Krishtlindja na fton për të jetuar me guxim!

adminDhiata e Re, Dhiata e Vjeter, Krishtlindja 20180 Comments

Sepse na ka lindur një fëmijë, një djalë na është dhënë. Mbi supet e tij do të mbështetet perandoria dhe do të quhet Këshilltar i admirueshëm, Perëndi i fuqishëm, Atë i përjetshëm, Princ i paqes.” Isaia 9:6

Është folur e shkruar shumë për Krishtlindjen, dhe do të flitet e shkruhet për sa kohë do të ketë jetë nën këtë diell.

Sepse lindja e Jezusit është një nga ngjarjet më të jashtëzakonshme dhe më të pabesueshme, ashtu si edhe ringjallja e tij. Është një ngjarje që sa më shumë i afrohemi, aq më shumë na mësojnë personazhet e përfshira në të. Engjëlli, Maria, Elisabeta, Simeoni, Jozefi, me shumë engjëj, barinj, foshnja Jezus, një haur ku lindi, një yll në qiell, dijetarë, një mbret i shqetësuar e mbretëri e kthyer përmbys në kërkim të mbretit të ri, pemë, dekore, drita, ngjyra, të varfër e të pasur, dhurata, bamirësi e programe, këngë. Një mori aktivitetesh e emocionesh që të shtyjnë të gjesh vendin tënd në këtë histori shumëvjeçare që na viziton çdo vit për të na kujtuar për diçka shumë më të madhe.

Historia e Krishtlindjes, në zanafillën e saj, është mbi të gjitha një histori e një dashurie të guximshme. Jezusi, Princi i Paqes, Këshilltari i Admirueshëm, Perëndia i Përjetshëm, siç e quajti profeti Isaia 700 vjet përpara se ai te lindte (Isaia 9:6), do të linte gjithçka për të ardhur te ne si një foshnje. Maria, një vajze e re ndoshta 14 vjeçare, do të përqafonte ftesën e Perëndisë për t’u bërë nëna që do të sillte në jetë Jezusin, duke rrezikuar kështu reputacionin, fejesën, të ardhmen, madje edhe vetë jetën e saj po të kemi parasysh ligjin e Moisiut – ajo mund të dënohej me vrasje me gur si një e përdale në shtëpinë e babait të saj. Jozefi, ky burrë i ri, do të hidhej me besim e me guxim jashtë zonës së tij të rehatisë, për t’u bërë bashkëshorti i një vajze të re që përbetohej se kishte qenë besnike dhe e pastër ndaj tij, e megjithatë mbante në bark një foshnje që nuk ishte e tij. Ky burrë na flet për një njeri tejet të ndjeshëm ndaj zërit të Perëndisë, do të linte vendin e tij disa herë në bindje ndaj zërit të Perëndisë, për të siguruar mbrojtje për Jezusin. Dijetarët do të linin rehatinë e tyre dhe do të udhëtonin me ditë të tëra drejt një toke të huaj, për të ardhur dhe nderuar mbretin e ri të lindur në Betlehem.

Barinjtë do të linin tufën e kasollet e tyre dhe do të udhëtonin për të gjetur foshnjen në një grazhd e për ta adhuruar atë. Ndonjëherë ne sot mund t’i shohim këta personazhe me një admirim të shtyrë disi nga keqardhja për atë që këta kanë kaluar, sikur na vjen keq për Jezusin mbret që lindi në një vend të padenjë për të, për Marinë që mbajti një barrë kaq të madhe. Disi më kujton atë që Jezusi u tha grave që qanin tek e shihnin të kalonte i gjakosur e me kryqin e rëndë në rrugën Doloresa, e të cilave u tha:”gra të Jeruzalemit, mos vajtoni për mua, por për veten tuaj!” (Luka 23:28)

Kjo sfidë e Jezusit na shtyn të shqyrtojmë si i përqasemi Krishtlindjes, sepse Krishtlindja e parë ishte krejt ndryshe nga festat e sotme. Sepse Krishtlindja e parë ishte një ftesë për çdokënd që dëgjoi për lindjen e Jezusit, për të vepruar jashtë zonës së vet të rehatisë. Krishtlindja e parë ishte një ftesë për të njohur dhe për ta bërë të njohur Jezusin, shpëtimtar.

