“Sepse na ka lindur një fëmijë, një djalë na është dhënë. Mbi supet e tij do të mbështetet perandoria dhe do të quhet Këshilltar i admirueshëm, Perëndi i fuqishëm, Atë i përjetshëm, Princ i paqes.” (Isaia 6:9)
Shpresa është një pjesë vitale e jetës. Shpresa na jep motivim, na jep fuqinë për të duruar në kohë të vështira. Pa shpresë çdo qënie e ndjenjë vdes ngadalë. Lajmi i mirë në këtë prag Krishtlindje është se me anë të besimit mund të kemi shpresë.
Kur fjala e Perëndisë flet për “shpresën” e ka fjalën për një premtim të sigurtë. Profeti Isaia shkruajti: “Të rinjtë mundohen dhe lodhen, të rinjtë e zgjedhur me siguri pengohen dhe rrëzohen, por ata që shpresojnë te Zoti fitojnë forca të reja, ngrihen me krahë si shqiponja, vrapojnë pa u lodhur dhe ecin pa u lodhur.” (Isaia 40:30-31)
Shpresa këtu është e qartë si një premtim, si një fakt që do të ndodhë. Jo mbase, POR do të ngrihen me krahë si shqiponja, sepse kur ti shpreson tek Zoti, ti e lë atë që të veprojë. Dhe shpresa e dhënë prej Tij nuk turpëron (Romakëve 5:5), por është premtim i sigurtë.
Nga shpresa që njerëzit mund të besojnë për të ardhmen, nëse i zëmë besë shpresës që Perëndia jep, kalojmë në bindje se gjërat do të ndodhin brenda planit të Tij.
Çfarë më jep mua shpresë? Më jep shpresë rasti i Simeonit (Luka 2:29-32). Në mënyrë hyjnore këtij burri të moshuar, i qe zbuluar nga Fryma e Shenjtë se nuk do të vdiste para se të kishte parë Krishtin. Luka na tregon fjalët e tij: “Tani, o Zot, lejo që shërbëtori yt të vdesë në paqe, sipas fjalës sate, sepse sytë e mi e panë shpëtimin tënd që ti e përgatite përpara gjithë popujve: dritën për të ndriçuar kombet dhe lavdinë e popullit tënd, Izraelit”.
Shpresa në Perëndinë nuk ka të bëjë me identitetin tënd, por ka të bëjë me identitetin e Tij. Kush është Ai? Ai është shpresa e shpëtimi i Simeonit, drita për të ndriçuar kombet.
Dhe ti je i dashur prej Tij, aq sa Ai mori udhëtimin më të çuditshëm, por në të njëjtën kohë udhëtimin më shpresëdhënës që ka njohur historia.
Ai, Perëndia i shenjtë, kërkon fëmijët e tij të çoroditur dhe siguron një rrugë për në shtëpi. Prandaj Krishtlindja sjell shpresë: ti je i dashur prej Perëndisë dhe Ai do të të takojë përmes Birit të Tij, foshnjës Jezus, Shpëtimtarit!
Çfarë shprese! Më bën veç të qëndroj në gjunjë para Tij, mirënjohës dhe i mahnitur… Në sezonin e Krishtlindjes nuk festojmë atë që kemi bërë ne, por atë që Perëndia ka bërë për ne.
Shpresa jonë nuk është në veten tonë. Shpresa e vërtetë mbështetet në premtimet e Perëndisë, në dashurinë e Tij të mahnitshme për mëkatarët si ti dhe unë.
“Sepse na ka lindur një fëmijë, një djalë na është dhënë. Mbi supet e tij do të mbështetet perandoria dhe do të quhet Këshilltar i admirueshëm, Perëndi i fuqishëm, Atë i përjetshëm, Princ i paqes.” (Isaia 6:9)
Krishtlindja premton që supet e Tij do mbajnë barrën, dhe zemra jote do fitohet nëse ti shpreson e beson në Të. Supet e Tij më mbajnë, supet e Tij më çlirojnë nga barra e mëkatit, supet e Tij më japin shpresë…
Festo Krishtlindjen me këtë shpresë!
Gëzuar Krishtlindjen!