Kur kthehesh në shtëpi…

adminDhiata e Vjeter0 Comments

“Zoti është bariu im, asgjë nuk do të më mungojë. Ai më çon në kullota me bar të njomë, më drejton pranë ujërave që të çlodhin. Ai ma përtërin shpirtin, më çon nëpër shtigjet e drejtësisë, nga dashuria që ka për emrin e tij. Edhe sikur të ecja në luginën e hijes së vdekjes, nuk do të kisha frikë nga asnjë e keqe, sepse ti je me mua; shkopi yt dhe thupra jote janë ato që më japin zemër. Ti shtron para meje tryezën në prani të armiqve të mi; ti vajos kokën time me vaj; kupa ime po derdhet. Me siguri pasuri dhe mirësi do të më shoqërojnë në gjithë ditët e jetës ime; dhe unë do të banoj në shtëpinë e Zotit ditë të gjata.” Psalmi 23:1-6

Ngaqë jetoj larg prindërve të mi, më merr malli shpesh t’i vizitoj. Aty, ku jam rritur, kam një thes me kujtime nga fëmijëria, e të qëndruarit me prindërit e mi më sjell paqe e gëzim. Aty është vendi ku ndihem gjithmonë fëmijë.

Por të udhëtoj deri në tokën ku kam lindur nuk është e lehtë. Shkoj te stacioni i autobuzave. Nganjëherë, vetë të imagjinoj llojin e muzikës në furgon, aromat, bisedat, rrugën me plot kthesa, ndalesat, ankesat – vetëm kur i imagjinoj më pështjellohet – lëre pastaj kur edhe udhëtoj realisht.

Pas udhës së gjatë, duhet të kaloj në qytezën e vogël ku të gjithë njohin njëri-tjetrin e shqyejnë sytë të gjejnë identitetin e vajzës që sapo erdhi…. Si erdhi? Me kë erdhi? Ku po shkon?

Dhe pasi kam blerë porositë e mamit e të babit, marr gjithçka e nisem në rrugëtimin e mundimshëm për t’iu ngjitur kodrinës, që duket shpesh si një mal i lartë. Udhëtimi bëhet i mundimshëm kur bie shi, borë, kur bën shumë ftohtë a kur është shumë vapë. Çantat e rëndojnë trupin. Djersët të mbulojnë e të merret fryma.

Në majë të kodrës, pamja fillon të zbukurohet. Malet përreth sikur të strehojnë. Bëj ca foto aty, lavdëroj Perëndinë për krijimin e mahnitshëm, pushoj pak, e nisem përsëri, këtë rradhë me plot emocione se po vjen çasti.

Edhe pak… Edhe pak!

Pastaj shikoj fytyrën e qeshur të prindërve të mi, duke më pritur në ngrohtësinë e përqafimit të tyre. Nuk do ta ndërroja këtë çast me asgjë në këtë botë. Tashmë, kam hedhur pas krahëve edhe gjithë stërmundimin për të arritur deri aty.

Kam mbërritur në shtëpinë e atyre që më duan shumë.

Jeta jonë e besimit është një udhëtim i ngjashëm. Si udhëtarë, shpesh na duhet të vuajmë në rrugëtimin tonë drejt Atit. Ka rrebeshe e stuhi rrugës. Ka ditë të bukura e pamje për t’i fotografuar herë të tjera. Por një gjë është e sigurt: megjithë sfidat e udhëtimit, destinacioni përfundimtar ia vlen.

Gjithçka që po përjeton është kalimtare. Nuk do të ngelësh aty. Po i afrohesh fundit të udhëtimit, aty ku të pret Ati qiellor, me krahët e hapur. Ai të jep forcë të vazhdosh udhëtimin edhe një orë, edhe një ditë…

Dhe në shtëpinë e Atit, kur arrin aty, do të gjesh pushim… Do të gjesh qetësi në praninë e Tij. Po, ka shumë gëzim në praninë e Tij!

Rreth Autorit
mm

Mira Mjeshtri

Mira është nga Burreli. Ka mbaruar studimet për Gjuhë-Letërsi në qytetin e Shkodrës. Ka punuar për disa vite me studentët e këtij universiteti dhe më vonë ka punuar me të rinjte në Universitetin e Tiranës. Mirës i pëlqen rinia! Leximi dhe të shkruarit jane ndër pasionet e saj që kur ishte fëmijë. Aktualisht punon në fushën e ndikimit të rinisë përmes strategjive dixhitale.

E mirepresim komentin tuaj...