qytetit!

Gëzuar Krishtlindjen!

Photo Credit: Jaron Johns

Rreth Autorit
mm

Elida Stavro

Elida Stavro është nga Kuçova. Ka kryer studimet e larta në Fakultetin Ekonomik, dega Financë. Është e martuar dhe ka katër fëmijë. Elida punon me Institutin "Jeta e Re" prej 20 vitesh, duke shërbyer në kapacitete të ndryshme. Aktualisht shërben me degën e IJR-së që kryen aktivitet me biznesmenët dhe udhëheqësit e shoqërisë shqiptare.

E mirepresim komentin tuaj...