Sot për fat të keq, Krishtlindja është kthyer më së shumti në një festë familjare: familje gjaku apo besimi të mbledhura së bashku rreth një tryeze të bollshme, dritave e dhuratave, lojërave, këngëve, leximit të Shkrimit. Madje shumë tradita kanë ardhur në jetë që na nxisin të lexojmë Shkrimin me ditë të tëra, të meditojmë mbi të më thellë, gati në një mënyre askete, në kërkim të një përshpirtmërie që ndoshta e kemi humbur gjatë ditëve të tjera të vitit, a thua na ka shpëtuar ndonjë detaj i rëndësishëm nga kjo histori që e kemi lexuar kush e di sa herë. Edhe pse ka dobi në leximin e meditimin mbi Shkrimin, unë besoj se kjo është mënyra e gabuar për të festuar Krishtlindjen. Madje kam frikë se ne nuk e kemi kuptuar Krishtlindjen. Sepse ungjilli që materializohet e merr jetë që në lindjen e Jezusit, është një ftesë për të dalë jashtë, për të kërkuar të humburit. Zemra e Jezusit që rreh brenda secilit prej nesh, na fton të lëmë 99 delet e tjera, për të kërkuar atë dele që ka humbur. Jezusi la lavdinë e qiellit, dhe erdhi te ne (Filipianëve 2:5-8). Heronjtë e besimit të përfshirë në jetën e lindjen e Jezusit, gjithashtu rrezikuan, dolën nga rrethi i ngushtë i rehatisë së tyre, dhe papritmas u bënë përçues të një plani misionar që përfshinte shpëtimin e të tjerëve. Kjo kishte kosto, por për shkak të bindjes e guximit të tyre, qindra mijëra apo miliona njerëz përgjatë shekujve, përfshirë edhe ne, kanë marrë jetë e janë transformuar ndërsa Jezusi është ftuar në jetët e tyre.

Si do ta festosh Krishtlindjen? A do të shkosh vetëm në shërbesën e kishës, do të zësh një vend si gjithmonë e do të këndosh, do të dëgjosh për kush e di të satën herë historinë e Krishtlindjes nga kënde të ndryshme përmes një drame a videoje, këngëve, predikimit, e pastaj do të kthehesh në shtëpi a do të dalësh me shokët e të festosh në një ambient të ngrohtë, të marrësh e japësh dhurata, apo do të dalësh jashtë rehatisë për të kërkuar të humburit?

Krishtlindja na fton për të jetuar me guxim. Krishtlindja na fton për të jetuar në mënyre jo egoiste dhe jo frikacake. Frika na shtyn të rrimë brenda, guximi na tërheq për t’u hedhur jashtë me besim. Krishtlindja është një ftesë për të dhënë, më shumë se sa për të marrë. Dhe Krishtlindja më shumë se sa asgjë tjetër është një thirrje në aksion për të shpëtuar qoftë edhe një shpirt të humbur. E në këtë aksion ne marrim gëzimin më të madh e të vërtetë të Krishtlindjes, ndërsa bëhemi pjesë e zemrës së Atit për të shpëtuar botën, e pjesë e festës së engjëjve për një mëkatar të vetëm që pendohet.

Sot, mos e humb gëzimin e vërtetë të Krishtlindjes!

Fotoja bashkangjitur, pamje nga Nazareti, Izrael. Foto nga Rudina Bakalli.

Rreth Autorit

Rudina Bakalli

Rudina Bakalli ka lindur dhe është rritur në Fier. U diplomua për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Tiranës. Ka një përvojë të gjatë pune në kontekst kombëtar dhe ndërkombëtar me Institutin Jeta e Re (Lëvizja Studentore e IJR-së në Tiranë, Korçë dhe Prishtinë, Lëvizjen “Të Rinjtë në Prag të Jetës” Tiranë dhe Lëvizjen “Agape Albania”), një organizatë e cila synon transformimin e shoqërisë ndërsa ndikon çdo njeri. Në vitin 2013 u licensua si këshilltare karriere nga “Kurora Financiare" (Crown Financial). Eshtë bashkëautore dhe kryeredaktore e Unejetoj.org dhe autore e Shigjete.com. Gjithashtu ka kontribuar herë pas here për revistën “Ilira”. Aktualisht punon në zyrë e IJR-së për Evropën Lindore dhe Rusinë, duke nxitur fillimin e lëvizjeve përmes kishave lokale. Shkrimet e saj janë pasqyrim i pasionit që ka për të ndikuar në shoqerinë shqiptare përmes mesazheve motivues dhe nxitës për të kërkuar përtej një jete sipërfaqësore dhe rastësore, drejt një jete me përmbushje dhe qëllim.

E mirepresim komentin tuaj...